E Diel, 1 Nëntor 2026

Policët para përgjegjësisë për kontrollet e banesave pa mandat

16/06/2005  Disa denoncime të qytetarëve, të cilëve policia u ka ushtruar kontroll në banesa pa mandat zyrtar të Prokurorisë, kanë kryer padi duke i vënë para përgjegjësisë efektivët. Nga burime të policisë, por edhe të prokurorisë, mësohet se ka disa raste, kur personat që kanë qenë të dyshuar për vepra penale të ndryshme dhe të cilëve u është ushtruar kontroll në banesë pa mandat, kanë denoncuar punonjësit e policisë. Por në pjesën më të madhe të këtyre rasteve, oficerët e policisë kanë pretenduar se kanë marrë urdhër verbal nga Prokuroria për të kryer kontrollet e banesave që kanë qenë emergjente. Në rastet e orëve të vona të natës, pas denoncimeve që kanë marrë nga qytetarë të ndryshëm, oficerët e policisë janë vënë në lëvizje për të zbuluar agresorët. Në këto raste, ata kanë kominikuar kryesisht me telefon me zyrtarët e Prokurorisë, të cilët e kanë miratuar një kontroll në banesat e personave të denoncuar nga qytetarët. Por, pasi denoncuesi është pajtuar dhe ka tërhequr kallëzimin ndaj agresorit, ky i fundit ka paditur efektivët e policisë për veprime arbitrare. Sipas ligjit, për kryerjen e kontrollit të një banese, është e nevojshme që policia të disponojë një mandat të Prokurorisë. Por në raste emergjente, ata janë mjaftuar me një kontakt telefonik. Por, edhe kur oficerët e policisë kanë gjetur armë pa leje në banesat e të denoncuarve, ata sërish janë vënë para përgjegjësisë. Prokuroria u kërkon atyre të sqarojnë se ku e kanë marrë informacionin për armët pa leje që kanë disponuar personat, të cilëve u janë kontrolluar banesat. Të ndodhur në këto kushte, duket se edhe në raste nga më emergjentet, policia do të detyrohet të mos veprojë pa një mandat zyrtar, duke i lënë kështu hapësirë krimit, pohojnë burimet e bluve, të cilët ndihen të shqetësuar nga këto raste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›