E Diel, 1 Nëntor 2026

"Trupi i Trebickës nuk ishte pranë makinës"

Dëshmia e personave që kanë qenë në makinën me targa të Vlorës dhe kanë pikasur të parët makinën e biznesmenit

VLORË- Zbulimi i makinës me targa të Vlorës që ka kaluar pranë vendit ku ka ndodhur ngjarja e Kosta Trebickës ka shtuar edhe më shumë misterin e vrasjes apo aksidentit të tij. Hetimet kanë zbuluar se në këtë makinë ndodheshin disa të moshuar, të cilët po shkonin për në zonën e Lekasit. Ata kanë kaluar përpara vendit ku ka ndodhur ngjarja rreth 45 minuta përpara se të zbulohej trupi i pa jetë dhe aksidenti. Por asnjë prej tyre nuk ka mundur që të shohë trupin e viktimës. Kjo edhe për faktin që ata kanë kaluar nga një rrugë dytësore dhe kanë mundur të shohin vetëm makinën, për të cilën kanë menduar se ishte e parkuar dhe jo e aksidentuar. Dëshmitë e dhëna nga personat që ndodheshin në makinë vendosin orën e aksidentit të paktën 45 minuta përpara orës kur personat e parë kanë gjetur trupin e pa jetë të Kosta Trebickës. Djali i njërit prej personave që ndodheshin në makinë ka rrëfyer dje për “Shekullin” gjithçka që i ka thënë i ati.

Zhdukja e një dëshmitari kaq të rëndësishëm si Kosta Trebicka ka bërë që shumë persona të kenë frikë që të tregojnë emrin kur flasin për këtë çështje. Kështu edhe personat që ndodheshin në makinën me targa të Vlorës kanë kërkuar që emri i tyre të mos ekspozohet por vetëm kanë pohuar se janë nga familja Azisllari. Sipas dëshmisë së dhënë nga djali i të moshuarit 75- vjeçar, në atë makinë ndodheshin vetëm familjarë. “Në të kishte familjarë, të cilët udhëtonin për në zonën e Lekasit. Brenda në makinën fuoristradë kanë qenë katër të moshuar, të cilët shkonin në fshatin Xerie tek i vëllai i tyre. Në makinë kanë qenë motra dhe dy vëllezër dhe gruaja e njërit prej tyre, të gjithë të moshave 68 deri në 75 vjeç. Ata shoqëroheshin nga një nga nipërit dhe ishin mbledhur të gjithë për të shkuar tek vëllai tjetër, bletërritës që jetonte në Xerie”,- fillon dëshminë e tij djali i 75- vjetarit Azisllari. Ai tregon se të moshuarit kishin kohë pa u takuar me njëri- tjetrin dhe mesditën e 12 shtatorit kishin vendosur që të shkonin tek vëllai. Babai i tij 75 vjeç që jeton në Vlorë, kishte shkuar te vëllezërit në Tiranë dhe të gjithë bashkë ishin mbledhur në një makinë.

Sipas dëshmisë së djalit, ata kanë kaluar shumë qetësisht në rrugën pothuajse të braktisur por nuk kanë vënë re asgjë të dyshimtë. Mësohet se familjarët kanë kaluar shumë pranë vendit të ngjarjes ku kanë parë makinën, por jo trupin e viktimës. “Babai më tha se kishin parë një makinë të kuqe të parkuar buzë rrugës. Ata nuk kishin menduar se ajo ishte e aksidentuar apo ndonjë gjë tjetër. Zona, ku rruga në formë kthese është në një pozicion më ulët se vendi ku ka ndodhur ngjarja nuk ka lejuar familjarët që të shikonin skenën”,- tregon ai. Por edhe makina nuk u ka tërhequr kushedi vëmendjen familjarëve, pasi ata kishin kohë pa u mbledhur bashkë dhe kanë përfituar që rrugës të fjaloseshin me njëri tjetrin. Ata kanë qenë të shkujdesur, thjesht kanë parë që aty ka pasur një makinë dhe pa menduar më gjatë se mund të ndodhej edhe një trup i pa jetë pranë saj. Po kështu mosha e madhe e personave, nuk ka lejuar për ndonjë shikim më të vëmendshëm. Të moshuarit nuk mbajnë mend as që të kenë parë ndonjë qen që të kalojë aty pranë. Ata mohojnë që të kenë fiksuar qenin e Kosta Trebickës buzë rrugës ose pranë makinës. Vijimi i rrugës ka qenë qetësisht për tërë familjarët. Por kur kanë shkuar në fshatin e tyre, ata kanë mësuar gjithçka dhe janë habitur. Madje ata kanë marrë kontakt edhe me nënkryetarin e komunës që ishte njeriu i tyre dhe pasi janë këshilluar kanë vendosur që të shkojnë në policinë e Korçës për të treguar atë që dinin dhe kishin parë mesditën e 12 shtatorit.

Familja Azisllari u paraqit vetë tek uniformat blu dhe tregoi çfarë kishte parë në vendin e ngjarjes

Dëshmia në polici dhe eksperimenti në vendngjarje

VLORË- Disa orë pas ngjarjes të gjithë personat që ndodheshin në makinë kanë shkuar në komisariatin e policisë dhe kanë kërkuar që të japin dëshmitë e tyre për ngjarjen. Ata janë pritur nga hetuesit, të cilët nuk janë bindur shumë nga varianti i paraqitur prej tyre. Ata tregojnë se policia i ka pyetur fillimisht nëse kanë parë apo jo trupin e biznesmenit Kosta Trebicka. Kur policia është bindur se ata nuk kanë parë trupin ka nisur që t’i pyesë sërish dhe këtë herë në lidhje me çfarë kanë vërejtur gjatë udhëtimit të tyre me makinë apo se çfarë u ka bërë përshtypje nga mjeti. Edhe në këtë rast ata kanë treguar se kanë parë në ikje e sipër makinën e kuqe, por ata nuk kanë ditur të shpjegojnë më tepër, pasi pozicioni i rrugës,vendndodhja e rrugës tjetër ku ka ndodhur ngjarja nuk i ka lejuar të shohin më shumë. Kjo pasi vendi është paksa më lart, ku ndodhej mjeti i Trebickës. Ata kanë shpjeguar se kanë përdorur një rrugë tjetër, edhe më të keqe se e para por ajo shfrytëzohej shpesh për t’i rënë shkurt. Pas kësaj, familjarët janë shoqëruar nga uniformat blu sërish drejt vendngjarjes. Në këtë pikë është bërë një eksperiment i vogël duke vendosur makinën në rrugën ku pretendohet se ka kaluar ajo dhe në këtë rast është konfirmuar se ata nuk mund të shikonin pjesën ku u gjend trupi i pa jetë i Kosta Trebickës. Dëshmia

Makinën e Vlorës e pamë 1 km nga vendngjarja

Makina me targa të Vlorës me të cilën udhëtonte familja Azisllari është përmendur edhe në disa raste të tjera nga dëshmitarë të ndryshëm. Një prej tyre ishte File Shainasi, i cili po kthehej nga një ceremoni mortore, kur ka parë trupin e Kosta Trebickës në mes të rrugës dhe një makinë me targa të Korçës, që sapo ndalonte pranë vendit të ngjarjes. “Ndaluam në rrugë, sepse aty pamë një makinë “Benz” me targa KO, prej së cilit kishin zbritur katër veta që po mundoheshin t’i jepnin ndihmë viktimës që gjendej në mes të rrugës. Kur kam mbërritur unë, trupi ishte i shtrirë dhe lëvizte kokën. Jam i bindur se ishte ende gjallë. Me bëri përshtypje fakti që arma ka qenë tek këmbët dhe kjo bëri që ne të mos guxonim ta preknim, sepse menduam se o është vrarë, o është vetëvrarë. Çiftja ishte tek këmbët, kishte dy çanta brezi me vete, një shapkë dhe një mushama makine, që ndodheshin afër trupit. Makina ishte më poshtë, e ndezur dhe askush nuk u afrua, sepse të gjithë ne mendonim se ishte i vrarë, por edhe makina nuk dukej shumë e goditur. Në këtë rrugë kanë kaluar disa makina, por unë nuk e di nëse ishin makina të mortit apo jo. Rrugës kemi takuar një makinë me targa të Vlorës, rreth një kilometër larg vendit të ngjarjes. Kam dëgjuar që në atë zonë, ka qarkulluar një makinë me targa tëhuaj”,- ka treguar në dëshminë e tij File Shainasi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›