E Shtunë, 31 Tetor 2026

Namik Dokle: Fatos Nano do të bëhet president i Shqipërisë

 

Aristir Lumezi

Anëtari i kryesisë socialiste, Namik Dokle, shpreh bindjen e tij se PS-ja do të jetë subjekti që do t'i realizojë Fatos Nanos ëndrrën presidenciale. Gjatë një interviste ekskluzive, Dokle shprehet se, këtë gjë e ka kuptuar dhe vetë Nano, i cili sipas tij, "po sillet si president pa u përzierë në grindjet e vockla dhe ambiciet fshatareske". Si një nga eksponentët potentë dhe me përvojë në PS që prej 1991, Dokle analizon edhe tezat e kreut socialist Edi Rama, "përtej të majtës dhe së djathtës", duke i vlerësuar ato si teza që përfshijnë të gjithë shqiptarët përtej ngjyrave partiake, veçanërisht të vlefshme gjatë zbatimit të programit qeverisës të PS-së. Duke u ndalur tek qeveria dhe kryeministri aktual, Dokle shprehet se ai nuk ka vullnet të bëjë reforma, ndërsa e ka kthyer të gjithë qeverisjen në një sistem korruptim me përmasa kriminale siç ishte ai i Gërdecit.
Zhvillimet e fundit tregojnë se dy partitë kryesore të opozitës, PS-ja dhe LSI-ja qëndrojnë larg njëra-tjetrës si për mënyrën se si duhet të zbardhet tragjedia e Gërdecit, ashtu dhe për konsensusin që opozita duhet të japë për reformat. Mendoni se kjo situatë do vazhdojë deri në zgjedhje dhe si do përkthehej kjo në rezultat elektoral?
PS-ja ka një qëndrim tepër të qartë për çështjen e Gërdecit, e ka cilësuar atë një krim shtetëror. Është një krim shtetëror që zbulon në mënyrën më të qartë dhe tragjike korrupsionin e qeverisë. Një trafik i tillë armësh i organizuar nga qeveria duke ndryshuar ligjin, me vendimet e qeverisë që parapërgatitën hapjen e kësaj fabrike të vdekjes në mes të Tiranës, tregon se qeveria dhe segmente të caktuara të saj, ishin në dijeni të plotë se çfarë bëhej, se kush fitonte dhe kush humbiste. Tragjedia erdhi me 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe shkatërrimin e mbi 4 mijë shtëpive. E pra, ka vetëm një klasifikim, krim shtetëror. Ne kemi këmbëngulur në zbardhjen transparente dhe përfundimtare të kësaj çështjeje, qoftë nga Prokuroria, qoftë dhe nga ekspertët e huaj, sidomos ata amerikanë përderisa ka të bëjë me veprimin e një firme amerikane në këtë aferë. Ne kemi mbështetur fuqimisht Prokurorinë në zbardhjen e kësaj çështjeje dhe nuk e kemi kërcënuar se do t'ia ulim "prapanicën" në bangën e të akuzuarve! Ne mendojmë se nuk është bojkoti forma e duhur që do çonte në zbardhjen e saj, sepse bllokimi i Parlamentit për këtë çështje nuk i jepte më shumë avantazhe Prokurorisë për ta hetuar dhe zbuluar, bllokim i Parlamentit për këtë çështje nuk i jep avantazhe luftës politike në tërësi kundër keqqeverisjes, kundër arrogancës së saj, kundër krimit shtetëror. Bllokimi i Parlamentit do të thotë të dalësh jashtë luftës politike. Në dukje krijon idenë se kështu po bën një opozitë të fortë, por që në vërtetë ajo nuk është një opozitë reale. Opozita reale mendoj se bëhet atje ku bëhet politika, dhe për rastin konkret është Parlamenti. Kuptohet që në Parlament opozita ka mundësi dhe duhet akoma më shumë ta forcojë luftën politike, që të bëjë të qartë çdo shqiptari jo thjesht zbardhjen e krimit të Gërdecit, por zbardhjen e dhjetëra e dhjetëra aferave të kësaj qeverie, që vërtetojnë AKP-në e saj; jo Agjencinë Kombëtare të Privatizimit, por arrogancën, korrupsionin dhe paaftësinë.
Duket se ka një mungesë strategjie në qëndrimin e PS-së ndaj maxhorancës. Opozita ndahet brenda vetes për çështjen e bojkotimit të Kuvendit, si kusht për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, ndërsa në seancën e fundit parlamentare patëm një bojkot të Kuvendit "Për ligjin e SHKB-së". Si i vlerësoni këto qëndrime?   
Më duket se ndodh krejt e kundërta. Nëse PS-ja më parë ka pasur taktika shumë të drejta në bërjen e opozitës, aktualisht ajo ka një strategji shumë mirë të përcaktuar ndaj maxhorancës. Ne kemi kohë që jemi involvuar në ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe ky nuk është një qëndrim që lindi sot. Problematika e Kodit Zgjedhor dhe ndryshimet e tij lindën si rezultat i një analize të thellë të humbjes së zgjedhjeve të 2005. Duke bërë këtë analizë, PS-ja arriti në një linjë strategjike që synonte 3 gjëra; ndryshimin e sistemit zgjedhor, përshtatjen e organizimit të partisë mbi bazën e sistemit të ri zgjedhor dhe kontakti me shqiptarët në përputhje me këto dy elementë. Për më tepër që analiza jonë për sistemin zgjedhor përputhej edhe me analizën e ndërkombëtarëve, të cilët në Bruksel, Strasburg, apo Tiranë lëshuan thirrjen: Të respektohet kërkesa e opozitës për sistemin zgjedhor. Ne ishim aq të qartë strategjikisht në këtë linjë saqë të gjithë këto elementë, i kemi implementuar me kohë. Çdo hap i hedhur nga ne ka të bëjë me strategjinë tonë si opozitë për të rikuperuar rezultatin e 2005 për të evituar shkapërderdhjen e votave të PS-së dhe për të fituar zgjedhjet e ardhshme.
...Pyetja ka të bëjë për mungesën e strategjisë së PS-së në Kuvend, përsa i takon bojkotit të tij, ju e bojkotuat atë "Për projektligjin e SHKB"-së...?
Incidenti që ndodhi me projektligjin "Për SHKB"-në në Kuvend, ka të bëjë me një moment të veçantë të funksionimit parlamentar. Ai ishte një ligj shumë i diskutuar, ishte një ligj që siç e theksuan diskutantë të opozitës, krijon një super-ministri, që shumë deputetëve u kujton mënyrat e organizimit të KGB-së, pra një kontroll mbi gjithçka nga një person apo grup i vogël njerëzish. Bukur tha Marko Bello: "Tani PD-së i mbetet të gjejë edhe Koçi Xoxen". Në fakt, edhe e kanë gjetur. Ne bëmë një punë të veçantë për ta përmirësuar ligjin dhe në emër të grupit socialist dy deputetë propozuan mbi 20 amendamente, të cilat e sillnin ligjin në një parametër normal dhe eliminonin të tërë këto shqetësime. Ne vendosëm si grup të paraqisnim amendamentet për këtë projektligj dhe kishim vendosur se nëse ato do të pranoheshin, ne do të votonim pro ligjit, nëse ato nuk do pranoheshin, ne do të votonim kundër ligjit. Por nuk ndodhi as njëra dhe as tjetra. Ndodhi diçka akoma më e keqe. Kryetarja e Parlamentit as nuk pranoi që amendamentet e opozitës të diskutoheshin, as të njiheshin nga deputetët e Kuvendit, por kaloi menjëherë në votim të p/ligjit të qeverisë. Në këtë moment opozita e braktisi sallën, nuk bëri bojkot, por e braktisi sallën në një moment të caktuar për një çështje të caktuar.
Pra, u aplikua bojkoti i Parlamentit..?
Bojkoti i Parlamentit është një element politik, më i gjerë, ndërsa ky veprim i grupit parlamentar kishte të bënte me një shkelje flagrante të së drejtës së opozitës për të paraqitur amendamente. Unë shikoj se maxhoranca ka frikë të ballafaqohet me alternativat që paraqet grupi socialist dhe duke pasur frikë zonja Topalli shkel dinjitetin e Kuvendit. Dhe kjo nuk është hera e parë. Zonja Topalli nuk funksionon më si kryetare e Kuvendit, por si nënkryetare e PD-së dhe më tepër, si instrument i kryeministrit për të shkelur mbi Parlamentin, jo vetëm mbi opozitën, por edhe mbi mendimin ndryshe që japin edhe ata që nuk janë pjesë e opozitës. Por, nuk do të biem në kurthin e provokimit për bojkot.
PS-ja ka pasur një mendim për një mocion mosbesimi ndaj zonjës Topalli, nga i cili tani është tërhequr..?
Ky ka qarkulluar si mendim individual i njërit apo tjetrit, por nga analiza që ka bërë grupi socialist dhe strukturat drejtuese të PS-së, është arritur në konkluzionin që misioni i zonjës Topalli ka mbaruar, me mocion apo pa mocion. Ajo nuk ka çfarë t'i sjellë më këtij Parlamenti. Ajo tashmë është evidentuar si instrument i Sali Berishës në atë pozicion.
Ambasadori britanik në Tiranë, ditë më parë, është shprehur se, ndryshimet kushtetuese kanë prishur raportin kontroll-balancë të pushteteve, gjë që mund të çojë deri në diktaturë. Ka një qëndrim ndryshe nga ana e PS-së pas 21 prillit për këto amendime?
Natyrisht, unë respektoj çdo mendim, aq më tepër të përfaqësuesve diplomatikë në Tiranë dhe pse nuk e di se në ç'kontekst është thënë kjo gjë, por si shqetësim mua më duket se mund të jetë i arsyeshëm. Pse? Për një arsye më konkrete. Sepse në Shqipëri ndodh një fenomen që e konstatojnë dhe shqiptarët dhe të huajt; nëse bën një ligj të mirë, një kushtetutë të mirë, apo ndryshime kushtetuese racionale, prapë se prapë duhet të jesh i vëmendshëm se si do zbatohen në praktikë. Dhe shqetësimi i shprehur nga shumë përfaqësues të huaj apo të vendit, lidhur me implementimin e tyre ka të bëjë me mënyrën se si vepron forca politike që qeveris sot vendin. Unë mendoj, që pavarësisht reformës zgjedhore, PD-ja dhe kreu i saj nuk janë të prirur dhe nuk dëshirojnë të bëjnë reforma. Flasin për reforma nën presionin e ndërkombëtarëve, por nuk duan t'i bëjnë ato. Ne kemi mbi 6 muaj që i kemi paraqitur PD-së paktin kombëtar për drejtësinë, një projekt që ka të bëjë me reformën e plotë në drejtësi, në mënyrë që të garantohet pavarësia e pushtetit gjyqësor. Deri më sot ne nuk kemi asnjë përgjigje dhe asnjë reagim. Kjo tregon se maxhorancës aktuale nuk i intereson reforma në drejtësi, nuk i intereson pavarësia e pushtetit gjyqësor. Jo vetëm që kjo çështje është mbuluar me heshtje, por kohët e fundit ka presione të jashtëzakonshme mbi drejtësinë. Mjafton të kujtoj deklaratat ekscentrike të kryeministrit, kundër prokurorëve, gjyqtarëve, mjafton të përmendim kontradiktat mes Ministrisë së Drejtësisë dhe gjyqtarëve, lidhur me administratën gjyqësore, Ministrisë së drejtësisë dhe KLD-së, që të kuptojmë se kësaj maxhorance nuk i interesojnë reformat. Në këtë kontekst unë do t'i jepja të drejtë kujtdo që shpreh shqetësimin se deformimi demokratik mund të rrëshqasë deri në diktaturë, sepse sot në Shqipëri konstatojmë një pushtet autoritar, i cili shprehet në radhë të parë nga kryeministri Berisha, por dhe nga elementët e tjerë që ai i ka në rrethin e tij të ngushtë ekzekutiv. Ata flasin me të njëjtën gjuhë autoritare si Putin, flasin me të njëjtën gjuhë kërcënuese si Mugabe dhe flasin me të njëjtën gjuhë mashtruese prej demagogu si Hugo Çavez. Ai arrin të kërcënojë edhe deputetët hiç kurrkund tjetër, por në sallën e Parlamentit, siç bëri dikur me Paulin Sterkajn e tash së fundi me Taulant Ballën. Fraza e tij, "ta bëj fytyrën këpucë, të kujton atë këngën e ushtarëve grekë...me zorrët e shqiptarëve do bëjmë lidhëse këpucësh.(!!!) Paturpësisht ai e quan veten Sali "bollëku" kur në Shqipëri është shtuar bollëku i korrupsionit nga njëra anë dhe i listave ushqimore të papaguara nga ana tjetër. Kjo më duket se po kuptohet çdo ditë e më mirë nga shqiptarët, të cilët nuk e besojnë parajsën e propaganduar nga kryeministri Berisha përmes shifrave dhe inaugurimeve boshe apo të përsëritura. Sipas tij, në Amerikë ka krizë, në Shqipëri nuk ka, në Evropë bankat janë të trembura, në Shqipëri jo, edhe në vendet e BE-së ka shqetësim për të luftuar papunësinë dhe varfërinë, në Shqipëri rezulton se nuk ka varfëri. Këto përralla dhe rrumpalla shqiptarët i njohin mirë tashmë.
Por pas ndryshimeve të 21 prillit duket se autoritarizmi i kryeministrit është rritur, pasi mungojnë ato mekanizma që do t'i bënin presion atij për të përmirësuar qeverisjen, siç është mocioni i mosbesimit...            
Jo, jo, absolutisht. Nëse në Kuvend ke votat e mjaftueshme për të rrëzuar një kryeministër, rregullimi kushtetues të jep hapësira të plota për ta bërë këtë gjë. Problemi është të kesh vota të mjaftueshme, nëse nuk i ke këto, mocionet nuk kanë asnjë vlerë. Kryeministri mund të largohet dhe do largohet me votimin e 2009-ës. Kushdo që e dëshiron këtë gjë e ka kuptuar se nuk duhet të çojë dëm votën e tij për partiçkat, që nuk kanë asnjë shans të rrëzojnë Berishën. Këtë e di fort mirë edhe ai vetë, kur i deklaroi kryesisë së tij se vetëm PS-ja na rrezikon pushtetin dhe duhet luftuar vetëm ajo. Të sulmosh sot PS-në, as më pak dhe as më shumë, bëhesh aleat me sulmet e Berishës.  
Zëra brenda të majtës gjithnjë e më shumë flasin për moskuptim të tezës së kryetarit socialist "aleancë përtej të majtës dhe së djathtës", duke e cilësuar këtë tezë humbëse në zgjedhjet e fundit në Itali nga Veltroni. Ndani ju të njëjtin mendim me Servet Pëllumbin, Rexhep Meidanin për këtë bashkim?
Unë kam respekt për të tre emrat që ju përmendët, dhe natyrisht nuk më takon të komentoj mendimet e tyre. Duhet të theksoj se projekti i "Dialogut me Shqipërinë" nuk lindi as si projekt politik dhe as si traktat filozofik, por si një domosdoshmëri për ta ndryshuar Shqipërinë, sidomos në çështjet më thelbësore sociale që vendi po përjeton. Prandaj ky dialog u përqendrua në luftën kundër varfërisë, në arsim, shëndetësi, bujqësi, energjetikë, në sigurinë e jetës dhe në problemet e rinisë dhe gruas, ku PS-ja zhvilloi një veprimtari politike njëvjeçare, ku parashtroi ide, por mbi të gjitha thithi ide, se si mendojnë shqiptarët se mund të ndryshojmë këtë vend, si mendojnë shqiptarët të zhdukin varfërinë: si mendojnë shqiptarët të zhvillojnë këta sektorë jetikë. Në këtë kontekst, mendoj se ideja e kryetarit të PS-së për "aleancë përtej të majtës dhe së djathtës" është shumë e drejtë dhe nesër do rezultojë shumë efikase jo vetëm në zgjedhje, por dhe në realizimin e këtyre elementeve të programit të PS-së në qeverisje. Shqiptarët janë njëlloj të varfër, vuajnë njëlloj edhe socialistë, edhe demokratë, ballistë, edhe të përndjekur politikë etj. Prandaj, programi ynë qeverisës po hartohet si një program që do të çlirojë nga prangat e varfërisë edhe të "majtët" edhe të "djathtët".
Si e shikoni rolin e Fatos Nanos në këto zhvillime brenda të majtës? Mendoni se ai mund të luajë një rol interlokutori mes partive të majta për të arritur një bashkim para zgjedhjeve të 2009?
Kam përshtypjen se Nano është më shumë se të luajë rolin e interlokutorit. Nano është i njohur si lider historik i PS-së dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit, për të majtën dhe në tërësi. Me ç'kuptoj unë dhe ajo që kanë kuptuar të gjithë shqiptarët, Nanos i ka mbetur vetëm një ëndërr pa realizuar, ëndrra presidenciale. Ky është vendi i duhur, i cili pret kohën e duhur. Dhe kam përshtypjen se Nano e ka kuptuar tashmë këtë gjë. Kështu e kuptoj unë qëndrimin e Nanos, i cili nuk futet dhe nuk dëshiron të futet nën sqetullën e askujt, qoftë edhe të atyre që në mënyrë mashtruese thonë se "Ne e krijuam partinë, se na tha Nanua", gjë që s'është aspak e vërtetë. Unë besoj se një ditë Nano do të bëhet President i Shqipërisë sepse ka filluar të sillet si president, pa u futur në stërkëmbsha, në grindje të vockla, pa u futur në ambicie fshatareske, apo provinciale të njërit apo tjetrit. Nëse Nano do të vazhdojë të sillet si president, ai me siguri një ditë do të jetë president.
Nano mund të bëhet president nga karrigia e deputetit, apo si ish-kryetar partie...?   
Nga profili politik që ka pasur dhe ka.
Ka kohë që opozita ka humbur "agresivitetin" e saj në veprimet politike. Mendoni se opozita sot mund të sillet ose vetëm si modeli i Berishës së dikurshëm, ose si modeli i sotëm, më e butë, por asnjëherë sipas modelit ukrainas të 'revolucionit portokalli', ku protestat e vazhdueshme qytetare çuan në detyrimin e kryeministrit në zhvillimin e zgjedhjeve të reja?
Shqipëria nuk ka kushtet e Ukrainës dhe nuk mund të bëhen krahasime me situata të tilla, që ndodhin në një vend apo një tjetër. Edhe interesi global ndaj Ukrainës është tjetër nga ç'ka është interesi ndaj Shqipërisë. Në NATO për shembull, Shqipëria hyn më lehtë se Ukraina. Por unë jam i sigurt që PS-ja mes dy elementëve të të bërit opozitë, opozitës agresive dhe asaj të mençur, ka zgjedhur këtë të dytën. Ne nuk duam dhe nuk kemi dashur të bëjmë një opozitë agresive, por kemi bërë një opozitë të mençur, largpamëse, vizionare, programatike. Ne kemi zgjedhur armët që nuk i ka kundërshtari. S'kemi pse shkojmë në një duel politik me armët e tjetrit, ne kemi armët tona qytetare.
Pak ditë më parë është shpallur krijimi i partisë më të re të dalë nga PSSH, "PS '91". Mendoni se kjo mund të evitohej nëse do ishte lejuar mendimi ndryshe i institucionalizuar në PS?
Në PS mendimi ndryshe i ka të gjitha fushat të hapura dhe është zhvilluar mbi një bazë edhe politike, por dhe organizative. Pra, të gjithë janë të lirë të shprehin mendimet e tyre ndryshe dhe ky mendim kalon më pas në sitën e strukturave të saj me votim. Pra, krijimi i kësaj, që ju e quani parti, nuk vjen për shkak të mungesës së mendimit ndryshe. Për mendimin tim ai vjen si rezultat i konceptit provincial "më mirë i pari në fshat, sesa i dyti në Romë". Këta njerëz në konkurrimin brenda partisë, qoftë me mendim apo dhe me votim nuk fitojnë, atëherë për të qenë të parë diku, fillojnë e krijojnë bishtra të kësaj natyre. Më duket pa kuptim, madje pa asnjë të drejtë morale që përvetësojnë emra të tillë "PS '91", sepse PS-në e vitit 1991 e njoh shumë më mirë se të gjithë ata që bëjnë pjesë në këtë grupim. Po ashtu e njeh mirë edhe Gramoz Ruçi, Servet Pëllumbi, Et'hem Ruka, Ermelinda Meksi, Bardhyl Agasi, Kastriot Islami, Ismail Lleshi, Musa Ulqini, Arta Dade, Pandeli Majko, Maqo Lakrori, Moikom Zeqo, Bashkim Fino, Arben Malaj, Ylli Bufi dhe me dhjetëra të tjerë. Të konkurrosh në parti duke u bazuar në programin e saj dhe kur nuk fiton nga ky konkurrim, të shprehesh se ky program nuk bën, që këta njerëz nuk bëjnë, ky është një koncept provincial. Në PS nuk mund të vish vetëm që të jesh kryetar, drejtues, shef, deputet etj.
Si e shihni raportin të rinj dhe "të vjetër" në listat e ardhshme për deputet në PS. Sa përfshirja e kandidatëve të rinj, pak të njohur me PS-në, do krijonte kompaktësi në strukturat e PS-së gjatë fushatës dhe zgjedhjeve?
PS-ja është një parti e madhe, jo thjesht nga numri, por mbi të gjitha nga vizioni zhvillues dhe ndryshues. Ajo ka ditur të ndërtojë raporte shumë racionale midis moshave dhe prurjeve të reja. Është një parti që ka nxjerrë tre kryeministra nën moshën 40 vjeç dhe një parti që i ka dhënë këtë post një të riu, do të thotë se ajo gjithnjë ka qenë e hapur për të rinjtë, për gratë, për çdo prurje me të vërtetë pozitive që i kanë dhënë frymëmarrje asaj. Prandaj do thosha se diskutimet e kësaj natyre, që edhe unë i dëgjoj shpesh në tryeza, janë diskutime pa bukë dhe pa vlerë, sepse PS-ja kurrë nuk ka qenë partia vetëm e të vjetërve, apo vetëm e të rinjve, por ka qenë një parti e cila ka pasur një ndërthurje të mirë të moshave, të profesioneve, prejardhjeve gjeografike etj. Ndërkohë që asnjë parti tjetër nuk ka pasur ndonjë kryeministër në moshë kaq të re, dhe aq më tepër që dhe Edi Rama i përket këtij brezi të ri politikanësh.
PS-LSI, sa afër dhe sa larg janë për të bashkëpunuar në zgjedhjet e 2009-ës?
PS-ja ka një program, një ekip, një lider dhe ka të gjitha resurset njerëzore, programore dhe organizative për t'i fituar zgjedhjet. Çdo aleat nga e majta është i dobishëm, por asnjë nuk përbën domosdoshmëri, askush nuk mund t'i vërë "litarin në grykë" PS-së dhe të na detyrojë të vëmë nëpër lista ata që nuk përfaqësojnë PS-në, "të fortët", apo "xhupat e politikës"! Sistemi i ri zgjedhor nuk më detyron as mua, që t'i kërkoj djalit tim të votojë për partitë e xhuvelërisë. Ky imoralitet politik ka marrë fund! Ne nuk kemi asnjë kompleks se çfarë votash merr LSI. Ne kemi votat tona dhe me to e kemi të garantuar fitoren në zgjedhjet e 2009-ës. Të gjithë të tjerat janë në varësi të këtij programi që PS-ja e ka përpunuar, për të ndryshuar Shqipërinë. Kush dëshiron të kontribuojë në realizimin e këtij ndryshimi është i mirëpritur për të bashkëqeverisur me ne si aleatë, por vetëm kur sillet si i tillë. Të gjithë ata që fryhen kundër PS-së, më kujtojnë një fabul të La Fontenit për bretkosën.
Shumë është folur për një seleksionim të kandidaturave për deputetë ndoshta edhe përmes parimit "Një anëtar, një votë". Cilat do të jenë filtrat, që do sjellin seleksionimin e tyre para përzgjedhjes së kryesisë?
Filtrat e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë të PS-së do të jenë mbi bazën e kontributeve që secili ka dhënë dhe jep në luftën politike në organizimin e Partisë Socialiste, në programimin e qeverisjes së saj dhe në kontaktet e përditshme me strukturat dhe njerëzit. Por ne nuk mendojmë thjesht për 140 emra, por për mijëra të tjerë që i pret ndryshimi i Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›