E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ksamil, shkatërrohen 102 ndërtime



SARANDE/ SHPRESA DINE

Operacioni "Pastrimi i Rivierës 2010" shënoi dje gjysmën e tij, pasi në ditën e pestë u shembën 102 ndërtesa në Ksamil. Shkatërrimi i objekteve shumëkatëshe ka përparuar në të njëjtën zonë dhe është vepruar me të njëjtin kriter, duke mos bërë asnjë tolerim. Vetëm ditën e premte janë prishur nga grupi operacional rreth 40 objekte. Në prishjen e këtyre objekteve kanë marrë pjesë 5 çekiçë dhe ishin përqendruar në zonën e quajtur prej ksamiliotëve "kodra në afërsi të murit", që është përcaktuar si kufiri ndarës së Ksamilit me qytetin Antik të Butrintit. Janë prishur objekte tre e katër katëshe, madje edhe të përfunduara, por në asnjë rast nuk janë bërë diferencime apo kapërcime objektesh. Kriteri i vetëm që është zbatuar, sipas kreut të operacionit Gjergji Bojaxhi, që në nisje të operacionit "Pastrimi i Rivierës 2010", ka qenë mungesa e objekteve të shembura në hartën e fotografimit ajror dixhital, si dhe mosrealizimi i aplikimit prej pronarëve të tyre për legalizim në kohën e duhur. Dita e djeshme ka shënuar dhe të parin incident të rëndë mes forcave në operacion dhe pronarit të një hoteli 4-katësh, thuajse i përfunduar. Pronari i tij, përballë lajmërimit për shembje të godinës se nuk zotëronte asnjë dokumentacion, është përpjekur të pengojë mjetet që përgatiteshin për të prishur objektin e tij. Ai ka improvizuar ngujimin për rreth gjysmë ore, së bashku me familjarët e vet në objekt. Banori i fshatit Shëndëlli është mbyllur brenda objektit të ngritur në Ksamil, me derën e blinduar, duke reaguar me britma, në mënyrë që fadromat të mos punonin duke qenë familjarët brenda. Por kjo ndërmarrje penguese e këtij qytetari për grupin e operacionit nuk ka vazhduar për shumë kohë. Pas daljes së familjarëve nga objekti është ndërhyrë për rrëzimin e objektit, pa bërë asnjë dallim nga objektet e tjera të paligjshme. Operacioni do të ndalet ditën e sotme dhe të dielën, për të vazhduar të hënën. Deri tani ai është në fazën e gjysmës, pasi janë rrëzuar 102 ndërtime pa leje. Në listën e objekteve që do të prishen janë mbi 200 të tilla. Pronarët e tyre ishin lajmëruar disa javë më parë për nisjen e këtij aksioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›