E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-shefi i Shtabit, Hoxha: Gërdecin? Ia lë në dorë drejtësisë

Gjeneralët e shkarkuar pas tragjedisë së Gërdecit janë "rebeluar" nga deklarata e Kryeministrit Sali Berisha, sipas të cilit ushtarakët janë përgjegjësit për vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e 300 të tjerëve. Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, i pyetur nga gazeta "Shqip" për deklaratën e Kryeministrit, tha se ia ka lënë në dorë drejtësisë zbardhjen e ngjarjes. Ai tha se do të zbatojë çdo vendim të prokurorisë. Ndërsa ish-komandanti i Forcës Mbështetëse, Zija Bahja, pohoi dje se ka qenë në dijeni për fabrikën e municioneve në Gërdec, madje edhe se vartësit e tij kanë dërguar në këtë vend municione për demontim, por ka zbatuar urdhrat e eprorëve. Ndërkohë, para prokurorëve, gjatë kohës që është marrë në pyetje, Bahja ka dëshmuar se të gjitha veprimet, si transporti i municioneve dhe marrja e tyre nga depo të tjera, janë bërë vetëm me urdhër të ministrit të Mbrojtjes.

Ndryshe nga Berisha, që deklaronte në intervistën për "Zërin e Amerikës" se ushtria është shmangur nga hetimi, prokuroria deklaron se askush nuk i është shmangur hetimit. Akuza shton se ushtarakët u janë përgjigjur pozitivisht thirrjeve për dëshmi në organin e akuzës dhe kanë sqaruar të gjitha lëvizjet e tyre për ngritjen dhe më pas demontimin e municioneve në fabrikën e Gërdecit. Ata kanë deklaruar se janë angazhuar për të dërguar municione në Gërdec, sipas urdhrave të ministrit të Mbrojtjes, për çmontim. Një urdhër 550 i ministrit, që mban datën e prillit të vitit 2007 dhe një urdhër 2044, që mban datën e 7 dhjetorit 2007. Komandës mbështetëse, me drejtues Zija Bahjen, i ngarkohej detyra e transportimit me masa sigurie të municioneve. Armët i dorëzoheshin me dokumente fletëdaljeje ndërmarrjes "Meico", pastaj me veprime të tjera, ndërmarrja shtetërore, sipas urdhrave të ministrit të Mbrojtjes dhe vendimeve të qeverisë, kryente demontimin.

Prokuroria deklaron se urdhrat e ish-ministrit Mediu janë sekuestruar në të gjitha nivelet e ushtrisë. Mësohet se komanda mbështetëse ka zbatuar vetëm urdhrat me shkrim të ministrit të Mbrojtjes. Ushtarakët kanë deklaruar se gjithmonë raportohej, për çdo çast për ngjarjet e zakonshme, çdo 24 orë për veprimtarinë ditore, çdo javë për punët e javës, çdo muaj, çdo tre muaj, e më radhë. Sipas ushtarakëve, ministri ka pasur dijeni për çdo veprim në fabrikën e Gërdecit.

Nga ana tjetër, ish-komandanti i Forcave të Bashkuar,a Shpëtim Spahiu, ka deklaruar në media se vendimi për ndërtimin e fabrikës së demontimit të armëve në fshatin Gërdec është marrë nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ai ka deklaruar se urdhrat për ndërtimin e fabrikës janë lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes, edhe pse ka kundërshtuar vendin e përzgjedhur, për shkak se zona ishe e banuar.
Mësohet se Komanda e Forcave të Bashkuara lidhet me Gërdecin vetëm me dhënien me qira të tokës, në të cilën u ngrit fabrika. Urdhri i parë i ministrit të Mbrojtjes përcakton se Komanda e Forcave të Bashkuara të japë me qira dhe të lejojë ndërtimin e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec. "Unë jam njohur me këtë projekt vetëm kur më ka ardhur urdhri i ministrit në tavolinë. Se kush e ka zgjedhur Gërdecin e di vetë ministri i Mbrojtjes me Shtabin e Përgjithshëm", do të deklaronte Spahiu. Të gjitha veprimet e prokurorisë për ngjarjen e Gërdecit, por edhe deklaratat e gjeneralëve, hedhin dritë se ish-ministri i Mbrojtjes ka qenë "firmëtari" i tragjedisë.

Shkarkimi i Bahjes dhe Spahiut

Shpëtim Spahiu, komandanti i Forcës së Bashkuar dhe Zija Bahja, komandantit i Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura janë liruar nga funksionet, shërbimi ushtarak dhe nga gradat. Me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Gazmed Oketës, të motivuar me faktin se nuk kanë ushtruar me përpikmëri detyrën, Presidenti Bamir Topi ka firmosur shkarkimin e dy gjeneralëve. Madje Oketa ka është shprehur se ata mund ta evitonin tragjedinë e Gërdecit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›