E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mllefi i shenjtë

Mbi kronistin e terrorit të kuq, krokodilin pakistanez dhe urën mbi Drin në qytetin e Foçës në Bosnjë

Kjo kolumnë nuk është monotematike. Megjithatë, vazhdoni të lexoni. Mundësisht deri në fund! Sepse mbi secilin gur të këtij mozaiku rëndon pesha e mllefit të shenjtë e protagonistëve të kohës.

Vdekja e një kronisti

Vepra më e madhe, më e rëndësishme dhe më e njohur e Aleksandër Solzhenicinit, i cili para pak kohësh vdiq në moshën 89-vjeçare, është “Arkipelagu Gulag”. Një dokument i shtrirë në tri vëllime, ku autori imtësisht përshkruan sistemin represiv të komunizmit. Ka mendime të ndryshme se kur ka filluar të shkatërrohet komunizmi; disa kronistë thonë se kjo ideologji ishte e dënuar të dështojë që atë ditë kur Lenini i kishte hipur trenit në Bazel të Zvicrës dhe ishte kthyer në Shën-Peterburg për të drejtuar revolucionin komunist. Shkrimtari zviceran Christian Kracht sapo ka botuar një roman, ku e përshkruan Zvicrën si republikë sovjetike dhe rezonon mbi atë se çfarë do të kishte ndodhur sikur Lenini në pranverë të vitit 1917 do ta kishte humbur trenin në Basel. Ndoshta ai do të mbetej në Zvicër. Por, a thua do të provonte ndezjen e revolucionit edhe në këtë vend?

Sipas të gjitha gjasave, shkatërrimi i komunizmit filloi me botimin e “Arkipelagut Gulag“ të Solzhenicinit. Më shumë se dhjetë vjet ai kishte punuar në këtë vepër, të cilën ua kushton „të gjithë atyre, të cilët nuk patën mjaft jetë për ta rrëfyer atë. Atyre u kërkoj ndjesë, që nuk kam parë gjithçka, nuk më kujtohet gjithçka dhe jo gjithçka e kam vërejtur“. Ky libër, ka thënë Solzhenicini, „është shkruar me gjakun e miliona njerëzve“. Në vitin 1973 shërbimi sekret sovjetik kishte zbuluar dorëshkrimin. Një grua, e cila ishte person i besueshëm i Solzhenicinit, e kishte njoftuar KGB-në. Më vonë ajo kishte bërë vetëvrasje. Një kopje tjetër e dorëshkrimit ishte përvjedhur deri në Paris, atje ishte botuar në vitin 1974. (Gulag është shkurtesa për Glavnoje Upravlenije Ispravitelnotrudovih Lagerej, që në përkthim përafërsisht do të thotë: Shtabi administrativ i kampit përmirësues). Ndikimi i kësaj vepre ka qenë i madh në Bashkimin Sovjetik dhe në Evropën Perëndimore. Kjo vepër ndikoi që intelektualët francezë dhe italianë, shumica e të cilëve atëbotë ishin prokomunistë, menjëherë të kuptojnë karakterin e atij sistemi të egër dhe antinjerëzor, çfarë ka qenë komunizmi gjatë gjithë kohës. Me mllefin e tij të shenjtë kundër komunizmit Aleksandër Solzhenicin ka ndikuar në rrëzimin e një ngrehine gënjeshtrash të ndërtuar mbi gjakun e viktimave të panumërta. “Arkipelagu Gulag” është një lektyrë e domosdoshme për enverhoxhistët e Kosovës. Kurrë nuk është vonë për t’u penduar.

Krokodili nga Pakistani

Pothuaj askush nga komentatorët e njohur të politikës botërore nuk e kishte parashikuar se Azif Ali Zardari do të bëhej president i Pakistanit. Por, zhvillimet dramatike në këtë vend me bombë atomike e sollën Zardarin në krye të shtetit. Pas vrasjes së gruas së tij Benazir Buto, ai i priu masave të revoltuara, duke bërë thirrje për largim nga posti të gjeneral-presidentit Pervez Musharraf dhe duke porositur popullin: „Demokracia është hakmarrja jonë“. Klani Buto e ka drejtuar Pakistanin me gjenerata. Kësaj radhe, pas vrasjes së Benazir Butos, kjo familje nuk kishte asnjë anëtar të popullarizuar dhe të interesuar për të vazhduar traditën. Prandaj, iu krijua shansi Azif Ali Zardarit. „Unë e

di që ai dëshiron (të bëhet president), por ai s’do të jetë më shumë se një kriminel i vogël i një familjeje të parëndësishme“. Kështu kishte thënë Mumtaz Buto, xhaxhai i Benazir Butos, para se të zgjidhej Zardari. Gjatë kohës kur Benazir Buto ka qenë kryeministre e vendit, burri i saj Azif Ali Zardari drejtonte Ministrinë e Planifikimit dhe Financave. Në atë kohë ai njihej me nofkën “Mr. Ten Percent” (Zoti Dhjetëpërqindësh), sepse për çdo tender ai kërkonte dhjetë për qind provizion. (Mund te themi se në Kosovë tarifat për tenderë janë më të larta se në Pakistan).

Zardari ka edhe mbështetës të fuqishëm. Njëri prej tyre është Zyflikar Mirza. “Pas vdekjes së Benazirit rrugët e Pakistanit digjeshin. Ishte Azifi ai që i ndali masat. Ai e ka shpëtuar Pakistanin”, thoshte Mirza para pak javësh për gazetën gjermane “Die Zeit”. “Derisa ai (Mirza) e lavdëronte Zardarin si burrin e vetëm të vërtetë të Pakistanit, në dhomën e tij të punës erdhi kuzhineri i shtëpisë për të sjellë mëlmesa të shijshme. Ai është bengalez (nga një regjion mes Indisë e Bangladeshit, v.j.) dhe është në shërbim të Mirzës tashmë 18 vjet. Ai ka vështirësi për ta mbajtur tabakun. Tashmë tri vjet atij i mungon dora e majtë. Ia ka ngrënë krokodili i shtëpisë. “Kam qenë i pakujdesshëm, thotë kuzhinieri, qesh dhe e ngre cungun e dorës lart. Gojëkëqinjtë pakistanezë këtë krokodil e quajnë Zardari”. Fund më të mirë nuk mund të gjesh për një reportazh!

Ura mbi Drin

Kështu quhet një roman i shkrimtarit Ivo Andriçit. Aty bëhet fjalë për urën mbi Drin në Vishegrad. Këtu, ndërkaq, e kemi fjalën për urën mbi Drin në qytetin e Foçës, ku në vitin 1992 kishte filluar njëri prej kapitujve më të përgjakshëm të luftës në Bosnjë. Paramilitarët serbë i mbanin në një burg afër urës qindra muslimanë. Shumicën prej tyre ata i varën në rrethojat e urës, pastaj këta fatkeq i hodhën në Drinë. Ata që kanë mbijetuar, tani tregojnë se uji i kaltër i Drinit ishte bërë i kuq nga gjaku i viktimave. Fshatarët muslimanë që jetonin në luginën e lumit e kishin vërejtur se diçka e keqe po i priste. Për viktimat e mbijetuara arrestimi i Radovan Karagjiçit këtë verë është vetëm një sadisfaksion i hidhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›