Kuvendi miraton ligjin pa opozitën
TIRANË- “Hapen” dosjet e të gjithë zyrtarëve, nga Presidenti i Republikës, deputetët, prokurorët, gjyqtarët dhe deri tek drejtorët e gjimnazeve. Pavarësisht kërkesës së ndërkombëtarëve, mazhoranca ka miratuar dje pa praninë e opozitës, me 74 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim, ligjin “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve”,duke i dhënë fund kështu një debati mjaft të gjatë mbi dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.
Diskutimi
Kërkesat që kanë bërë gjatë seancës së djeshme plenare përfaqësuesit e grupeve parlamentare të opozitës për tërheqjen e draftit të “spiunëve”, nuk kanë bindur shumicën e djathtë, e cila pas fjalës që ka mbajtur Kryeministri Berisha, ka vijuar procedurat e votimit nëpër tre fazat, në parim, nen për nen dhe në tërësi. Kuvendi ka miratuar ndryshimin e draftit bazë në nenin 3 të tij, sipas propozimit të deputetëve anëtarë të Komisionit Parlamentar të Medias, me anë të së cilit në subjektet e verifikimit shtohen edhe postet e drejtorit të Përgjithshëm, nëndrejtori përgjithshëm, drejtori dhe nëndrejtori i Radios, drejtori dhe nëndrejtori i Televizionit dhe drejtorët e departamenteve në Radiotelevizionin Publik Shqiptar, do t’i nënshtrohen verifikimit të figurës së tyre. Gjithashtu, po në këtë pikë janë shtuar postet e drejtorit, nëndrejtorit dhe drejtorët e departamenteve në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, si dhe anëtarët e këshillave drejtuese të mediave publike. Gjithashtu, është miratuar edhe ndryshimi i nenit 4,
sipas të cilit, në funksionet e papajtueshme përfshihen edhe të gjithë ata individë që gjatë sistemit komunist kanë qenë anëtarë të Presidiumit Popullor, apo edhe krerët e degëve të punëve të brendshme nëpër rrethe. Një tjetër ndryshim i miratuar ishte edha ai në nenin 21, ku u sanksionua e drejta e ankimimit të të gjithë subjekteve që do të rezultojnë në konflikt me ligjin, për të ankimuar vendimin e autoritetit të verifikimit në tre shkallë gjyqësore, pra që nga Gjykata e Shkallës së Parë, tek Apeli dhe në fund fare në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë, Kuvendi nuk ka marrë parasysh propozimin e deputetit Nikollë Lesi, për të përfshirë në listën e subjekteve që do të verifikohen edhe pronarët dhe drejtuesit e mediave private të shkruara dhe vizive. Për këtë propozim ka reaguar Kryeministri Berisha, i cili ka deklaruar se nuk mund ta pranojë një propozim të tillë, pasi nuk mund të përballej me reagimin e medias.
Votimi
Ashtu siç edhe kishin deklaruar, deputetët e opozitës nuk kanë marrë pjesë në votim. Përveç deputetëve të PS-së, seancën në momentin e votimit të ligjit e kanë bojkotuar edhe deputetët e grupeve të tjera parlamentare të opozitës. Gjithashtu, nga salla janë larguar edhe të zgjedhurit e Partisë Demokristiane, të cilët nuk kanë pranuar të miratojnë një ligj që nuk synon hapjen e dosjeve, por goditjen e organeve të drejtësisë, që janë duke hetuar çështjet e mëdha të korrupsionit. Pavarësisht se nuk janë larguar nga salla, ligjin në fjalë nuk e kanë votuar edhe disa deputetë të tjerë, pavarësisht se janë deklaruar si pjesë e mazhorancës. Bëhet fjalë për deputetët e grupit të qendrës, Bukurosh Stafa dhe Durim Hushi, të cilët kanë votuar kundra, ndërsa deputeti i PBDNJ-së, Leonard Solis, ka abstenuar. Ligji i miratuar nuk pritet të sjellë ndonjë efekt të madh për sa i përket pastrimit të radhëve në politikë, pasi fusha më madhe e veprimit të tij do të jenë institucionet e drejtësisë. Ligji i miratuar dje ka përjashtuar nga papajtueshmëria me funksionet që mbajnë të gjithë ata që në sistemin e shkuar kanë qenë ministra, zëvendësministra dhe sekretarët e partisë në rrethe (përveç ministrit dhe zëvendësministrit të Brendshëm). Ligji përmban dhe një pikë, me anë të së cilës tentohet që të realizohet praktika gjermane e dhënies së të drejtës gjithkujt që të njihet me dosjen e vet. Kështu, në bazë të këtij neni, çdo individ ka të drejtë që të kërkojë nga autoriteti që t’i vihet në dispozicion dosja nëse ka, por me një kusht që ai të mos njihet me emrat e të tretëve që ajo përmban. Ligji do të kontrollojë pastërtinë e figurës së çdo funksionari që kanë qenë pjesëmarrës në strukturat politikëbërëse gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri në 8 dhjetor 1990.
Neni 3
Subjektet e Verifikimit
Presidenti i Republikës
Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë
Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zv-ministrat, funksionarët politikë, sekretarët e përgjithshëm, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në institucionet e tjera shtetërore, qendrore ose të pavarura
Anëtarët e KLD-së, si dhe gjyqtarët e prokurorët pranë gjykatave dhe prokurorive të të gjitha niveleve
Funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, KLD-së, Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, Prokurorisë së Përgjithshme
Guvernatorë, zv-guvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë
Funksionarë në Forcat e Armatosura, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe Kolonel”
Prefektët, kryetarët e këshillave të qarqeve, si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave
Në SHISH, SHIU dhe SHIR dhe çdo shërbim tjetër inteligjent
Në Gardën e Republikës
Drejtor i Policisë së Shtetit deri në nivel qarku dhe komisariati
Drejtuesit e përfaqësive diplomatike
Rektorë, dhe zv-rektorë të universiteteve publike
Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti apo i zgjedhur nga Kuvendi
Drejtoret e gjimnazeve
Anëtarët e Akademisë së Shkencave
Drejtuesit e policisë, deri në rang rrethi
Drejtuesit e institucioneve mediatike publike