Unë, shqiptari që banova tre vite në Polin e Veriut
AFRIM IMAJ
“Të qëlloja mbi vëllezërit e mi se demonstronin paqësisht kundër represionit shovinist! Nuk mund ta bëja kurrsesi. Ani se rrezikoja shumë nga eprorët e Beogradit. Isha polic e çdo kundëarshtim urdhri paguhej shtrenjtë. Duhej të gjeja rrugën e ndërmjetme. Aty për aty vendosa me ik…”Teksa rrëfen thelbin e ngjarjes tronditëse, 50-vjeçari Agim Spahiu nga Kosova, u rikthehet peripecive që ka përjetuar vite me radhë nga gjurmimi i inspektorëve të UDB-së, të cilët e kërkonin edhe në “vrimë të miut” për të dhënë llogari për tradhtinë e lartë të braktisjes së detyrës. E parandiente ndëshkimin fatal po të binte në duart e tyre, prandaj ikte e ikte sa më larg. Si rrallëkush tjetër kishte guxuar të dezertonte nga radhët e policisë speciale në pikun e një misioni special. E papritura ndodhi kur reparti i tij mori detyrë për të shtypur me dhunë protestat e studentëve të Prishtinës. Ishte pranvera e vitit ’81, kur Agim Spahiut, të rekrutuarit rishtas në forcat e sigurisë, i qëlloi fati i keq për t’u përballur me bashkëkombësit e vet. Një përballje e tmerrshme madje. Duhej të qëllonte mbi ta me armë zjarri. Çastet kur vendosi t’i largohet këtij momenti, kishin qenë të rënda. Zgjedhja e bërë aty për aty, ishte e vetmja mundësi që do ta ruante nga mallkimi i njerëzve të të njëjtit gjak. Prandaj iku pa mëdyshje, duke rriskuar madje jetën e vet. Aventura sfiduese e Agim Spahiut, ish-policit nga Kastrioti i Skënderajt të Kosovës, do të mbyllej në akullnajat e Polit të Veriut, ku do të gjente strehën e sigurt për tre vite me radhë. Në rrëfimin për “Panorama”, për herë të parë ai tregon rrjedhën e jetës në vendin e skajshëm, duke sjellë ndërkaq një pamje të zgjeruar me të veçantat e rajonit të largët…
Zoti Agim! Në cilat rrethana u lindi mendimi për të shkuar në Polin e Veriut?
Halli, miku em, asgjë tjetër nuk më ka shtyrë. Bile një hall i madh, hall koke, siç i themi ne kosovarët. Ishte nevoja që më thirri dhe aty gjeta strehën për t’i shpëtuar të keqes që më kanosej, pavarësisht jetës ndryshe, katërcipërisht ndryshe që bëhej aty…
Një shqiptar kërkoi të zgjidhë hall në Polin e Veriut…
Aty, vetëm aty munda të qetësohem përkohësisht. Ata që më ndiqnin nuk e mendonin kurrë që një shqiptar i Drenicës mund të arrijë deri te Poli i Veriut. Çdo gjë erdhi spontanisht dhe fati e deshi të mbërrija, bile të sistemohesha e të jetoja për gati tre vjet në shtëpinë mbi akullnajë që nuk e kisha parë as në ëndërr…
Çfarë e kërcënonte jetën e Agim Bajramit në Kosovë?
Shkau, UDB-ja, kush tjetër mund të rrezikonte jetën e një shqiptari të Kosovës. Kështu ndodhi edhe me mua. Gjithçka erdhi papritur kur shërbeja si polic, vëllau em. Një përplasje me eprorët gjatë një misioni në Prishtinë, desh më kushtoi shtrenjtë. U desh të dezertoja për mos t’u përballur me ndëshkimin penal. Gjykata Ushtarake në të tilla raste e kishte standard vendimin, sidomos për ne shqiptarët. I ktheva krahët dhe braktisa uniformën, duke marrë në sy rrezikun që më kanosej. Se nuk kishte rrugë tjetër me mbajt faqen e bardhë…
E gjitha kjo gjatë një misioni të veçantë në Prishtinë. Me çfarë kishte të bënte ky mision në kryeqytetin e Kosovës?
Ishin ditët e tensionuara të pranverës së ‘81-shit. Përndryshe të pranverës së rizgjimit kombëtar. Gati tërë studentët e Prishtinës ishin ngritur në këmbë kundër regjimit represiv të Millosheviçit. Si asnjëherë tjetër, revolta e iniciuar prej tyre tronditi themelet e Beogradit. Shtypja e dhunshme e demonstratave për t’u kthyer qetësinë autoriteteve të Jugosllavisë, ishte thelbi i misionit tonë…
Pra, qëlloi që detyra t’u vinte në anën tjetër të barrikadës me bashkëkombësit shqiptarë të Kosovës…
Unë isha një polic i thjesht i një reparti special të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Reparti ku bëja pjesë u urdhërua për të shpërndarë me dhunë protestat që kishin ndezur Prishtinën. Fillimisht reaguam me mjete të zakonshme, pastaj me gaz lotsjellës. Por pa efekt. Shpërthimi i turmave sa vinte e bëhej më solid, zemërimi më agresiv. Bllokimi i tyre ishte gati i pamundur. Pikërisht në këto momente, dikush nga komanduesit shqiptoi në formë urdhri fjalën “Zjarr!”. Mjaftoi kaq dhe filluan breshëritë e armëve. Viktimat e para ranë përdhe. I kam parë me sytë e mi trupat e tyre. I kam dëgjuar me veshët e mi rënkimin e të plagosurve. Tanimë bëhej fjalë për gjak e të vrarë, për të plagosur e të lënduar rëndë. Një gjendje e rëndë, shumë e rëndë. M’u veshën sytë e nuk dija çfarë të bëja. Mallkova veten që u gjenda në krahë të vrasësve të vëllezërit të një gjaku. Indinjata ndaj veprimeve të tilla çnjerëzore, ishte e pakta që mund të demonstronim në ato momente…
Çfarë mendonit kur shikonit kolegët që qëllonin me armë zjarri mbi studentët e Prishtinës?
Guxova së pari ta shpreh revoltën në analizën e situatës që bëmë në mbrëmje. Bashkë me kolegun tjetër, Shefqet Berisha, u ngritëm dhe denoncuam kapërcimin e kompetencave gjatë përballjes së policisë me demonstruesit. Madje, shprehëm haptazi mendimin që shkelësit e ligjit të RSFJ-së të viheshin në bankën e të akuzuarve, se kishin urdhëruar hapjen e zjarrit mbi njerëz të paarmatosur, mbi demonstrues paqësorë…
Cili ishte reagimi i eprorëve kur denoncuat sulmin me armë zjarri mbi demonstruesit shqiptarë?
Aty për aty nuk na thanë gjë. Askush nuk kundërshtoi ato që ngritëm ne, pavarësisht se të gjithë na shikonin vëngër. Komandanti që rrinte i vetëm në podiumin e mbledhjes, gjatë tërë kohës mbante shënime në një bllok të trashë. Reagimi i parë do të vinte të nesërmen. Me sa dukej denoncimi ynë nuk kishte kaluar pa lënë gjurmë. Na thirri në zyrë shefi i sektorit që e thërrisnin Rasha Llakusheviq, dhe pa na dëgjuar fare na komunikoi zyrtarisht pushimin nga puna…
Megjithatë kjo nuk parashikonte ndonjë rrezik për jetën…
Të mbyllej historia me kaq, padyshim që nuk rrezikoheshim, pavarësisht situatës kritike që vijoi pas kësaj. Nuk kaluan pak ditë dhe na rithirrën në repart. Tjetër situatë do të përjetonim aty. Kur shpresonim rikthimin në detyrë, na kishin rezervuar një surprizë tjetër. Sa futëm këmbën në komandë, na morën forcërisht e hodhën në dhomën e izolimit. Pastaj aty filluan nga regjimi i torturave. Nga më të tmerrshmet e më çnjerëzoret, madje. Për 72 orë do t’u bënim ballë atyre, pa as më të voglin shpjegim. Diku më pas na lanë të lirë. Te porta na komunikuan vendimin për ndjekje penale. Do të bëheshim klientë të hetuesisë kriminale. Pas kësaj kuptohej se çfarë na priste. Prandaj duhej larguar sa më parë nga Prishtina. Udbashët kishin marrë detyrë për t’i larë hesapet me ne. Kështu, bashkë me kolegun tjetër, Shefqet Berisha, kaluam në ilegalitet duke u fshehur në baza të sigurta…
A kishte policë të tjerë të etnisë shqiptare që u përjashtuan nga puna në këtë periudhë?
Revolta dhe demonstrimet e Prishtinës së ‘81 u shoqëruan me një pastrim masiv të radhëve të policisë nga ushtarakët shqiptar. Autoritet e kishin humbur besimin ndaj tyre dhe në mënyra nga më të ndryshmet komunikonin largimin nga puna për ta. Aty nga mesi i prillit të vitit ‘81, bashkë me ne janë përzënë edhe 150 policë kosovarë. Mjaft syresh u dënuan me 5 deri në 15 vite burg. Pati madje të tjerë që “u zhdukën” barbarisht nga dora e policisë sekrete serbe…
Çfarë e kërcënonte një të përjashtuar nga radhët e policisë serbe në Kosovë?
Mbi të gjitha kërcënohej si dëshmitar i dhunës dhe revanshit barbar të organeve policore të Beogradit. Ishte një strategji e fshehtë për të tilla raste, që parashikonte zhdukje pa lënë gjurmë. Largimi nga policia nuk ishte thjesht humbje besimi, por shumë më tepër se kaq. E provova këtë në kurrizin tim. Ende kur shpresoja rikthimin në detyrë, më lajmëruan se po ndiqesha nga njerëzit e UDB-së. Në gjuhën e profesionit kjo do të thoshte se ishte ngritur një plan për të më eliminuar fizikisht. Prandaj duhej të ikja ilegalisht. Dhe nuk e zgjata. Me ndihmën e mikut të familjes, Selami Mehmeti nga Llojani i Kumanovës, lashë banesën në Prishtinë dhe u sistemova në shtëpinë trekatëshe të vëllait të tij. Vetëm pak ditë pas kësaj, një tjetër miku ynë, Shemsi Cenolli, më solli atje gruan me fëmijët. Sidoqoftë edhe aty nuk ishim fort të sigurt, pasi në fund të fundit ishim brenda territorit të Jugosllavisë…
Prej aty dolët në Perëndim…
Me shumë telashe mundëm me dalë në Evropë, familjarisht në Suedi. Më në fund mund të merrnim disi frymë lirisht, po dhe këtu kishte ndodhur, që UDB-ja e kishte ndjekur “gjahun” e vet. Duhej menduar për të shkuar aty ku nuk kishte gjasa të të gjente zbuluesi i Beogradit. Duhej ikur sa më larg…
Mbërritët më në fund në Polin e Veriut…
Nuk kishim si të shkonim menjëherë në Pol. Para se me mbërrit aty u sistemuam përkohësisht në Malmoe, në skajin jugor të Suedisë, ku ishte vendosur pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë në Suedi. Pas dy ditëve, morëm rrugën drejt pikës polare, Abisko, 2600 kilometra larg kampit të refugjatëve. Qyteza e Krunës u bë stacioni fundor i këtij shtegtimi për të shpëtuar kokën dhe familjen nga përndjekja e bishave serbe. Gjetëm aty familjen e Afrim Krasniqit nga Prishtina dhe atë të Feti Selimovskit prej Manastirit. Me sa më kujtohet ka qenë edhe një familje tjetër nga Peja...
Si ishte jeta në Polin e Veriut?
Në Kirunë ka vetëm dy stinë, verë dhe dimër. Gjashtë muaj janë ditë pa net dhe gjashtë muajt e tjerë net pa pikë drite. Nga tetori deri në mars bën terr non stop. Në fund të marsit e deri në fillim të prillit, dalin në qiell do re shumëngjyrëshe, dhe shkëlqejnë me një rrezatim të rrallë. Prej prillit e deri në fund të shtatorit nuk ka asnjë dekikë terr. Veç ditë dhe dritë. Është koha që aty bëhet plazh…
Plazh në Polin e Veriut…
Plazhi preferohet gjatë dy muajve të verës, ku temperatura shkon rreth 20 gradë. Një plazh i veçantë madje. Është kjo periudha ku ndodh dhe një fenomen i jashtëzakonshëm. Njerëzit kanë rastin të shikojnë diellin që të niset të perëndojë dhe, sapo ka përfunduar gjysma e tij, ajo gjysmë dielli e zhytur në det, në vend që të marrë me vete gjysmën tjetër, merr hov dhe ngrihet përpjetë sërish, duke ndriçuar më fort. Pra, dielli nis të lindë edhe një herë, kur ka perënduar vetëm gjysma e tij. Është mrekullia vet që nuk ma do mendja se përsëritet diku gjetkë…
Keni jetuar tre vjet në Polin e Veriut, çfarë kujtoni prej tyre?
Mbi të gjitha njerëzit e sjellshëm e bujarë, që nuk i gjen kund. As në Kosovë, do të thosha, nuk ka të tillë. Ta lënë çelësin e shtëpisë pa pikë droje e të përgjigjen për çdo hall si me qenë vëllau i tyre. Çiltërsia e mirëbesimi, solidariteti e mirësia janë “pronë” e gjithsecilit dhe shfaqen natyrshëm në çdo komunikim. Befasuese është pamja e dyqaneve pa shitës. Po, po, pa shitës. Marrin aty njerëzit çfarë u duhet dhe lënë shumat përkatëse. Një mjedis i veçantë e shumë interesant, me njerëz të mrekullueshëm, do të thosha. Kam lënë aty shumë shokë e miq të shtrenjtë, me të cilët kontaktoj shpesh. Të tillë si gazetari i talentuar Age Elsberg, drejtori i kulturës e të sportit të Kirunës, Lennart Lantto, mësuesja Elisabeth Erikson etj…
Me se merreshin banorët e Kirunës dhe çfarë kultivohej kryesisht në viset mbi akull?
Pjesa më e madhe e komunitetit aty i përket etnisë “SAM”, që merret kryesisht me kultivimin e drerëve. Çdo njëri ndër ta kultivon deri te 5000 të tillë. E përhapur është gjuetia e fokave, nga përpunimi i lëkurës së të cilave prodhohen veshje të rralla. Njerëzit merren shumë me peshkim. Është një lloj peshkimi i veçantë. Çahet trashësia e akullit dhe pastaj gjurmohet gjahu që është me shumicë poshtë tij...
Nuk bëhet fjalë për industri në Polin e Veriut?
Në Kiruna është një minierë shumë e madhe, nga e cila nxirret zink e plumb. Miniera e Elkabetit, quhet. Qysh nga fillimi ka qenë në pronësi shtetërore. Si rrallëkund tjetër minatorët trajtohen me rroga të larta deri në 10 mijë ero në muaj, pa përmendur këtu shërbimet sociale falas. Miniera i ngjan një qyteti të madh të fshehur nëntokë, me metro, stacione autobus, bar-restorante, supermarkete, teatro, kinema, deri edhe disko.
Thonë se jetesa është shumë e vështirë në Pol…
E vërteta është se temperaturat janë shumë të ulëta. Normalisht variojnë nga -47 në -50 gradë celsius. I ftohti të ngrin qerpikët e syrit. Ka pastaj veçori të tjera, siç është mjedisi i akullt dhe lagështira. Veçanërisht prania e mushkonjave të shumta është tejet bezdisëse. Pa vendosur rrjetë mbrojtëse në fytyrë, nuk mund të lëvizësh, pasi në çast të sulmojnë me miliona insekte…
Diçka për kushtet në shtëpi, flitet për pallate akulli…
Në Kiruna, në këtë qytet polar të Suedisë, banorët jetojnë në pallate prej akulli. Zakonisht ato janë tre-katërkatëshe dhe mënyra si është sendërtuar ngrohja në to është krejtësisht origjinale. Në çdo kohë temperature brenda tyre është konstante e mund të jetohet normalisht. Unë vetë kam jetuar në një banesë trekatëshe. Gjithçka ka qenë për mrekulli. Ujë e drita pa ndërprerje, sistemi i ajrimit dhe i ngrohjes funksiononte pa ndërprerje non-stop. Sikur një ditë të ndodhë që ato të kenë defekt, pasojat janë katastrofike…
“Protestat e ‘81, preludi i lëvizjes evropiane antikomuniste”
Për një polic të divorcuar me profesionin kur i kërkuan të qëllonte me armë mbi bashkëkombësit e tij, demonstrimet e ‘81 ishin lajmi i parë për shkërmoqjen e Jugosllavisë. Agim Spahiut i ka qëlluar t’i kundrojë nga afër dhe thotë se eprorët e tij i vlerësonin si protestat më të mëdha të të gjitha kohëve. “Tronditjet e Prishtinës atë pranverë, shton ai, do të dëgjoheshin përtej federatës së Beogradit”. Teksa i ka ndjekur zhvillimet e mëtejshme nga larg, ish-polici nga Kosova u është rikthyer disa herë revoltave të ‘81-shit, duke u ndjerë krenar për qëndresën e vëllezërve të tij të një gjaku. Për të, ato kanë qenë preludi i lëvizjes antikomuniste të Evropës Lindore.