PD: Rama të kërkojë falje që përdori vdekjen e Trebickës
Partia Demokratike i ka kërkuar dje kreut të PS-së, Edi Rama, të kërkojë falje pasi përdori politikisht vrasjen e biznesmenit Kosta Trebicka, i cili denoncoi aferën e fishekëve në Rinas. Nëpërmjet një deklarate për shtyp të zëdhënësit, Gerti Bogdani, thuhej se, "Partia Demokratike i kërkon këtij koalicioni ogurzi që në rast se u ka mbetur edhe një grimcë e fundit e moralit njerëzor, t'i kërkojnë të falur publikisht, qoftë edhe privatisht, familjes së të ndjerit Trebicka, sepse e vranë për së vdekuri, për qëllime të ulëta politike, duke manipuluar edhe të vërtetën e fundit të tij". Sipas Bogdanit, "T'ju kërkojnë të falur publike shqiptarëve, se për qëllimet më të ulëta dhe çnjerëzore, iu përdhosën kodin më të lashtë e më sublim të kombit dhe të mbarë qytetërimit, kodin e vdekjes, duke trilluar dhe falsifikuar në mënyrën më të pamoralshme dhe për përfitime politike, aksidentin tragjik të një qytetari të këtij vendi dhe kësaj shoqërie". Bogdani tha se, kreu i PS-së por edhe kreu i lëvizjes G99 tani heshtin, megjithëse, sipas tij, vetëm 3 orë pas aksidentit të Trebickës e quajtën atë vrasjen e shekullit. "Hesht Edi Rama që shpërtheu në një histeri shpifjesh dhe trillimesh vetëm 3 orë pas aksidentit, akoma pa u identifikuar mirë kufoma. Hesht partizani i vogël Veliaj, i cili para kamerave derdhte lot, kurse pas tyre i ngazëllyer shpërndante mesazhe për manipulimin e vdekjes së të ndjerit Trebicka", theksoi Bogdani. Deklarata e zëdhënësit të PD-së vjen pas publikimit të raportit të ekspertit amerikan, sipas të cilit, Trebicka vdiq pas një aksidenti automobilistik.