E Hënë, 2 Nëntor 2026

Skëndo, gjyqtari Aliaj mohon bashkëpunimin

16/06/2005  TIRANË – Erjol Skëndo, 20-vjeçari që ka hyrë në një histori të gjatë akuzash të ngritura nga gjyqtari Petrit Aliaj, tashmë i shkarkuar nga detyra, u ballafaqua dje para Krimeve të Rënda. Midis familjes së vajzës të quajtur Emine Zhupa dhe gjyqtarit Petrit Aliaj, nga ana e Gjykatës së Krimeve të Rënda u bë një ballafaqim thëniesh. Aliaj nga ana e tij nuk pranonte faktin se ka bindur gjyshin e vajzës për të bërë kallëzim kundër Erjol Skëndos për akuzën e trafikimit të mbesës së tij, duke i dhënë edhe një shpërblim. Nga ana e tij, ish-gjyqtari u shpreh se nuk e njeh këtë çështje dhe në fshatin ku jeton vajza, nuk ka shkuar asnjëherë. Jo vetëm kaq, por ai ka mohuar të ketë biseduar me gjyshin dhe vajzën, me qëllim për t'i hedhur kundër Skëndos. Por gjykata është treguar e drejtë. Ballafaqimi ka ardhur i menjëhershëm. Gjyshi i vajzës i ardhur nga Saranda, në një moshë të thyer, ka pohuar para gjykatës se ka qenë pikërisht ish-gjyqtari Petrit Aliaj ai që i kërkoi të bënte kallëzim në polici kundër Skëndos. Jo vetëm kaq, por gjyshi tha se Aliaj e ka shoqëruar deri në Sarandë. Të njëjtën gjë ka deklaruar edhe vajza Emine Zhupa, e cila ka mbrojtur me forcë Erjol Skëndon. Ajo është shprehur se djali nuk i ka bërë asgjë të keqe, madje me të ka qëndruar vetëm pak orë, pasi ai e ka kthyer në shtëpi. Kërkesa për të sjellë në gjykatë ish-gjyqtarin u bë nga prokurori pas dëshmisë së vajzës Emine Zhupa, e cila deklaroi se ishte gjyqtari Petrit Aliaj ai që së bashku me gjyshin e saj, kishin planifikuar të gjithë historinë kundër Erjol Skëndos. Historia e djalit 20-vjeçar nga Saranda, tashmë është bërë objekt në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Është një histori që fillimisht u nis nga gjyqtari Petrit Aliaj, me akuzën e parë për vjedhje, për të cilën mori pafajësi dhe tashmë po përballet me akuzën e trafikimit të fëmijëve.

Alma Çuka

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›