E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-shikasi, armët në shtëpinë e Zeliha Sinës

16/06/2005  Dëshmia e Islam Kazazit në procesin "Hakmarrja": Gënjeva në ‘98-ën, më kërcënuan

TIRANË – Procesi në ngarkim të organizatës "Hakmarrja për Drejtësi" merr kthesë në gjykatë. Dëshmitarët e mbrojtjes rrëfejnë pro akuzës. Në vitin 1998 erdhi para gjykatës si dëshmitar i mbrojtjes. Ndërsa dje për të dëshmuar në lidhje me një çështje shumë të rëndësishme të ndodhur në vitin 1996, Islam Kazazi, ish-punonjës i SHIK-ut, tani polic në Kavajë, ka ardhur i thirrur nga akuza. Megjithë këmbënguljen e avokatit Dylber Mani, për të kundërshtuar dëshminë e Kazazit, e cila ishte e rëndë për të pandehurit, gjykata nuk u bind.

Dëshmia

Avokati paraqiti një deklaratë noteriale të nënshkruar para noterit nga Islam Kazazi, ku thuhej se nuk kishte gjetur armë në shtëpinë e Zeliha Sinës dhe se këto armë ai së bashku me një shokun e tij i kishte dërguar vetë. Por deklarata nuk u mor parasysh nga gjykata, pasi dëshmitari u la i lirë të fliste. "Unë kam gënjyer në vitin 1998, kur thashë se armët në shtëpinë e Zeliha Sinës, të marra me qira nga Enkeled Agaj, tashmë i vdekur, pjesëtarë i grupit "Hakmarrja për Drejtësi", i dërgova së bashku me një kolegun tim. Këtë gjë e kam bërë nga frika. Më kërcënuan pjesëtarët e grupit dhe unë u detyrova të bëja një dëshmi të tillë. Sot deklaroj se ato armë i kam gjetur në atë shtëpi. Kemi mbajtur edhe një procesverbal".

Armët

Sipas dëshmitarit, shtëpia në afërsi të Pazarit të Ri, shërbente si strehë për mbajtjen e armëve. U gjet një arsenal i tërë armësh, të cilat pas akuzës janë përdorur në shumë vrasje. Kjo është dëshmia e dhënë dje para Krimeve të Rënda nga ish- punonjësi i SHISH, Islam Kazazi. Procesverbalet e gjetjes së këtyre armëve janë bërë e ribërë disa herë. Madje, shtatë policët, të cilët bënë procesverbalet para gjykatës, kanë thënë të kundërtën, duke i quajtur firmat e manipuluara. Por kryerja e aktit të ekspertizës për të gjitha firmat, rezultoi të kundërtën. Nga kontrolli është zhdukur një procesverbal. Ky kontroll u bë në tetor 1996, pas kontrollit të banesës së shtetases Zeliha Sina, marrë me qira nga një prej pjesëtarëve të grupit “Hakmarrja për Drejtësi”, Enkelejd Agaj, i cili u gjend i vdekur në Malin e Dajtit.

Akuzat që rëndojnë mbi të pandehurit

Të pandehurit që prej tetë vitesh mbajnë mbi shpinë akuzat e vjedhjes së bankave dhe arkave të shtetit, vjedhjes së arkave të disa pikave të karburantit, vjedhje me pasojë vdekjen e disa shtetasve, përfshi edhe policë, rrëmbimi i fëmijës Erjon Nushi, vënia e autobombës në supermarketin "Vefa", vrasja e ish- drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi, gjetja e një arsenali armësh në shtëpinë e Zeliha Sinës, të marrë me qira nga i pandehuri Enkelejd Agaj. Në tetor të vitit 1996, ishte edhe fillimi i procedimit të hetimit për 11 të pandehurit. Tashmë kanë mbetur vetëm dhjetë, pasi njëri prej tyre, Enkeled Agaj, u gjet i vrarë në malin e Dajtit. Gjatë hetimeve të kryera për këtë grup, i cili bëri bujë të madhe, janë ndryshuar disa prokurorë. Të parët që kanë patur dijeni për këto ngjarje janë Agim Shehu, ish-zëvendësministër dhe Bashkim Gazidede, ish-kryetar i SHIK-ut. Këta persona janë larguar nga Shqipëria, duke lënë një fushë të errët në këto hetime. Kjo ndodhi, pasi këta kanë qenë të pranishëm në arrestimin e të pandehurve në tetor të vitit 1996 dhe më pas ia kanë lënë stafetën në dorë dy prokurorëve, Alban Kalaja dhe Andrea Thomollari. Edhe këta prokurorë e mbajtën çështjen në dorë për më shumë se tre vjet.

Janë 90 dëshmitarë që do të thirren në shqyrtimin gjyqësor

Janë 90 dëshmitarë, të cilët prej vitesh janë thirrur në prokurori e gjykatë për të dhënë dëshminë e tyre dhe tashmë do të detyrohen ta ripërsërisin atë. Në listën e gjatë të dëshmitarëve ndodhet edhe emri i Erjon Nushit, i cili në momentin e rrëmbimit ishte vetëm dhjetë vjeç, ndërkohë që tani është i rritur. Po kështu, në dosje janë të shënuar edhe emrat e personave të bankave, të cilët kanë qenë në punë në momentin që janë grabitur nga njerëz të armatosur dhe me maska. Nuk do të mungojë në sallën e gjyqit për të ripërsëritur dëshminë e tij, edhe babai i ish-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi, i vrarë në afërsi të shtëpisë. Lista me emrat e dëshmitarëve u është dhënë edhe avokatëve mbrojtës. Akuza mendon se dëshmitarët që do të thërrasë në sallën e gjyqit, do të japin një version krejt ndryshe nga ato që janë dhënë më parë dhe, gjithçka do të sqarohet përfundimisht. Sipas akuzës, ajo që i mban me shpresë se mund të fitojnë para mbrojtjes në gjykatë, janë mjetet me të cilat kanë lëvizur të pandehurit, para dhe pas ndodhjes së ngjarjeve. Prokuroria tha se në procesin gjyqësor do të kenë përparësi edhe provat shkresore si dhe ato materiale. Provat materiale kanë të bëjnë me armët e gjetura në shtëpinë e Zeliha Sinës, marrë me qira nga të pandehurit si dhe një arsenal i gjetur në Vlorë, në afërsi të shtëpisë së Pasho Novruzajt. Në provat shkresore, Prokuroria niset te deklaratat e bëra nga vetë të pandehurit, menjëherë pas arrestimit.

Tre të arrestuarit që nuk janë ekstraduar

Orik Shyt, Kreshnik Spahiu dhe Altin Arapi, janë tre të pandehur, të cilët janë arrestuar jashtë Shqipërisë, por nuk janë ekstraduar. Altin Arapi është arrestuar në Belgjikë, një muaj pas vrasjes së gardistit Genci Sina. Belgët nuk e kanë ekstraduar dhe Arapi ka përfituar azil politik në qendrën evropiane. Arapi është i pandehuri i vetëm i kësaj çështjeje, që është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm, për vrasjen e shoferit të familjes së Prokurorit të Përgjithshëm, më 29 shtator 2003, në Tiranë. Ndërsa, Orik Shyti dhe Kreshnik Spahiu, janë arrestuar më 5 shkurt 2004, në Bazel të Zvicrës. Edhe këto dy të pandehur janë në gjykim në mungesë, pasi kanë përfituar nga Zvicra azil politik.

Të pandehurit

Orik Shyti

Leart Shyti

Altin Arapi

Pasho Novruzi

Dritan Hate

Gëzim Gjoni

Kreshnik Spahiu

Gentian Çaka

Nikolin Novruzi

Roland Shyti

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›