Nano: Fitova gjyqin me “L’Espresso”, burg gazetarëve
aristir lumeziIsh-kryeministri socialist Fatos Nano fitoi dy ditë më parë edhe gjyqin ndaj revistës së përjavshme italiane “L’Espresso” dhe të drejtën e dëmshpërblimit në shumën 3 milionë euro. Lajmi bëhet i ditur nga zyra e shtypit e ish-kryeministrit socialist, e cila njofton se Gjykata italiane i ka dhënë të drejtë Nanos ndaj padisë për revistën italiane. Gjykata e Romës, më 21 janar dha vendimin në procesin e ngritur në vijim të denoncimit për shpifje të Nanos, në lidhje me artikullin e publikuar në datën 2 gusht 2002, me titull “Il Padrino dell’Albania…”. Gjykata e Romës dënoi Daniela Hamaoui, drejtore e L’Espresso, Claudio Pappaianni, gazetar, autor i artikullit, Dina Nascetti, gazetare, autor i artikullit dhe Giuseppe Rolli, gazetar, autor i artikullit me një vit e gjashtë muaj burg për secilin, për akuzën e shpifjes për dhe dizinformimit. Gazetarët që kanë marrë këtë masë nga ana e Gjykatës së Romës, nuk u hiqet e drejta e apelimit të këtij vendimi në shkallën e dytë të gjykimit. Përsa i përket kërkesës së dëmshpërblimit prej 3 milionë euro, gjykata mbasi vendosi të drejtën e dëmshpërblimit të ish-kryeministrit Nano, që do të përballohet nga 4 gazetarët dhe Grupi Editorial Espresso, vendosi gjithashtu t’ia kalojë për kompetencë mbi vlerësimin e masës së dëmit, Gjykatës Civile të Romës. Një dënim i tillë në Itali është i paprecedentë deri më sot, pasi është bazuar në gravitetin e shpifjeve dhe akuzave që gjykata konsideroi dhe e shprehu me masën e dënimit ndaj gazetarëve. Edhe në këtë proces gjyqësor, ashtu si dhe në atë kundër gazetës “Unità”, i zhvilluar dhe i përfunduar pranë Gjykatës së Milanos, Nano përfaqësohej nga e njëjta Studio Ligjore Italiane, me Av. Massimo Pisani dhe Avokatin shqiptar Engjëll Agaçi, të dy të Dhomës së Avokatisë së Romës. Dy vjet më parë, në tetor 2007, Nano fitoi gjyqin me gazetën italiane “L‘Unita”, ku gjykata vendosi dëmshpërblim financiar prej 200 mijë eurosh. “L‘Unita” dhe Espresso botuan një artikull me titull “Padrino i Shqipërisë”, ku Nano akuzohej se kishte lidhje me “Camorra”-n. Artikulli “Nano, Padrino i Shqipërisë”, i botuar fillimisht në gazetën italiane “L’Espresso” e më pas në “L’Unita”, u botua më pas nga një revistë e përjavshme shqiptare, duke ndezur në këtë mënyrë debatin politik në vend. Ishte koha kur Nano sapo kishte ardhur në krye të ekzekutivit, ndërsa akuzat ndaj tij për lidhje me mafien italiane ngriheshin për kohën kur ai ishte kryetar i Partisë Socialiste.“L’Unita”Gazeta italiane “L’Unita”, në shkrimin e saj të datës 2 gusht 2002, botoi shkrimin “Padrinoja i Shqipërisë”, duke hedhur akuza të rënda në adresë të ish-kryeministrit socialist të asaj kohe Fatos Nanos, të cilin e akuzon dhe për lidhje me Kamorrën siciliane. “Fatos Nano është sërish kryeministër i vendit, ndërsa njerëzit e tij vazhdojnë të jenë të lidhur me klanet mafioze. Raportet sekrete të Prokurorisë së Napolit.