E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Pas 28 qershorit status për ish-ushtarakët

Autori i Lajmit: red.
Kandidatët për deputet të Partisë Socialiste kanë vijuar fushatën e tyre elektorale që qarqet ku tashmë janë caktuar si kandidatë. Kandidati i PS-së në Fier, Gramoz Ruçi është takuar me ish-ushtarakë, në kuadër të prezantimit të programit të ri qeverisës. Ruçi ka premtuar, se me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste, të gjithë ish-ushtarakët, ata në lirim apo reformë, do të fitojnë statutin e tyre. Ndërsa, në takimin me banorë të lagjeve 1 Maji dhe në lagjen Sheq i Vogël, Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS, ka thënë, se Berisha po ndjek një politikë të bajate, pasi Edi Rama, është në krye të betejës elektorale. “A ka fushë betejë më të madhe, se sa t i thuash popullit, o popull unë Kryetari i PS-së, kandidoj me një program, kandidoj me një alternativë dhe kandidoj për një portofol, atë të Kryeministrit të vendit, që do të qeverisë Shqipërinë në 4 vjet dhe në fletën e votimit do të jetë partia ime, emri im dhe përballë rivalit Sali Berisha?!”, - tha ai. Ndërsa kandidatja për deputete e selisë rozë në Qarkun Elbasan, Valentina Leskaj është ndalur dje në fshatin Hotolisht ku u ka kujtuar banorëve se kjo qeveri nuk ka mbajtur premtimet që bëri në 2005, ndaj më 28 qershor duhet të largohet me votën e të gjithë shqiptarëve. Leskaj ka siguruar banorët e Hotolishtit, se PS ka një program konkret dhe serioz për të nxjerrë vendin nga kriza ku e ka zhytur Sali Berisha. “Kryeministri thotë se janë rritur pensionet në fshat, por ai duhet të japë përgjigje sa janë rritur çmimet, sa është rritur kostoja e jetesës sot dhe që do të thotë se nuk ka rëndësi se sa merr në dorë, por se sa çon në shtëpi dhe çfarë mund të blesh me ato para që merr. Ju e dini të gjithë, që sot sheqeri, orizi, vaji, buka, karburanti është më shtrenjtë. Atëherë si mund të jetojmë më mirë sot shqiptarët? Shqiptarët kanë një zgjedhje. PS është alternativë”, - tha ajo. Kandidati i Korçës, Ben Blushi është ndalur në fshatit Bulgarec ku ka theksuar se ekonomia e vendit ka rënë në nivele të ulëta, pasi Kryeministri mendoi më shumë për pasurimin e familjes dhe oborrtarëve të tij. Blushi, kërkoi që më 28 Qershor, i gjithë qarku i Korçës, t i japë përgjigjen e merituar Sali Berishës, duke votuar PS-në. Të njëjtën kërkesë kana paraqitur para votuesve fierakë edhe kandidatët e këtij qarku, Ermelinda Meksi, Pirro Lutaj e Et hem Ruka. Në kuadër të takimeve të fushatës Meksi ka kryer një vizitë në materniteti e qytetit ku u premtoi grave dhe vajzave trajtim të njëjtë mjekësor. Më tej ajo ka zhvilluar takime dhe në Ballsh e Mallakastër.

Ky lajm është publikuar: 11/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›