Mediu kërkon votën e të djathtëve në Durrës
16/06/2005 Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka prezantuar dje në zonën 25 të Durrësit, kandidatin për deputet të listës proporcionale, Artur Hasanbelliu. Mediu i ftoi zgjedhësit e kësaj zone të votojnë në listën e mazhoritarit për kandidatin e PD-së. Sipas tij, shqiptarët më tre korrik duhet të votojnë kundër monopolove të socialistëve, që po mbajnë peng vendin. Mediu tha se pjesë e këtij ndryshimi është dhe Durrësi, që në zgjedhjet e korrikut do të votojë për opozitën dhe ndryshimin që ajo sjell. Pas Sukthit, kreu republikan Mediu ka vijuar turin e tij në zonën 30, të qytetit bregdetar, për të marrë pjesë në një takim elektoral të kandidatit të PD-së, Genc Juka. “Me këtë dëshirë për demokraci e për të ecur përpara me Genc Jukën e Partinë Demokratike dhe atë Republikane e koalicionin e djathtë, kam bindjen që shumë shpejt do t'ju gjej ndryshe, me rrugë, me shkolla, me fytyra të qeshura. Votoni për PD e koalicionin e saj, votoni për familjen tuaj, votoni për ndryshimin, i cili do t’ju kthejë ju në qytetarë të nderuar të këtij qyteti e vendi plot vlera”, tha Mediu.