TIA: Të publikohen CV-të e kandidatëve për deputetë
"Transparency International Albania" u ka kërkuar dje partive politike që, para se të nisë fushata elektorale, të bëjnë publike listat e kandidatëve për deputetë, dhe bashkë me emrat të publikojnë edhe të dhënat e plota të tyre. Në një konferencë për shtyp, drejtuesit e TIA-s theksuan se është shumë e rëndësishme mënyra e përzgjedhjes së kandidaturave të atyre që do të përfaqësojnë popullin në Kuvend. TIA ka shpjeguar se qëllimi i kësaj kërkese është në favor të publikut shqiptar, që ky i fundit të jetë i mirinformuar në kohë për personin që do të zgjedhë si deputet të ardhshëm, që do të përfaqësojë më pas elektoratin e tij në sallën e Kuvendit. Sipas tyre, transparenca ndaj kandidatëve duhet të shkojë edhe përtej CV-ve, deri në biografitë dhe pasuritë e tyre aktuale. "Me bërjen publike të biografive të kandidatëve, TIA synon që mandatet e deputetëve të mos jenë peng i presionit financiar apo çfarëdo presioni tjetër, por vetëm shprehje e vullnetit të votuesve", theksojnë drejtuesit e TIA-s. Ndër të tjera, TIA ka shpjeguar se kjo nismë ka si qëllim që në ditën e zgjedhjeve, më 28 qershor, të ndalohet blerja e mandateve të deputetëve.