Vendimet që urdhërojnë mbylljen e gazetës TemA
TIRANË- Nëse guxon të prekësh kryeministrin e Shqipërisë duket se i ke ditët e numëruar. Të paktën këtë të thotë, botuesi i gazetës “Tema”, Mero Baze. Që kur ka nisur botimet ndaj aferave të bërë nga familjarë të kryeministrit apo edhe ministrave të afërt me të, botuesi është përballur me urdhra që jo vetëm cenojnë biznesin e tij por rrezikojnë botimin e një gazete të përditshme. Urdhri më i fundit i Ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, duket se synon pikërisht këtë gjë. Botuesit Mero Baze dhe gazetës “TemA” i është kërkuar që të dalë nga shtypshkronja pa asnjë shkak. Edhe pse ai ka një kontratë për 20 vjet dhe ka bërë investime të shumta, qeveria i ka kërkuar të braktisë çdo gjë dhe të ikë.
Gjithçka është konform ligjit. Kontrata me koncesion e lidhur me Ministrinë e Ekonomisë dhe një plan biznesi ambicioz investimi duhet të kishin garantuar ecurinë e një biznesi të paktën për 20 vjet. Por ndodh e kundërta. Pa kaluar as edhe një vit nga nënshkrimi i kontratës, shoqëria “Mediasoft”, që boton edhe gazetën “TemA” është e detyruar të falimentojë. Vendimet e nxjerra nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Ekonomisë duket se garantojnë jo vetëm prishjen e njëanshme kontratës por edhe bllokimin e një të përditshmeje shqiptare. Gjithçka duket se ka filluar menjëherë pasi në faqet e gazetës “TemA” janë pasqyruar informacione që kanë të bëjnë me aferat ku janë të përfshirë fëmijët e kryeministrit dhe ministrave afër tyre. Vetë botuesi i gazetës, Mero Baze, shpjegon se gjithçka është një koperturë dhe se gjithçka është një sulm personal ndaj tij, i urdhëruar nga kryeministri Berisha. Kështu kontrata e lidhur në korrik të vitit 2007 ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe shoqërinë “Mediasoft” duket se ka pasur fuqi ligjore vetëm gjashtë muaj.
Kompania që boton gazetën “TemA” ka fituar me ankand për 20 vite të drejtën për të investuar në një sipërfaqe 647 metra katrorë, në një aneks të ish-Tipografisë Ushtarake. Brenda një viti ajo ka investuar mbi 200 mijë euro në punime dhe rikonstruksion të gërmadhave që ishin aty dhe mbi 400 mijë euro makineri shtypshkrimi. Në tetor të vitit 2008 Ministria e Brendshme kërkon prishjen e kontratës me argumentimin se në ish-ambientet e Tipografisë Ushtarake ka përfunduar Qendra Kombëtare e Prodhimit të Kartave të Identitetit. Në shkresën e ministrit Nishani, është kërkuar vetëm largimi ikompanisë “Mediasoft”.Në asnjë prej shkresave nuk përmendet as edhe një fjalë për tre shoqëri të tjera që ushtrojnë aktivitetin e tyre në të njëjtin vend me Qendrën Kombëtare të Kartave të Identitetit. Kështu në mjediset e Tipografisë Ushtarake gjenden aktualisht katër biznese. Së pari, Tipografia e mbetur Ushtarake, Ndërmarrja e Letrave me Vlerë, kompania “Sagem” që ka fituar tenderin e kartave të identitetit dhe kompania që boton gazetën “TemA”. Kompania që boton gazetën “TemA” ka qenë e para që ka fituar një ankand për të shkuar aty. Të tjerat kanë ardhur një vit më pas.
Justifikimi për prishjen e kontratës
TIRANË- Argumenti ligjor i përdorur për prishjen e kontratës me kompaninë “Mediasoft” është se paraqet rrezik kombëtar, kurse tri të tjerat jo, edhe pse të gjitha janë kompani biznesi. Të paktën këtë lë të kuptojë shkresa e Ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, e firmosur më 16 dhjetor të vitit 2008. Urdhri i ministrit Nishani, kërkon largimin e shoqërisë nga ambientet e Tipografisë Ushtarake, duke e argumentuar me faktin se aty do të prodhohen kartat e identitetit, dhe gazeta “TemA” cenon sigurinë e tyre. Por Baze thotë se vendi për kartat e identitetit nuk ka asnjë lidhje, as fizike, as afërsie me vendin ku ndodhet gazeta. “Duke mos gjetur asnjë pikë të shkelur të kontratës, kryeministri Berisha ka shpikur çështjen e sigurisë kombëtare. Por dhe një gjë e tillë nuk qëndron, për shkak se rrëzohet nga një vendim qeverie, që është marrë në nëntor dhe që lejon të vendosë në këto mjedise dhe një shtypshkronjë tjetër, atë të letrave me vlerë. Kjo tregon se nuk ka rrezik të ketë dhe operatorë të tjerë”.
Botuesi dhe gazetari rrëfen konfliktin ndërmjet qeverisë shqiptare dhe rrezikun e mos botimit të gazetës “Tema”
Baze: Po sulmohem personalisht nga Berisha
Shtypshkronja ushtarake duket thjesht një shkak për të mbyllur një media opozitare. Arsyetimi i qeverisë nuk bind askënd, e aq më pak vetë botuesin e gazetës “Tema”, Mero Baze. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Mero Baze rrëfen motivet e vërteta të konfliktit me qeverinë shqiptare. Sipas tij, gjithçka është e urdhëruar nga Kryeministri Sali Berisha dhe më shumë se sa një sulm personal ndaj tij është një sulm ndaj medias së lirë.
Z. Baze prej disa ditësh jeni përballë faktit të prishjes së një kontrate të lidhur mes jush dhe Ministrisë së Ekonomisë. Ju e keni pasqyruar këtë si një sulm të qeverisë ndaj jush dhe medias së lirë. Së pari, si e keni fituar ju këtë kontratë në ambientet e së cilës është vendosur gazeta “TemA”?
Kontrata është fituar me ankand në korrik të vitit 2007. Ish-tipografia ushtarake, një ndërmarrje në degradim, i kishte ofruar Ministrisë së Ekonomisë një sipërfaqe prej 647 metra katror për ta nxjerrë në ankand në bazë të vendimit nr 162 të Këshillit të Ministrave, i cili autorizon kompanitë të marrin në përdorim kundrejt qerasë një sipërfaqe të caktuar kundrejt një plani investimesh. Ndryshe kjo kontratë quhet afiteozë. Sipas planit të investimeve me të cilin ne konkurruam ne duhet të investonim aty 480 mijë euro brenda 20 viteve. Këto investime janë në makineri dhe mjedise. Pasi fituam ankandin në korrik të 2007 u prit dy muaj për ndonjë ankimim dhe në Tetor të vitit 2007 kemi lidhur kontratën me Ministrinë e Ekonomisë për 20 vjet kundrejt këtij plani investimesh. Theksoj se investimet janë të detyrueshme nga kontrata dhe nëse ato nuk realizoheshin kontrata mund të prishej.
Deri më tani keni zbatuar këtë plan biznesi falë të cilit fituat ankandin?
Fill pas nënshkrimit të kontratës kemi nisur punën. Investimi më i madh është një makineri “Solna 25”, makinë shtypi me pesë seksione, që prodhon një gazetë 32 faqe me ngjyra me një kapacitet 25 mijë kopje në orë. Plus kësaj, kemi një makinë tjetër rrotative Neës King – Solna, e cila po ashtu ka një kapacitet prej 15 mijë kopje në orë, për një gazetë 24 faqe me ngjyra. Ne morëm një kapanon të shkatërruar thuajse pa çati, pa xhama, pa suvatuar, pa dysheme stabël dhe një pjesë tjetër zyrash gati në formë qelie 3/2 që quheshin reparti sekret i ish-Tipografisë. Investimet janë kryer për 15 muaj, duke na futur në detyrime të mëdha financiare ndaj të tretëve. Ndërprerja e kësaj kontrate në mënyrë të njëanshme është një kolaps i vërtetë financiar për gazetën dhe një dëm i pallogaritshëm për tregun e kompanisë, pasi përveç gazetës TemA, aty shtypen dhe të përditshme të tjera të shtypit shqiptar, të cilat do të largohen pas bllokimit me policë të kësaj shtypshkronje.
Prishjen e kësaj kontrate ju e keni konsideruar si një hakmarrje të kryeministrit. Kur ka nisur ky konflikt mes jush dhe cili është qëllimi i tyre?
Sulmet nga kryeministri kanë nisur thuajse në të njëjtën kohë që ne kemi nënshkruar kontratën. Ato ishin të lidhura me atë që ai e quante hetim timin për djalin e tij. Berisha dyshonte se unë po e hetoja biznesin e djalit në Gërdec dhe për këtë filloi një farë lufte të ftohtë. Më pas kur New York Times filloi të hetojë dhe unë pata një kontakt me redaktorin e tyre, ai filloi të përhapë thashetheme qesharake se “së bashku me ca të tjerë” po punoja kundër pranimit të Shqipërisë në NATO?!. Nga ana tjetër, ishte vetë ai që i dërgonte letra sqaruese Neë York Times ku i thoshte se djali i tij nuk ishte i përzier në spostimin nga biznesi të Kosta Trebickës. Pra ishte një baba i ndërgjegjshëm për atë që po bënte i biri dhe përpiqej ta mbulonte duke sulmuar shtypin. Sulmi i tij publik shpërtheu në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, kur ne kërkuam të shikohen me seriozitet shkeljet procedurale dhe ligjore që kanë shoqëruar jo vetëm tenderimin por dhe procedurën e kryerjes së punimeve në segmentin Rrëshen -Kalimash. Ai segment po shkon 20 milionë euro kilometri, ndërkohë që segmentet e njëjtë me të menjëherë pasi mbaron ai segment, po bëhen me 3 deri 4 milionë euro kilometri. Dhe janë në të njëjtin terren, me të njëjtën vështirësi dhe me të njëjtën cilësi pune. Pas kësaj ai shpërtheu fillimisht në një mbledhje grupi parlamentar pastaj në publik. Më vonë gjithçka ishte më e lehtë dhe të dy palët ishin të lira të thoshin ato që mendonin. Ne i bëmë të njohur publikut shqiptar anën e errët të familjes Berisha, atë të lidhjeve të tij me sekserin serbo boshnjak Damir Fazllic, i cili sot është nën hetim. Natyrisht dhe për këtë po paguajmë një çmim.
Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me qeverinë gjatë kësaj kohe?
Unë jam mësuar ta kem keq me qeveritë, por asnjë qeveri socialiste, dhe asnjë kryeministër i tyre nuk ka bërë betejë personale kundër meje. Kanë sulmuar gazetën, më kanë izoluar financiarisht duke bllokuar reklama apo kanë hequr ndonjë të afërm nga puna. Deri këtu kanë shkuar. Ky ka shkuar shumë larg. Ka shkuar në mendje të më prish shtëpinë e prindërve dhe më pas shtëpinë e motrës me fadroma, një hakmarrje e verbër që mund ta bëjë vetëm një njeri i verbuar nga urrejtja. Kanë terrorizuar prindërit e mi duke shkuar aty njerëz që paraqiteshin si inspektorë ndërtimi dhe fotografonin shtëpinë duke i kërkuar letrat e shtëpisë, projektin apo lejen e ndërtimit. Kanë futur në makth familjen time dhe këtë nuk ua fal kurrë. Këtë e bën ai njeri që bën sikur xhindoset kur i përmendin djalin apo vajzën, ndërsa vetë shkon merret me dy pleq të vetmuar duke u shpënë fadromat. Kanë sjellë kontrolle dhe kanë vënë gjoba, kanë përdorur gjithkënd që mund të përdorin nga ushtarët e tyre në administratë që kanë kohën të tregohen të zellshëm dhe të fitojnë besimin e tij. Akti i fundit është ky që po përjetojmë tani, i cili është në një farë mënyre asgjësim financiar i kompanisë.
Sulmet duket janë të lidhura me gazetën “Tema”. Si do të mbijetoni?
Ne nuk mund të dalim dot nga ato mjedise. Jemi të dënuar të rrimë aty. Ai ka urdhëruar të rrethojë shtypshkronjën me policë të rendit dhe ne e presim atë ditë. Thjesht do të marrim kompjuterët dhe të punojmë para policëve që mbajnë të bllokuar derën. Nuk ekziston asnjë arsye nga ato që ai thotë në shkresën që ka motivuar prishjen e kontratës. Ne nuk kemi asnjë lidhje fizike dhe mjedisore me vendin ku kompania “Sagem” do të vendosë serverin e kartave të identitetit. Përkundrazi, ajo është në anë të rrugës kryesore, kurse ne jemi në anën tjetër rreth një km larg, dhe mes nesh dhe asaj janë dy shtypshkronja të futura aty me vendim qeverie këto dy muaj.
Po biznesi a është i kërcënuar nga vendime të tilla, ku një ditë nënshkruajnë një kontratë dhe pas një kohe mjafton një urdhër për ta prishur atë?
Mendoj se nëse heqim koperturën politike është dhe më i rrezikshëm si sulm. Mendoni se çfarë garancish i jep biznesit kjo qeveri, që e detyron të investojë brenda një viti gjysmë milionë euro dhe pastaj ia rrethon investimin me policë dhe e nxjerr në rrugë. Mendoni se çfarë pasigurie ndjen një biznesmen në këtë vend, nëse nuk ka avokate vajzën e kryeministrit apo sekser djalin e tij apo Damir Fazllicin. Thjesht je i vdekur. Nxjerr në rrugë një biznes duke e arsyetuar me sigurinë kombëtare dhe fut në Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar një serbo boshnjak me lidhjet më të errëta në Ballkan, njeri i familjes së shefit të shërbimit sekret serb, dhe i përndjekur në çdo shtet të Ballkanit ku shkel.
Z. Baze një pjesë e deputetëve apo edhe ministrave dihet që janë miqtë tuaj. A e gëzoni sot mbështetjen e tyre në këtë çështje?
Mjerisht jo. Thuajse askush, përveç dy tri vetëve, nuk ka marrë në telefon qoftë dhe njerëzisht. Ekziston një klimë terrori mbi ta dhe as në rrugë nuk guxojnë të kthejnë kokën. Thjesht janë duke bërë llogaritë e tyre politike dhe një qëndrim njerëzor, iu prish punë. U prish punë, pasi standardi që ka vendosur për ta kryeministri është çnjerëzor. Ata përsërisin në një farë mënyre historitë banale të grupeve armiqësore në Shqipëri, kur në Plenumin e Katërt ngriheshin e demaskonin shokët dhe në të pestin shkonin vetë brenda. Por mes tyre shquan për nga ligësia, paturpësia dhe mungesa e moralit e Ministrit Genc Ruli. Nuk dua të flas për anën njerëzore, por ai ka bërë me vetëdije shkelje ligjore, dhe i ka dhënë fund profesionit të tij si ekonomist pasi ka ndërprerë në mënyrë të njëanshme një kontratë biznesi vetëm për t’iu servilosur Sali Berishës. Kjo më bind se ai nuk është njeri i lirë, nuk është ai ministri i dy viteve më parë, që e kundërshtoi atë të prish kontrata të tilla të ngjashme si ajo e shtypshkronjës “Mihal Duri”. Ruli në vitin e tretë të mandatit duket se është më pak i lirë të marrë vendime vetë. Thashë nuk dua të kap anën njerëzore, pasi fëmijët e mi, tani mund të ishin jetimë për shkak të detyrimit tim qytetar për të mbrojtur votat e tij. Tani ata natyrisht do të jenë më të varfër, por do të rriten më të lirë se sa ai dhe fëmijët e tij.