Meta: Rama e Berisha po mbajnë peng zhvillimin e vendit
Emra të njohur të Partisë Socialiste dhe ish-drejtues të pushtetit vendor në Durrës i bashkohen LSI-së. Gjatë konferencës së grave të LSI-së në Durrës, Ilir Meta akuzoi dy krerët e pozitës dhe opozitës shqiptare, duke i lidhur akuzat me situatën që po kalon vendi dhe qytetarët. Sipas Metës, kreu i ekzekutivit shqiptar u premtoi shqiptarëve parajsën, po mundi t‘u sjellë veç Gërdecin dhe varfërinë. Ndërkohë që akuzat për kryesocialistin Rama janë përqendruar në funksionin e tij të pushtetarit lokal. Mandate të mbushura me gënjeshtra nga ana e Ramës, ka theksuar Meta, ndërsa është ndalur te mbjellja e pemëve në kontrast me morinë e pallateve të ndërtuara me lejen e bashkisë dhe që po u zënë frymën qytetarëve të kryeqytetit. Meta tha se Shqipëria nuk është ajo që deklarohet rëndom nëpër konferencat kryeministrore, po është një vend i varfër me probleme.