Oficerët e trafikut, 18 vjet burg
TIRANE - Gjykata e Apelit ka dhënë dje vendimin për dënimin e ish-ushtarakëve të arrestuar nga operacioni “Ciklon 1”, me akuzën e trafikut të armëve. Në seancën e fundit gjyqësore për këtë çështje, pasi ka shqyrtuar gjithçka që i është paraqitur prej palëve në gjyq, gjykata ka dënuar Mehdi Hasanin me 6 vjet burg, Arif Matën e Gramoz Bendon me nga 5 vjet e 6 muaj burg, dënim i njëjtë me atë të Shkallës së Parë dhe Pajtim Lamajn e Nasi Strorin me nga 3 vjet e 4 muaj heqje lirie. Gjykata vendosi dënimin me kusht të Strorit për një afat 5-vjeçar. Ish-ushtarakët e dënuar dje u kapën një vit më parë, duke transportuar me qëllim trafikimi 100 mijë fishekë pistolete. Sipas prokurorisë, fishekët e bllokuar ishin marrë nga ish-ushtarakët në repartin e Mbreshtanit në Berat dhe do të shkëmbeheshin me pistoleta në qytetin e Durrësit.