E Diel, 1 Nëntor 2026

Krijohet koalicioni “Poli i lirisë”, Ndoka: “Do të mbrojmë parimet e së djathtës”



Eljona Ballhysa
Partitë e vogla të djathta kanë vendosur të krijojnë një koalicion të quajtur “Poli i lirisë”, me të cilin do të përfaqësohen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pjesë e këtij koalicioni do të jetë Partia Demokristiane e Nard Ndokës, Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit, si dhe Partia Ligj dhe Drejtësi e Spartak Ngjelës. Të tre këto figura të së djathtës kanë vendosur të bashkëpunojnë në zgjedhjet e ardhshme duke krijuar një koalicion të dytë, i cili, përveçse do të bëjë fushatë kundër partive të majta, do të rivalizojë dhe koalicionin tjetër të djathtë të kryesuar nga PD-ja. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ka bërë të ditur misionin e këtij koalicioni ku kryesore do të jetë mbrojtja e parimeve të së djathtës.
Koalicioni
"Në bazë të Kodit Zgjedhor, tashmë të miratuar, është e domosdoshme gjykoj që të ketë të paktën katër pole politike. Ne gjykojmë që riorganizimi i disa partive politike, që kanë një përgjegjësi të lartë dhe ndjeshmëri ndaj këtij realiteti, mund ta bënte mjaft interesante politikën shqiptare. Është një bashkim mjaft interesant një bashkim i tillë për faktin se çdo parti politike ruan fizionominë e vet. Ndërsa poli, në tërësi të tij, do të jetë si një bashkim i këtyre vlerave”, - është shprehur kryetari i PDK-së, Nard Ndoka. Ai ka theksuar se grupimi do të ruajë identitetin e qartë djathtist në një kohë kur Partia Demokratike, sipas tij, ka tradhtuar shumicën e shqiptarëve që i dhanë asaj mandatin për të qeverisur vendin për katër vjet.
Bashkëpunimi
Burimet kanë bërë të ditur se arsyeja e vërtetë e bashkëpunimit të këtyre partive është fakti se PD-ja i ka braktisur këto parti, dikur aleate të saj. Partia më e madhe e djathtë nuk ka ndërmarrë asnjë nismë për të riorganizuar koalicionin me të cilin u fut në zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005. Po kështu dhe kryetarët e partive që do të krijojnë “Polin e lirisë” janë politikanë të zhgënjyer nga politika e ndjekur nga lideri i PD-së, Sali Berisha. Kështu Ngjela, ish-deputet i PD-së, ish-kryetar i Komisionit të Jashtëm Parlamentar, ish-anëtar i Kryesisë së PD-së, u përjashtua nga kjo parti vetëm se i cilësoi antikushtetuese ligjet e hartuara nga qeveria. Ndoka po ashtu u largua nga posti i ministrit për shkak të konfliktit të hapur me drejtues të lartë të PD-së. Ndërsa Shehi nuk është konsideruar gjatë këtyre 4 viteve nga lideri i PD-së, Berisha. Por një tjetër arsye për krijimin e koalicionit është dhe fakti se Kodi i ri Zgjedhor parashikon që një parti joparlamentare duhet të mbledhë 10 mijë vota që të ketë të drejtën të marrë pjesë në zgjedhje. Ndërsa partitë parlamentare futen direkt në zgjedhje. Në këtë rast, nga bashkëpunimi me PDK-në e Ndokës përfiton dhe LZHK-ja e Shehit ashtu dhe PLD-ja e Ngjelës. Megjithatë, palët mësohet se janë ende duke negociuar për formulën e bashkëpunimit brenda koalicionit.

21 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›