E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-punëtori: Shpërthimi na la pa rrogat e marsit

Pëllumb Syla, 25 vjeç, është një nga grevistët ish-punëtorë të fabrikës së Gërdecit që dje ka dalë përpara Kryeministrisë për të protestuar dhe qëndruar në grevë urie. 

Dashamir Biçaku

Syla ka treguar dje punën në fabrikë, kërkesat e tij dhe të 140 punëtorëve, në emër të të cilëve ata janë në grevë që prej më tepër se 10 ditësh. Ditën e djeshme, ish-punëtorët që kanë kryer çmontimin e predhave në Gërdec, kanë lënë ambientet e grevës ku po qëndrojnë prej 11 ditësh dhe me disa automjete të siguruara nga lëvizja MJAFT, kanë udhëtuar nga Vora drejt Tiranës për të protestuar para selisë së qeverisë. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ish-punëtori i Gërdecit tregoi se ai dhe kolegët prej ditës së shpërthimit kanë humbur mundësinë për të marrë edhe pagën e 15-ditëshit të parë të muajit mars.  
Sa kohë kishe që punoje në fabrikë?
Unë kisha 3 muaj e gjysmë punë, deri ditën kur ndodhi shpërthimi. Më paguanin 20-25 mijë lekë të vjetra në ditë për të hequr predhat nga arka.
Ky ishte procesi i punës me të cilin merreshe?
Po, gjatë gjithë kohës që kam punuar në fabrikë, për rreth tre muaj, jam marrë vazhdimisht me heqjen e predhave nga arkat. Bashkë me mua punonte vëllai dhe motra ime. Të gjithë së bashku duhej të kapnim normën prej 450-500 predha të hequra nga arkat në ditë.
Si ishte një prej ditëve tuaja të punës në fabrikë?
Unë bashkë me familjen time banonim në Durrës me qira. Ngriheshim në orën pesë të mëngjesit dhe bashkë me motrën dhe vëllanë merrnim autobusin ose furgon sipas rastit për të udhëtuar deri në Vorë. Në orën tetë duhej të ishim tek nënkalimi i Gërdecit në Vorë. Pasi zbrisnim aty, merrnim rrugën për në fabrikë pasi duhej të paraqiteshim për të filluar punën.
Sa ishte norma që duhej të bënit dhe me çfarë pagese?
Norma ishte siç ju thashë 450 predha, por siç e dini edhe vetë ata e ngrinin herë pas here normën e predhave që duheshin realizuar dhe pagesën e mbanin po të njëjtë, 20- 25 mijë lekë për çdo person kur ne të tre arrinim normën.
Si gjetët punën në Gërdec, kush ju sugjeroi?
Patëm dëgjuar se në Gërdec kishte punë, ku ishte hapur një fabrikë municionesh që kryente çmontimin e tyre. Shkuam tri ditë rresht por nuk na pranuan. Ditën e katërt një person që ishte përgjegjës në pritjen e punëtorëve na tha se mund të fillonim punë. Ne kishim mbetur pa punë prej disa muajsh dhe ishim shumë keq ekonomikisht. E kuptova menjëherë se ishte punë me rrezik, por doja të punoja sepse kisha nevojë për ato para. Familja jonë ishte në kushte të vështira ekonomike dhe ne pavarësisht rrezikut që ajo kishte vendosëm të nisnim punë aty. Na duheshin paratë.
A ju treguan për rrezikun dhe për kushtet e sigurisë, ju trajnonin për të pasur kujdes gjatë procesit të punës?
Na thoshin të kishim kujdes, por më tepër se sa na mësonin apo na instruktonin drejtuesit apo përgjegjësit e punës, ne kishim mësuar vetë të punonim me kujdes. E kishim kuptuar se i gjithë procesi kishte rrezik dhe ne vetë mundoheshim të ishim të kujdesshëm. Vetëm një person ditët e para na tregoi procesin e punës që duhej të kryenim dhe se duhej të tregonim kujdes.
Ju punuat për gati tre muaj, sa paga mundët të merrnit?
Unë mora dy paga mujore, pra të dy muajve të parë. Muajin e tretë nuk munda ta marr pasi ndodhi shpërthimi. Jo vetëm unë, por askush nuk mundi të merrte pagën e muajit të fundit për shkak të asaj që ndodhi.
Çfarë mban mend nga dita e shpërthimit?
Kam parë një flakë pastaj një shpërthim të fuqishëm. Di që nga shpërthimi kam fluturuar disa metra në lartësi dhe kam rënë rreth pesë metra nga vendi ku ndodhesha në momentin e ngjarjes. Më pas di që dikush më ka marrë nga fabrika, por nuk mbaj mend dhe jam gjendur në fshatin Bubq të Krujës ku kam ardhur në vete. Që aty kam shkuar në Spitalin Ushtarak ku jam mjekuar në fillim, pasi kisha djegie në këmbë dhe në trup. Pastaj kam qëndruar në fshatin tim në Morinë të Kukësit, ku edhe kam marrë trajtimin e vazhdueshëm mjekësor.
Çfarë kërkoni nëpërmjet grevës suaj?
Ne duam plotësimin e kushteve që i kemi paraqitur qeverisë. Ne kërkojmë pagën e një viti, pagesën e sigurimeve shoqërore, të periudhës së papunësisë, pagesën e një dëmshpërblimi. Të gjitha këto pagesa nuk kapin më tepër se 1 milion lekë të reja për çdo punëtor. Janë në total 140 punëtorë, që kanë këto kërkesa. Pra, janë kërkesa të ligjshme dhe të plotësueshme.

Braçe: U fshehën fakte për Berishën, Topalli: Shpifje!

Nënkryetari i Grupit parlamentar të PS-së,  Erion Braçe, akuzoi dje kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, se ka fshehur fakte që tregonin se Kryeministri Berisha kishte dijeni për atë që po ndodhte në Gërdec. Duke paraqitur një dokumentacion që deri dje ishte mbajtur kofidencial, Braçe u shpreh se në listën e informacioneve që merrenin institucionet e larta të vendit, qëllimisht kryetarja e Parlamentit ka hequr Kryeministrin e vendit. “Denoncoj përfshirjen e Kryetares së Kuvendit në përpilimin e dokumenteve parlamentare që shtrembërojnë të vërtetën mbi implikimin e Kryeministrit Sali Berisha në krimin shtetëror të Gërdecit”, tha Braçe. “Nga dokumentacioni i ardhur nga organi i akuzës rezulton se sasi të mëdha municionesh transportoheshin çdo ditë për në Gërdec dhe për këtë janë informuar përditë, me  raporte ditore të Shtabit të Përgjithshëm, drejtori i SHIU-t, zv/ministrat e Mbrojtjes, ministri i Mbrojtjes, zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm, shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe Presidenti i Republikës”, tha deputeti Braçe, duke cituar pikën 4 të raportit të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu, paraqitur në Parlament. Sipas tij, “Berisha kishte dijeni për gjithshka ndodhte në Gërdec dhe ka marrë vendime qeverie në favor të një biznesi kriminal atje”. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetares së Kuvendit për këtë fakt. Zëdhënësja e saj, Suela Ruseti përmes një konference për shtyp tha se, “deklaratat e sotme të Erion Braçes janë vetëm shpifje dhe trillim i radhës i këtij deputeti”. “Çdo raport i ardhur nga Prokuroria i është vënë në dispozicion të gjithë anëtarëve të Këshillit të Rregullores. Nuk ka asnjë dokument që të faktojë se Kryeministri i vendit ka qenë i informuar apo ka pasur dijeni për Gërdecin”,  shtoi zëdhënësja e Kuvendit.

“Gërdeci”, gati akuza edhe për 2 zyrtarë

Kuvendi dorëzoi dje në Prokurorinë e Përgjithshme autorizimin për fillimin e ndjekjes penale ndaj kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes i dorëhequr pas tragjedisë së Gërdecit.

Trazhgim Sokolaj

 Burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, konfirmuan dje se rreth mesditës, ka mbërritur në këtë institucion shkresa zyrtare në të cilën, veç procesverbalit të votimit për heqjen e imunitetit, konfirmohet autorizimi që Kuvendi i jep Prokurorisë për të filluar hetimet ndaj deputetit Fatmir Mediu. Kërkesa e parë e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të Mediut është bërë më 25 prill 2008. Autorizimi për hetimin e tij vjen pas gati dy muajve vonesë si dhe një procedure e komunikimi të ndërlikuar e të tendosur mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Dy zyrtarë nën akuzë
Lista e personave të pandehur për tragjedinë e Gërdecit pritet të shtohet edhe me dy ish-zyrtarë të ndërmarrjes shtetërore MEICO dhe Shtabit të Përgjithshëm. Ata pritet të merren të pandehur për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë teknike në punishten e çmontimit të municioneve në Gërdec. Prokuroria tha se ka gjetur elementë të mjaftueshëm të veprës penale në veprimet dhe mosveprimet e Dashnor Çaushit, ish-shef i Drejtorisë së Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë dhe Sokol Ngjeçit, ish-mbikëqyrësit të ndërmarrjes MEICO në Gërdec. Sipas institucionit të hetimeve, është çështje ditësh momenti kur këtyre dy ish-zyrtarëve do t’u komunikohet akuza për “shkelje të kushteve të sigurisë në trajtimin e lëndëve luftarake dhe radioaktive”. Për të njëjtën akuzë mbahen të arrestuar që më 18 mars 2008, ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari, biznesmeni i hekurit Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli, ish-drejtor teknik i punishtes së çmontimit në Gërdec. Dy zyrtarët që pritet të merren të pandehur në vazhdim të hetimeve kanë qenë persona të dyshuar nga Prokuroria që në fillim të hetimit. Për këtë shkak ata janë shkarkuar nga detyrat që mbanin më parë ndërsa së fundi, Prokuroria ka dokumentuar tërësisht mungesën e kujdesit dhe zbatimit të ligjit nga ndërmarrja MEICO dhe Drejtoria e Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm lidhur me respektimin e kushteve të sigurisë gjatë çmontimit të predhave në Gërdec.
“Mashtrimi amerikan”
Biznesmeni i hekurit Mihal Delijorgji dhe drejtori teknik i punishtes së çmontimit, Dritan Minxolli, kanë pretenduar gjatë dëshmive të tyre pas arrestimit, se kishin siguruar gjithë teknologjinë e nevojshme për kryerjen e çmontimit të municioneve në kushte të kontrolluara sigurie. Sipas tyre “makineritë” ishin sjellë nga Amerika. I njëjti pretendim është ngritur edhe nga ortaku i tyre amerikan, Patrick C Henry III, përfaqësues i kompanisë SAC, kur ai aplikoi në Ministrinë e Mbrojtjes për kontratën e çmontimit në Gërdec. Në fakt, verifikimet e Prokurorisë për inventarët e pajisjeve që ndodheshin në Gërdec, por edhe deklarimet e punëtorëve, tregojnë se në punishte ka pasur vetëm dy pajisje artizanale që shërbenin për çmontimin e municioneve. Sipas hetimeve edhe ato dy pajisje të sjella nga Patrick C Henry III nga SHBA, nuk ishin përdorur për çmontimin e predhave pasi ato kishin qenë vetëm për fishekët. Veç kësaj përfaqësuesi i kompanisë amerikane SAC sapo ka filluar çmontimi i predhave është tërhequr, madje ka paketuar e ambalazhuar pajisjet që kishte sjellë, duke ia lënë këtë biznes Mihal Delijorgjit. Në këtë mënyrë, Prokuroria ka arritur në përfundimin se pretendimi për çmontimin e municioneve në Gërdec me “një teknologji të avancuar amerikane”, nuk ka qenë i vërtetë.

“Kamerat e vëzhgimit të ministrisë, asnjë pamje”

TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme, e cila po heton tragjedinë e Gërdecit ka kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes materialet filmike të fiksuara nga kamerat e sigurisë së këtij institucioni. Çdo hapësirë e Ministrisë së Mbrojtjes, që nga porta hyrëse e saj deri tek paradhoma e kreut të institucionit është e monitoruar me kamera sigurie të vendosura në këndet e ndryshme të institucionit. Imazhet e fiksuara prej këtyre kamerave janë kërkuar nga Prokuroria me qëllim që të verifikohen personat që kanë hyrë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe koha kur ka ndodhur kjo. Objekti kryesor i vëzhgimit të Prokurorisë ka qenë identifikimi i personave që kanë hyrë në zyrën e ministrit të Mbrojtjes, drejtorinë e MEICO-s dhe Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë. Por pak ditë më parë, përmes një shkrese zyrtare të dërguar në Prokurori, Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se sistemi i kamerave ka një defekt dhe se po zhvillohet një tender për kthimin e tyre në funksionim.          t.s

Ekspertim kimik i barutit të Gërdecit për fuqinë e djegies dhe shpërthimit

TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar realizimin e një ekspertize kimike për mostrat e barutit që ishte grumbulluar në Gërdec si pasojë e çmontimit të predhave të kalibrit të rëndë ushtarak. “Ekspertimi shkencor kimik do të bëhet për të përcaktuar gjendjen në të cilën ishte baruti i dalë nga çmontimi i predhave, nëse ai ka pasur veti shpërthyese dhe djegëse për të shkarkuar pasojat katastrofike që erdhën nga ngjarja aksidentale”, janë shprehur burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, ekspertimi kimik i barutit është kthyer në një veprim hetimor të nevojshëm pas mbërritjes së raportit të hartuar nga gjashtë agjentët e Byrosë Amerikane ATF. Në një dokument prej mbi 700 faqe, të shoqëruar edhe me tabela dhe fotografi, ata kanë bërë një shpjegim shkencor dhe të detajuar të mënyrë se si u shfaq shkëndija e parë në punishten e Gërdecit gjatë saldimit të karrocave që përdoreshin për transportin e barutit. Në dosjen e ATF-së e cila ka mbërritur në gjuhën angleze në Tiranë dhe po përkthehet në shqip për t’ju vënë në dispozicion grupit hetimor, thuhet se shkëndijat e saldimit dogjën barutin që ndodhej në karroca dhe më pas aktivizuan flakë të fuqishme në barutin që ndodhej i hedhur pa kujdes në ambientet e fabrikës. Predhat që gjendeshin përtokë mes barutit, u aktivizuan si pasojë e flakëve dhe nxehtësisë duke goditur kontenjerët me mbi 700 tonë barut, çka shkaktoi shpërthimet me pasoja katastrofike: 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur, mbi 5 mijë banesa të dëmtuara dhe një dëm ekonomik të vlerësuar zyrtarisht mbi 16 milionë euro.

Dosja “Gërdeci”

Ylli Pinari             i pandehur
Në gjendje arresti

Mihal Delijorgji         i pandehur
Në gjendje arresti

Dritan Minxolli        i pandehur
Në gjendje arresti

Sokol Ngjeçi            në hetim
Do të merret i pandehur

Dashnor Çaushi        në hetim
Do të merret i pandehur

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›