E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndreu: Ministria e Rendit drejtohet nga trafikantë

16/06/2005  Gjithçka është kurdisur nga krimi i organizuar kundër meje

Menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Bledar Abdullai, Pjerin Ndreu dha një deklaratë me tone të ashpra kundër drejtuesve të Ministrisë së Rendit Publik, duke i quajtur ata bashkëpunëtorë me kriminelët. “Unë mendoj se drejtuesit e Ministrisë së Rendit Publik duhet të jenë më trima, mos të tremben nga mesazhet, por të gjejnë mënyra dhe forma të zbatojnë ligjin, pasi e kanë nëpërkëmbur keq dhe se një ditë do të përgjigjen për të gjithë ato shkelje dhe gjithë atë amulli që kanë krijuar tek opinioni publik, duke shërbyer drejtpërsëdrejti në klanet e krimit të organizuar. Absolutisht, Ministria e Rendit drejtohet nga trafikantë dhe kjo është një histori që në opinionin publik dihet dhe duhet të zbardhet një ditë. Ne këtu do jemi, një ditë gjërat do të dalin, unë do punoj vazhdimisht, nuk do ndalem për t’i komunikuar opinionit publik se kush janë ata që kanë ndërtuar akuzat, dhe kush janë ata që montojnë lloj-lloj historish perverse, kush janë ata që udhëheqin Ministrinë e Rendit. Është një obligim që kam për opinionin publik për të gjithë ata oficerë policie që ndihen të kërcënuar dhe për familjen time që ka mbajtur mbi supe një stres të paparë ndonjëherë në mënyrë të padrejtë. Unë kam shkruar vazhdimisht në media dhe do bëj atë që duhet, kaq janë mundësitë në këtë pozicion që jam dhe ndoshta në një pozicion të ri, unë do të nxjerr para publikut gjithçka të turpshme dhe gjithçka që kanë gatuar klanet e krimit të organizuar, duke e dezinformuar opinionin publik, nëpërmjet stisjes së emrave të ndryshëm për të mbuluar gjithë horlliqet që ata kanë bërë. Të jeni të garantuar se gjithçka që ka ndodhur në drejtim të Pjerin Ndreut, ka qenë një ambicie e klaneve të krimit të organizuar dhe kjo është e saktë”.

Mesazhet e kryekomisarit ndaj shefit të SHKB, nuk janë kërcënuese

Gjykata, pafajësi për Pjerin Ndreun

TIRANË – Gjykata e Tiranës dha dje pafajësi për Pjerin Ndreun, akuzuar nga shefi i SHKB-së, Sami Rasha, për akuzën e kërcënimit. Për gjyqtarin Bledar Abdullai, mesazhi i dërguar në celularin e Sami Rashës nuk mund të konsiderohet kërcënues. Në këtë rast, gjyqtari hodhi poshtë kërkesën e prokurorit për të dënuar me gjobë Ndreun, duke konsideruar të saktë pretendimin e avokatit mbrojtës Sajmir Visha. Prokuroria e deklaroi fajtor Pjerin Ndreun për veprën penale të përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike dhe i kërkoi gjykatës dënimin e tj me 100 mijë lekë të reja gjobë. Ndërkohë që akuza tha se mesazhet ishin kërcënuese, gjykata me vendim deklaroi se provat vërtetuan të kundërtën. Ish- komisar Pjerin Ndreu, dje në seancën për dhënien e vendimit ishte i pranishëm, ndërsa ka munguar në të gjitha seancat e tjera. Në celularin e Rashës ishte vetëm një mesazh i shkruar. "Vendin e punës nuk e ke të përjetshëm. Këtë po ta them si shok". Kjo është përmbajtja e mesazhit të dërguar në drejtim të telefonit celular të shefit të SHKB-së, Sami Rasha. Megjithëse pas ndalimit e më pas arrestimit nga policia, Ndreu u la i lirë, vepra penale për të cilën u akuzua nuk iu pushua. Kjo vepër parashikohet nga neni 275 i Kodit Penal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›