Moshat “aktive” më të prekura nga nervi shiatik
AIDA MALAJ
Moshat e reja dhe personat me profesione, që kërkojnë ngritje peshash, janë më të predispozuar të preken nga sëmundja e nervit shiatik. Mjekët shtojnë, se “viktimat” e sëmundjes kohët e fundit vihet re të jenë bërë dhe ata që kanë profesione, që kërkojnë një qëndrim pa lëvizur për disa orë. Në një intervistë për “Panorama”, Sokrat Xhaxho, Doktor i Shkencave Mjekësore, neurolog në shërbimin e Neurologjisë të QSU “Nënë Tereza”, shpjegon se cilët janë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes, si mund të trajtohet dhe parandalohet:
Kush preket më tepër nga nervi shiatik?
Nervi shiatik haset më tepër në moshën aktive, te të rinjtë që punojnë në profesione që kërkojnë ngritje peshash, të tilla si ndërtim, ngarkim-shkarkim, por dhe ata që bëjnë ecje të gjata në këmbë dhe qëndrojnë në këmbë për një kohë të gjatë. Kohët e fundit është vënë re një tendencë në rritje e rasteve te personat, që qëndrojnë për një kohë të gjatë në një pozicion të palëvizur, siç mund të jetë përpara kompjuterit, timonit, makinës qepëse me orë të tëra. Preken më tepër meshkujt, megjithatë është rritur dhe numri i femrave, kryesisht tek amvisat që bëjnë punë në ambientet e shtëpisë me ngritje peshash, etj.
Si shfaqet sëmundja?
Mekanizmi është i tillë që një presion i vazhdueshëm si ai i peshave të rënda mbi disqet intervertebror, në një vend të caktuar të kolonës lumbare që zakonisht janë L4-L5, ose L5, S1 më rallë në atë L3-L4, bëjnë që disqet të shfaqin edema, të inflamohen ose plasariten. Këto fenomene bëjnë që të ngacmohet rrënja e nervit (nga edema ose inflamacioni, ose nga fragmente të diskut të copëtuar(fragmentizuar). Fragmente të diskut të copëtuar bien në kontakt me rrënjën e nervit shiatik dhe në këtë rast kemi të bëjmë me hernie diskale. Por peshat e rënda nuk janë faktorët e vetëm që e favorizojnë shfaqjen e kësaj sëmundjeje, të tilla janë: infeksionet e ndryshme virale ose bakteriale, shtypjet nga tumoret e kolonës, procesi metabolike si diabeti i sheqerit, abuzimi me alkoolin, probleme të ndryshme të tiroides, etj.
Cilat janë shenjat karakteristike të kësaj sëmundjeje?
Sëmundja manifestohet me dhimbje të forta në fund të kolonës lumbare, të cilat në pjesën më të madhe janë dhimbje të menjëhershme dhe i sëmuri ankohet me shprehjen: këputa mish. Shpesh herë para kësaj dhimbjeje referohen ngritje peshe jashtë forcës së tyre. Dhimbja shfaqet në zonën mediale dhe përhapet në pjesën e tules (regjionin gluteal), në këmbë, në pjesën mbrapa ose anash këmbës. Nga mënyra e dhimbjes ndikohet në përcaktimin e topografisë së nivelit të shtypjes së nervit shiatik.
Në shumicën e rasteve dhimbja është e fortë, ka karakter mekanik Dhimbja ka karakter mekanik që do të thotë se dhimbja acarohet d.m.th., shtohet jo kur i sëmuri shtrihet në shtrat, por ajo acarohet kur i sëmuri qëndron në këmbë ose ecën dhe kjo dhimbje qetësohet kur i sëmuri qëndron shtrirë (kolona në pozicion horizontal). Shpesh dhimbja kalon brenda 24 orëve dhe qetësohet me paracetamol apo me antiinflamatore jo steroidë si: (voltaren, ibuprofen, etj). Në pjesën dërrmuese i sëmuri i drejtohet mjekut për trajtim të mëtejshëm.
Çfarë ekzaminimesh bëhen në këto raste?
Në këto raste rekomandohet bërja e një radiografie. Ka raste kur te ky kontingjent pacientësh, mund të shfaqet paraliza d.m.th., pacienti nuk arrin dot të ecë me thembra ose në majë të gishtave. Në këto raste duhet shkuar urgjent te mjeku për të bërë një skaner të kolonës, që në gati 100% të rasteve konfirmon diagnozën e hernie diskales. Në këto raste kërkohet ndërhyrja kirurgjikale në mënyrë që të çlirohet nga hernia, sepse në këtë rast mostrajtimi bën që nervi të shtypet, të ndodhin ndryshime të parikthyeshme dhe këmba të paralizohet. Këto raste janë disi më të rralla, por gjithsesi çdo episod duhet trajtuar me seriozitet në mënyrë që të shmangen pasoja të parikthyeshme.
Çfarë rekomandohet për trajtimin e këtyre sëmundjeve?
Për mjekim rekomandohen qetësues të dhimbjes që janë antiiflamatorët josteroidë dhe medikamente që ndikojnë në relaksimin e muskujve. Përveç kësaj, të sëmurëve u rekomandohet që të qëndrojnë 10 ditë deri në 2 javë në regjim shtrati. Në momentin që shfaqet dhimbja të qëndrojnë shtrirë në pozicion horizontal dhe të lëvizin këmbën lart-poshtë. Nëse mjekimi nuk jep rezultate, jepet mjekim dhe për 2 javë të tjera dhe nëse i sëmuri shfaq dhimbje shumë të forta, atëherë bëhet i domosdoshëm skaneri për të vendosur diagnozën dhe skemën e trajtimit.
Fizioterapia dhe aktiviteti sportiv sa ndihmojnë në trajtimin e sëmundjes?
Nga praktika e përditshme është parë se fizioterapia në mjaft raste është pjesë e skemës së mjekimit, ajo bashkëshoqëron medikamentet dhe ka efekte mjaft pozitive në trajtimin e sëmundjes. Përsa i përket palestrës nuk do e rekomandoja shumë, pasi në disa raste ushtrimet bëhen me ngritje peshash, që do të acaronin gjendjen e pacientit në vend që ta reduktonin dhimbjen.