Ish-shkolla...
VITI I RI ARSIMOR
Edhe sot, në vitin 2008, për të tetëmbëdhjetën herë mbas vitit 1990, viti shkollor për të gjitha hallkat e sistemit tonë arsimor - nga ai parashkollor deri në nivel universitar, fillon përsëri me andralla e probleme. 18 vjet rresht dhe ne përsëri jemi gojëhapur, në pritje të çudisë së radhës.
Çfarë do dëgjojmë këtë vit? Nëse në fillimet e viteve 1990 mund të flitej për një shkollë tipike lindore shqiptare dhe si rrjedhojë të ngrihej problemi i ndryshimit të saj, i zhvillimit progresiv në përputhje me modelet më të mira, sot, asgjë nuk mund të justifikojë më këto ndryshime sa befasuese aq afatshkurtra - eksperimente egoiste të njërit apo tjetrit në kurriz të arsimimit e edukimit të fëmijëve tanë.
Kalohet në sistemin 9-vjeçar, pra rritet numri i nxënësve në shkollat ekzistuese tetëvjeçare dhe nuk ndërtohet asnjë shkollë e re, kur dihej që në këto shkolla, edhe kur kishte më pak nxënës, mësimi bëhej zakonisht me nga dy dhe herë pas here dhe në shumë prej tyre, edhe me tre turne. Problemi u kalua nga një nivel në një tjetër, por nuk u zgjidh. Përsëri kemi mbipopullim në klasa dhe mësim pasdite. Tirana e hapur për këdo që ka dëshirë të jetojë në kryeqytet, ka pothuaj po aq kopshte sa edhe në vitet ’90.
Por, në Drejtorinë Rajonale të Tiranës duken se kanë një vizion tepër largpamës, të paktën kur flitet për kopshtet. Sipas një prononcimi të bërë në media këto ditë, po citoj: sigurisht që ditët e para në kopësht do të jenë të vështira, por problemi do të zgjidhet shumë shpejt. Vjen dimri, vijnë virozat, kalamajtë sëmuren (!), ju e dini!!! Dhe ja ku ndodhi çudia tjetër. Në kopësht nuk do të ketë më aq shumë kalamaj. Ata të Drejtorisë Arsimore shpëtuan. Edhe filozofia e strucit nuk është në gjendje të japi një zgjidhje kaq origjinale!
A mund të flasi njeri në këtë mënyrë? A mund të bëhen llogari të tilla? Vendet më të përshtatshme për të krijuar vlera të vërteta për fëmijët tanë janë shkolla, shkolla dhe përsëri shkolla. Shkolla të hapura dhe mikpritëse për të gjithë. Problemi ynë më i madh është se si t’i çojmë të gjithë fëmijët në shkollë dhe pastaj se si t’i mbajmë të gjithë atje. Dikur trokisnin mësuesit nëpër shtëpira në përpjekje për të zhdukur analfabetizmin. Sot janë prindër e fëmijë që trokasin në dyert e shkollës. Por çfarë gjejnë? Paqëndrueshmëri, paqartësi e mungesë profesionalizmi.
A ka njeri nostalgji për shkollën e mësuesit e tij? Nëse po, a do ta kenë këtë fat edhe fëmijët e viteve ‘90 apo ‘00? Është absurde të dalësh e të urosh vit të mbarë kur përsëri e përsëri shkojmë sa në një drejtim në tjetrin, pa një strategji afatgjatë, pa dëshirën për të punuar për sistemin arsimor shqiptar, sikur ju ka rënë rruga rastësisht andej nga rruga e Durrësit dhe s’kam çfarë bëj, po punoj ca kohë në Ministrinë e Arsimit. Problemet janë të dukshme, të prekshme e që nuk mund të shmangen nga e përditshmja jonë. Do shtoja se përveç faktorëve ekonomikë e politikë, duket se po ndikojnë edhe faktorë kulturorë e socialë, që të mbartura vit mbas viti, na katandisën këtu ku jemi sot.
Një vit shkollor është një proces. Por një proces i tillë nuk ka luksin të arshivohet në ndonjë muze a të paraqitet para ndonjë auditori të zgjedhur, nuk është i padukshëm apo pa rezultate të qarta. Është një proces nga dalin qytetarët e ardhshëm të këtij vendi, me apo pa parime, me apo pa shpresa e dëshira. Sinjalet e zhvillimit të këtij procesi merren përditë. Por duhet të kesh vesh e t’i dëgjosh. Ne dimë të dëgjojmë vetëm krisma armësh.