Nga stoli në fushë, Shqipëria me probleme
Jetmir Halilaj
Tifozët e Kombëtares shqiptare ëndërrojnë që ekipi i tyre i zemrës të bëjë ndonjë mrekulli këtë edicion, sepse kuqezinjtë janë në krye, por ecuria e lojtarëve të përfaqësueses nuk aktivizohen rregullisht në klubet e tyre. Sikur të mos mjaftonte kjo, disa nga lojtarët kyç të Shqipërisë do të udhëtojnë drejt Hungarisë dhe Portugalisë pasi kanë kaluar dëmtime aspak të lehta. Një situatë e tillë, nuk ia lehtëson aspak punën trajnerit Han, por edhe vetë skuadrës për të marrë rezultate pozitive në dy ndeshjet e radhës më 11 dhe 14 tetor.
Rezervat
Erjon Bogdani, gjiganti i sulmit kuqezi që aktivizohet te Kievo, nuk luan rregullisht aty, madje deri tani nuk është aktivizuar në asnjë ndeshje si titullar. Edmond Kapllani gjithashtu nuk ka arritur të fitojë një vend titullari te Karlsruhe, kjo për shkak edhe të një dëmtimi që pësoi disa javë më parë. Besart Berisha, sulmuesi tjetër i përfaqësueses, ka shënuar tre gola me Rozenborgun, por edhe ai është rezervë te skuadra norvegjeze. Jahmir Hyka, talenti i përfaqësueses shqiptare, i cili luajti si titullar në dy ndeshjet kundër Suedisë dhe Maltës, nuk ka luajtur në asnjë takim si titullar te skuadra e tij Mainc 05, madje edhe aktivizimi si zëvendësues ka qenë me pikatore nga tekniku i skuadrës gjermane. Kapiteni i kuqezinjve, Altin Lala, gjatë këtyre javëve ka luajtur vetëm një ndeshje si titullar, madje edhe dje e ka nisur nga stoli ndeshjen ndaj Borusia Dortmundit. Skela, i cili është një nga lojtarët më të aktivizuar te Kotbusi, dje nuk është grumbulluar fare në ndeshjen kundër Hamburgut. Kristi Vangjeli, mbrojtësi i përfaqësueses, vazhdon të mos luajë te grekët e Arisit. Elis Bakaj i Partizanit është pezulluar nga klubi dhe nuk ka luajtur në dy javët e fundit. Elvin Beqiri gjithashtu, për shkak të problemeve fizike nuk është aktivizuar rregullisht te Vllaznia.
Dëmtimet
Më shqetësuesi është ai i Klodian Duros. Në dy ndeshjet e kaluara ishte një ndër futbollistët më në formë, por pësoi një dëmtim në ndeshjen e Kupës UEFA kundër Mançester Sitit dhe i ka munguar Omonia Nikosias në tre ndeshjet e fundit. Kapllani gjithashtu pësoi një dëmtim që e mbajti jashtë fushave për më shumë se dy javë. Lorik Cana pësoi një dëmtim në gju dy javë më parë, i cili gjithsesi nuk rezultoi problematik. Hamdi Salihi mungoi javën e kaluar për shkak të një dëmtimi që pësoi, por konfirmoi se do të jetë në dispozicion të trajnerit për dy sfidat e radhës. Ndërkaq, Ilion Lika ka pësuar një dëmtim dje në skuadrën e tij dhe kjo e ka detyruar të mungojë në dy ndeshjet e ardhshme të përfaqësueses. Lojtarët kuqezi që kanë luajtur rregullisht gjatë kësaj periudhe janë Beqaj, Curri, Dallku, Cana dhe Salihi.