Ish presidenti francez Sarkozi nen hetim
Ish presidenti francez Nikola Sarkozi është marrë në pyetje nga prokuroria mbi akuzat se ai ka marrë financime nga një nga gratë më të pasura në Europë për fushatën e tij elektorale për zgjedhjet presidenciale në vitin 2007. Prokurori Zhan Mishel Zhontil ka marrë në pyetje Sarkozi për paratë që ai mendohet të ketë marrë nga Lilian Betenkort, pronarja e perandorisë së kozmetikës Loreal. Burime zyrtare kanë konfirmuar se Sarkozi është paraqitur në gjykatë, por mediat e vendosura në ambjentet e jashtme nuk kanë dalluar se me çfarë automjeti ka mbërritur ish presidenti. Dëshmitarë okularë kanë thënë se kanë parë disa automjete me xhama të errët të shoqëruar nga forca të shumta policie, dhe në një nga automjetet ndodhej avokati i Sarkozisë Tieri Herzog. Por mbetet e paqartë nëse dhe Sarkozi ka qenë me të. Hetimet kanë nisur pas skandalit të shpërthyer në vitin 2010 kur vajza e Betenkurt, pretendonte se e ëma e saj tashmë në moshë të thyer po shfrytëzohej nga njerëz të ndryshëm që përfitonin nga gjendja e saj shëndetësore. Gjatë hetimeve, ish nëpunës kanë deklaruar se nëj nga personat që kishin përfituar shuma të mëdha nga ajo ishte dhe Sarkozi për fushatën e tij të vitit 2007. Ky i fundit ka hedhur poshtë cdo akuzë për përfitime financiare. Deri para humbjes në zgjedhjet presidenciale të muajit maj Sarkozi kishte imunitet të plotë nga gjykimi si president i vendit. Por tashmë Sarkozi po merret në pyetje si një dëshmitar potencial. Pasi të përfundojë marrja në pyetje, hetuesit mund të lënë të paprekur statusin e tij, duke e vendosur formalisht nën getim, ose ta cilësojnë atë si dëshmitar me asistencë ligjore. Sarkozi është ish presidenti i dytë që merret në pyetje për financimet e tij politike. Paraardhësi i tij, 79 vjeçari Zhak Shirak është hetuar gjithashtu për një skandal të financimeve në partinë e tij në vitin 1980.