Ish-shikasit: Kumbaro na urdhëroi për Remzi Hoxhën
TIRANE - Ilir Kumbaro, ish-shikasi i arrestuar pak ditë më parë në Londër, u lakua disa herë prej dy ish-vartësve të tij dje në seancën e gjyqësore për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Dy ish-oficerë të SHIK-ut, Qerim Cako dhe Arjan Hysenolli, punonjës në periudhën kur ndodhi rrëmbimi dhe zhdukja e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, dëshmuan dje para togave të zeza të Krimeve të Rënda. Sipas dëshmisë së dhënë prej Cakos, ai ishte urdhëruar prej shefit të tij (Ilir Kumbaros) të kryente një kontroll në makinën e Remzi Hoxhës. “Po zbrisja nga zyra kur vura re se në oborr hyri një makinë e drejtorisë. Kur dola mu afrua shoferi R. Dedej. Ai më tha se i kishte thënë shefi(Ilir Kumbaro) që do të bëjmë një verifikim makine”, ka treguar ai në sallën e gjyqit të Gjykatës për Krimet e Rënda. Sipas dëshmisë së tij ata kanë shkuar dhe e kanë gjetur makinën pranë një ndërtese tek “Frigoriferi”. Aty ata kanë gjetur vetëm rojën e objektit. Sipas ish-SHIK-sit, në kohën që ai po fliste me rojën, shoferi ka shkuar tek automjeti, ka hapur derën dhe ka marrë diçka në kruskotin e saj. “Në dorë kishte një stekë cigare, një tjetër që ishte përgjysmë dhe një objekt që dukej si portofol”, ka treguar Cako. Më pas ata kanë udhëtuar drejt Kamzës. Atje çdo gjë që kanë gjetur në automjetin e biznesmenit ia kanë dorëzuar dy eprorëve të tyre, një ndër të cilët Ilir Kumbaro. Gjithashtu në seancën e djeshme dy dëshmitarët kanë treguar edhe episodin e tentativës për arratisje të Avdul Loshajt nga zyrat e SHIK-ut. Ata ishin urdhëruar nga Kumbaro të mbanin nën vëzhgim Loshajn, pak përpara se ky i fundit të hidhej nga dritarja e tualetit të katit të tretë të godinës së SHIK, hedhje ku theu këmbën. Në seancën e djeshme, gjykata bëri të ditur se ende është në pritje të një konfirmimi zyrtar për arrestimin në Londër të Ilir Kumbaros, një prej të akuzuarve të çështjes. Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe, ish-drejtues të lartë të SHIK, akuzohen nga prokuroria për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si edhe për rrëmbimin dhe torturimin e Zizo Kristopulit dhe Avdul Loshajt. Sipas kërkesës për gjykim të Prokurorisë për Krimet e Rënda, ish-drejtuesit e SHIK-ut në bashkëpunim me njëri-tjetrin në tetor të vitit 1995 kanë rrëmbyer Hoxhën, Kristopulin dhe Loshajn dhe i kanë torturuar më pas në një bazë sekrete të SHIK në Vain të Lezhës. ar.ba