LSI, ose të mos shohësh pyllin
Ka një shprehje në anglisht që thotë, "Can't see the forest for the trees". "Të mos shohësh dot pyllin ngaqë përqendrohesh tek pemët" është në vetvete një këshillë.
Ndonjëherë përqendrohemi tek detajet e vogla, ato më pak të rëndësishmet dhe nuk arrijmë të shohim të tërën, atë që është me të vërtetë domethënëse.
Në të njëjtën mënyrë, rrekja e LSI-së për të përvetësuar protestën masive të qytetarëve mbrëmjen e së premtes, megjithëse plotësisht banale, nuk është, e as nuk duhet të bëhen çështja kryesore e ditës. Ky nuk ishte një grumbullim partiçkash, ndaj nuk mund të trajtohet si i tillë.
Ajo që më bëri më shumë përshtypje në protestën e së premtes ishte numri i madh i qytetarëve që dolën në rrugë. Ishin dhjetëra-mijëra frymë që pa slogane e pa ulërima rrugëtuan qetësisht nga Sheshi “Skënderbej” deri tek zyra e Kryeministrit që përgjonte protestën nga brenda, me grilat ulur dhe me dritat fikur.
As Partia Socialiste, as LSI, as “G99” e të gjithë pjesëmarrësit dhe organizatorët e tjerë të kësaj proteste nuk do të mund ta mbushnin Bulevardin fund e krye me përkrahësit e tyre në të tillë numra. Në opinionin tim modest, më tepër se përkrahje për opozitën, apo solidarizim me ndonjërën nga partitë pjesëmarrëse, kjo e së premtes ishte një protestë qytetare që i komunikonte pakënaqësi qeverisë “Berisha”.
Kryeministri jo më kot shpenzoi pjesën më të madhe të së shtunës duke komentuar me humor kinez protestën e së premtes. Kur sforcohej gjithë ditën e Perëndisë të bëjë shaka banale, duke e krahasuar protestën qytetare me revolucionin kulturor të vitit 1967, Berisha shfaqej më i kompleksuar se kurrë.
Ministri i parë harroi për ca orë fantazitë e tij të zakonshme të "bumit ekonomik" dhe "rritjes dyshifrore". Dukej qartazi se numri i madh i protestuesve që u mblodhën nën zyrën e tij pasditen e së premtes e kishte shqetësuar kapo-ministrin.
Të tillë numra ai s'i ka mbledhur dot në shesh as në ditën e tij më të mirë. Dhe si politikan populist, ua di kuptimin. Kjo protestë i drejtohej atij dhe qeverisë së tij teveqele, dhe me gjithë fiaskot e banderolave të kuqe të LSI-së, them se mesazhi u përcoll.
Qytetarët nuk janë të interesuar më gjatë të mbështesin X parti apo Y lëvizje. Jemi të lodhur nga dogmat, nga spotet, nga premtimet e pambajtura. Jemi të lodhur nga politikanët qesharakë, aq të lodhur sa, as për të qeshur nuk na bëjnë dot më. Shqiptarët janë sot më të pjekur dhe më pragmatikë, më pak delirantë dhe me të drejtë më tepër skeptikë.
Askush nuk është më i interesuar të ulërijë slogane partiake rrugëve apo të ushqehet me dogma dhe me shpifje, pasi asnjëra nga këto nuk përkthehet në mirëqenie e progres. Militantizmi injorant, e kemi kuptuar, nuk siguron as punë e as ardhmëri. Qytetarët duan qeverisje të aftë, duan drejtësi, siguri…
Të debatosh "E majta" apo "E djathta" nuk sjell barna në spitalet, që janë për të vënë kujën, ashtu sikur të valëvitësh flamujt e partive nuk vë bukë në tavolinë e nuk përmirëson të ardhmen e fëmijëve.
Qytetarët janë të shqetësuar nga vdekjet misterioze, nga qeverisja e paaftë, drejtësia e munguar, institucionet e kontrolluara, nga korrupsioni jashtë çdo kontrolli, nga varfëria, nga misrat pa kokrra…
Prandaj, manifestimi madhështor i së premtes, nuk duhet lexuar si përkrahje politike për ndonjërën nga partitë që morën pjesë, por si pjekuri qytetare, që nga politika kërkon qytetari.