U kap me 16 kg heroinë në Gjirokastër,dosja ndaj fierakut shkon në gjykatë
16/06/2005 Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet ndaj Ymer Bakës, i akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje. Lajmi është bërë dje i ditur nga burime të organit të akuzës, të cilat sqaruan se dosja hetimore në ngarkim të fierakut Baka është nisur për shqyrtim në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Prokuroria e akuzon Bakën për tentativën e trafikimit të afro 16 kilogramë heroinë drejt Greqisë. Ai është kapur nga forcat e antidrogës së Policisë së Gjirokastrës, pas informacionit të dhënë nga ajo e Fierit. Burimet e akuzës pohojnë se në autoveturën tip “Benz”, të cilën drejtonte Baka, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe tri armë, ku dy kanë qenë tip automatik kallashnikov. Ndërkaq, Baka ka mundur të largohet fillimisht nga automjeti, por është kapur pas disa orësh arratije. Pas kontrollit të ushtruar, në sediljet e autoveturës janë gjetur të fshehura disa pako me heroinë, që në total arrinin rreth 16 kilogramë, pohojnë burimet. Ato shtojnë se nga hetimi disamujor nuk është arritur të sigurohen prova ndaj personave të dyshuar si bashkëpunëtorë të tij. Ndërsa vetë i akuzuari nuk ka dhënë asnjë shpjegim. Burimet e Prokurorisë, sqarojnë se ka qenë një telefonatë anonime në Policinë e Fierit, që ka dhënë informacion rreth sasisë së heroinës që Daka tentoi të trafikonte drejt Greqisë.