E Diel, 1 Nëntor 2026

Japoni, jetonte prej një viti fshehurazi në dollap

Një 57-vjeçar japonez, “po luante mendsh” nga boshatisja e frigoriferit të tij në mënyrë të çuditshme kur ai nuk ishte në shtëpi. 

Për të zgjidhur misterin që po e brente përbrenda prej shumë kohësh, ai ka instaluar në shtëpinë e tij në provincën Fukoka, Japoni, një sistem video vëzhgimi, që i ka mundësuar të zbulojë të vërtetën. Një e panjohur jetonte prej kohësh në pjesën e fundme të dollapit të tij. Kur zotëria nuk ishte në shtëpi, ajo dilte në kërkim të ushqimit. Sigurisht që rrugën për te frigoriferi e kishte mësuar edhe me sy mbyllur. Gruaja, e cila ishte gati bashkëmoshatare me të zotin e shtëpisë, (58 vjeçe) në momentin kur e kanë arrestuar, pas denoncimit të tij, ka deklaruar se kishte gjetur këtë zgjidhje pasi nuk kishte ku tjetër të jetonte. Ajo arriti të identifikohej vetëm nga video vëzhguesi i lidhur me celularin e të zotit të shtëpisë. Sipas deklaratave të saj të para për policinë japoneze, ajo jetonte prej rreth një viti në pjesën e fundit të dollapit të veshjeve, një vend i ngushtë ku mezi mund të rrinte e shtrirë pa lëvizur, por ku gjithsesi ajo e kishte gjetur mundësinë për të vendosur disa shishe uji për të mbijetuar në rast se zotëria vendoste të mos dilte fare nga shtëpia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›