E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udineze në krye, bien Juve e Roma

 

Thellohet gjithmonë e më shumë kriza e rezultateve në ambientin bardhezi. Pas tri barazimeve radhazi, dy në kampionat kundër Sampdorias e Katanias dhe atij në Ligën e Kampioneve kundër modestëve të Bate Borisovit, dje pasdite pritej një reagim i “Zonjës së Vjetër” kundër Palermos, por djemtë e Klaudio Ranierit gabojnë sërish, duke u gjunjëzuar në shtëpi me rezultatin 2-1. Torinezët humbasin ashtu si edhe Roma e Luçiano Spaletit, në transfertën e Sienës me rezultatin 1-0, falë një goli të Frik në minutën e 39-të të pjesës së parë. Për bardhezinjtë dhe verdhekuqtë, ndjekja e kryesueseve bëhet disi e vështirë duke parë rezultatet e fundit të Interit e Milanit, ndonëse aktualisht distanca nga to nuk është shumë e madhe. Nëse torinezët paraqiten dobët, janë bardhezinjtë e tjerë të Udinezes që po zhvillojnë një fillim sezoni shumë entuziast, ku me fitoren e pasdites së djeshme kundër Torinos kapin kreun e Serisë A, së bashku me Interin e Lacion. Një dygolësh i Kualiarelës shton entuziazmin në Udine, mbi të gjitha edhe pas kalimit të turit eliminator të Kupës UEFA, të enjten e kaluar kundër Dortmundit. Në sfidat e tjera bie në sy momenti i vështirë i Sampdorias, të cilët nuk kanë arritur ende të realizojnë fitoren e parë për këtë sezon. Skuadra e Atalantës i është kundërpërgjigjur dy golave të Antonio Kasanos me dopietën e Flokarit dhe golat e Donit e Gariks. Në “Marasi” të Xhenovas ishin përballë njëra-tjetrës skuadrat e Xhenovas dhe Napolit, sfidë që ka përfunduar në favor të vendasve në shifrat 3-2. Edhe Fiorentina e Prandelit arrin një fitore të vështirë në transfertën e Kievos, falë golave të Kuzmanoviç dhe të përhershmit Xhilardino, ndërkohë që sfida e vetme e pasdites së djeshme e mbyllur në barazim ka qenë ajo ndërmjet Rexhinës dhe Katanis në shifrat 1-1.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›