Ish-spiunët, rikthehet debati te Ligjet
BLEDAR HOTI
Çështja e hapjes së dosjeve të ish-spiunëve dhe të bashkëpunëtorëve të shtetit pritet të jetë objekt i debatit në Kuvendin e Shqipërisë. Në bazë të kalendarit të programuar, Komisioni i Ligjeve do të shqyrtojë draftin e PD-së, "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve". Demokratët do të riparaqesin për votim projektligjin në një kohë kur në sesionin e kaluar nuk u arrit një konsensus me opozitën për nene të veçanta të tij. Riparaqitja e draftit është bërë prezent nga një prej relatorëve të tij, demokrati Aldo Bumçci. Drafti do të jetë objekt i shqyrtimit në mbledhjen e paralajmëruar të Ligjeve, duke risjellë sërish përplasjet mes maxhorancës dhe opozitës. PS është e mendimit se një ligj i tillë në këto momente mund të përdoret në zgjedhjet e ardhshme politike. Socialistët kërkojnë hapjen e plotë të dosjeve, ndërsa demokratët janë kundër. Përplasja e radhës mes PS-së dhe PD-së për këtë nismë lidhet me faktin, se nëse zyrtarët që janë verifikuar një herë t'i rinënshtrohen përsëri këtij procesi. Për socialistët procesi i lustracionit për këtë kategori personash nuk është i nevojshëm, pasi kanë kaluar filtrat e dy komisioneve të mëparshme. Por për demokratët nuk shihet si një problem një gjë e tillë, pasi personat që kanë kaluar një herë këtë fazë nuk duhet ta kenë problem t'i nënshtrohen përsëri procesit të verifikimit. PD parashikon në draftin e saj që pastërtia e figurës morale të funksionarit publik është e papajtueshme me mbajtjen prej tij gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990 të një prej detyrave të këtyre detyrave: anëtar ose kandidat i byrosë politike, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, kryetar i Gjykatës së Lartë, prokuror i Përgjithshëm, zv/ministër i Punëve të Brendshme dhe çdo punonjës i organizatave të sigurimit, bashkëpunëtor i sigurimit, anëtar i Komisionit Qendror të dëbim-internimeve, hetues apo ndihmës, hetues-prokuror apo ndihmësprokuror, gjyqtar apo ndihmësgjyqtar në proceset politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në gjyqet politike. Debati tjetër mes dy kampeve lidhet dhe me faktin, se nëse duhet t'i ndërpritet mandati i të zgjedhurve në rast se ato zyrtarë dalin të implikuar sipas ligjit "Për pastërtinë e figurave". Opozita është kundër, pasi lidhet me mandat të dhënë nga Kushtetuta, ndërsa PD-ja është pro ndërprerjes së mandatit në rast se ai rezulton i implikuar. Në fillim të sesionit kuvendar, komisioni i Ligjeve zhvilloi një seancë dëgjimore me përfaqësuesit e shoqatave të ish të përndjekurve politikë dhe të shoqërisë civile. Komisioni nuk përjashton mundësinë që të shqyrtohen dhe tre projektet e mëparshme, si dhe të përfshihen dhe disa amendamente të deputetëve të tjerë në lidhje me procesin e hapjes së dosjeve.