Pse duhet shtyrë porta e Bosios
Rreziqet që bart ndërhyrja në veprën e përmbyllur të Gherardo Bosio-s
Më shumë njerëz, hyrje në park dhe jo më rrethrrotullim makinash. Çfarë mund t’i ndalohet dhe çfarë mund t’i kthehet nesër Sheshit “Nënë Tereza” dhe rrethinave të tij? Tema për të ardhmen e pikës fundore të bulevardit historik të Tiranës do të jetë në qendër të diskutimeve kur shumë shpejt do të hapet konkursi ndëkombëtar për aktualizimin e tij. Më 24 tetor në Javën e VIII të Gjuhës Italiane në botë me temë Piazza-n e qyteteve, Zyra e Bashkëpunimit për Zhvillim e Ambasadës Italiane në Tiranë - drejtori i saj Flavio Lovisolo tha se zakonisht Zyra merret me rrugët dhe energjinë – kësaj here do të përfshihet edhe me idetë mbi arkitekturën, duke iu përgjigjur ftesës së Bashkisë së Tiranës për konkursin e radhës, një konkurs ad hoc për rivitalizimin e këtij sheshi dhe Piazza Italia përbri tij.
Konferenca “E shkuara, e tashmja, e ardhmja e Sheshit “Nënë Tereza” në Tiranë” me pjesëmarrjen e arkitektes italiane Paola Rossi, e ngarkuar të merret me konkursin, paraqiti problemet e gjendjes aktuale, “gjëra të ditura”, po hodhi edhe supozimet e para për ndërhyrjet në një shesh.
Sot ky është një shesh paradoksal ka shumë hapësirë të lirë që nuk shfrytëzohet nga njerëzit, ndryshe nga tejngopja pak më tej e “Skënderbeut”. Paola Rossi e quan një shesh pa karakateristikat e pjacës së vërtetë urbane që lidhet me sheshin “Italia” me një “objekt të çuditshëm”, siç e quan ajo “balonën” e ngritur ndërmjet kollonave që shërben si mensë me ushqime të thata.
Arkitektja e Bashkisë së Tiranës, Adelina Greca, tha se masterplani për trajtimin e hapësirave publike parashikon një bulevard këmbësor; se dy sheshet në fjalë do të preken përtejperimetrit të tyre; se ky shesh i dizenjuar si pikë fundore e aksit veri-jug, në fakt shihet si pikë hyrëse në parkun e liqenit. “Kjo është një pikë kritike, thotë Greca, sepse ndoshta do të kërkonte ndërhyrjen në objektin e Universitetit. Si hapësira që nuk reflektojnë energji, hapësira jo domethënëse për publikun që banohen kryesisht nga makinat, sheshi “Nënë Tereza” shfrytëzohet si rrethrrotullim, do të jenë për këmbësorët dhe ndërhyrja në to nuk do të shihet e shkëputur nga bulevardi”.
Sërish pjesëmarrës në diskutim prof. ark. Claudio D’Amato Guerrieri, këmbëngul, i shtyrë nga njëlloj frike prej ndërhyrjeve që e presin këtë shesh, tek ruajtja e vlerave të krejt aksit veri-jug që nga stacioni i trenit tek korpusi universitar. “Është unikal ky aks urban ekologjik, nuk ka të dytë në botë. Shpreh gjenialitetin e Bosios dhe duhet shpëtuar nga modernizmat. Ndërhyrja në Sheshin “Nënë Tereza” duhet parë në organikën e aksit dhe jo në objekte”.
Prof. D’Amato ka hedhur idenë që strukturat e shtetit shqiptar duhet ta propozojnë aksin e bulevardit të Tiranës si trashëgimi botërore e njerëzimit që të ruhet si vlerë absolute.
Kurse arkitektja Paola Rossi shprehet në këtë intervistë për rreziqet që bart ndërhyrja në veprën e përmbyllur të Gherardo Bosio-s.
Zonja Rossi përse mendoni se Sheshi “Nënë Tereza” ka nevojë për atë që e quajtët, një “fytyrë e re”?
Sepse siç u tha në debat, edhe pse i parë nganjëherë mes kundërshtish,ky është sheshi më statik. Ka një imazh në prehje, të pandryshueshëm, përkundër dinamikës së madhe të Tiranës e cila paraqitet me tipe të ndryshme të arkitekturës. Por Sheshi “Nënë Tereza” u lind në një periudhë historike të një regjimi totalitar që të ishte edhe shesh simbol i një pushteti i cili duhej të kishte nën kontroll masat, i transformuar më pas, në periudhën komuniste duke menduar që të kishte të njëjtin funksion bashkë me bulevardin. Kështu pra, sot, përtej dinamikës së qytetit, është e nevojshme që të përballen probleme të veçanta: lidhja me parkun, që virtualisht është bërë, por në të vërtetë nuk ekziston, ka një prerje mes tyre, pastaj është lidhja edhe me Sheshin “Italia”.
Rivitalizim, modernizim... ku do të synohet realisht me “Nënë Terezën”?
Përgjigjen do të na e japin arkitektët sepse rivitalizimi i këtij sheshi mund të kalojë nëpër rrugë të ndryshme, dhe këtë do të na e tregojnë pjesëmarrësit në konkurs. Është temë e vështirë sepse kalon përmes funksioneve të sheshit, shtrimit të rrugës dhe lidhjes me bulevardin, po edhe perspektivës drejt parkut i cili sot, sipas meje, vazhdon të jetë i mohuar nga prania e rektoratit, ish- pallatit Vittorio që në fakt qe menduar si element i sfondit që paraqeste edhe autoritetin e asaj kohe, si i tillë të ishte një skenografi e pushtetit.
Duke krahasuar dy sheshet paralele, “Nënë Tereza” dhe “Skëndërbe”, tiparet totalitare ju ia vishni pothuaj të gjitha qendrës së Tiranës..
Janë tërësisht të ndryshëm. Sheshi “Skënderbe” përveç të tjerash, mbledh një seri rezistencash historike. Në këtë kuptim nuk ka një imazh të përfunduar, akoma sot është si i shqyer, ka pika të hapura që nuk janë zgjidhur, shto këtu tipet e ndryshme të arkitekturave të ndërtesave si xhamija, ato mëtë reja, përfshi edhe këtë hotel ku ndodhemi aktualisht, Hotel Tirana. Sidoqoftë është një shesh shumë i gjallë, është qendra reale e Tiranës. Ekzistonte si qendër edhe para projektit “Bosio”, prandaj njihet si pikë referimi në qytet nga njerëzit si dhe nga destinacionet që janë krijuar rreth e rrotull. Ndërsa “Nënë Tereza” është një shesh tërësisht i mbyllur, i përfunduar në një farë mënyre.
Profesor D’Amato ngul këmbë që ky shesh nuk mund të shihet i shkëputur nga bulevardi, nga aksi veri-jug që ai e quan unikal në botë. Cilat janë rreziqet që paraqet ndëhyrja e veçuar në shesh?
Rrezik mund të jetë zgjedhja e një projekti, – bëj një parantezë këtu, nuk po kritikoj, – si ai i Sheshit “Skënderbe”. Projekti fitues për rehabilitimin e këtij sheshi sipas mendimit tim, dhe që në fund të fundit ishte më i miri, me pak ndërhyrje, i lë sheshit identitetin e tij si shesh, si boshllëk ku njerëzit mund të lëvizin lirisht, çka nuk është një koncept oksidental. Në konceptin oksidental boshllëku na shkakton frikë, prandaj ne rendim gjithnjë ta mbushim. Pra rreziku mund të jetë i atij lloji si tek projekti i Studios 51N4E që e mbyll perspektivën sepse propozon një “pyll” pas statujës së Skënderbeut. De facto e fshin perspektivën. Por nuk kam frikë nga këto gjëra sepse historia e do që vendet të ndryshojnë dhe jo të mumifikohen. Perspektiva që kalon përmes “pyllit”, “rilind” duke shkuar drejt Sheshit “Nënë Tereza”. Kështu që nuk besoj që të ketë rreziqe të alternacionit në aksin veri-jug. Të ruash të tashmen e lidhjeve të “Nënë Terezës” me aksin e bulevardit, dhe me Pallatin e Kongreseve, po aq sa është i rëndësishëm një raport i saktë i lartësisë dhe strukturës së gjelbërimit, i planit të trotuarit etj.. Qëllimi – është një projekt kompleks ky – është për ta bërë këtë shesh vital.
Megjithë opinionet fragmentare për të ardhmen e shesheve të zonës historike të Tiranës, ju pranoni se është e vështirë sot t’i përgjigjesh pyetjes cila është DNA e këtij qyteti, në vështrimin arkitektonik.
Sinqerisht nuk e di. Nuk pretendoj të di shumë në kaq pak kohë, u bë një vit që vij e shkoj. Jam e mrekulluar tek dëgjoj shumë kolegë nga Tirana të cilët mbrojnë fort imazhin e ndërhyrjes në bulevard dhe në aksin veri-jug duke dashur që të respektohet ajo çka ishte origjinale e Tiranës.
Me çfarë merret tani Paola Rossi?
Kam në duar një projekt për një qendër sportive në Torino, shkruaj dhe botoj. Merrem me konkurse, jam thirrur nga ministria për këtë konkurs në Tiranë. Shumë vite më parë në Itali u hartua një ligj i cili nxiste organizimin e konkurseve, pra ndryshe nga ç’mund të mendohet, në Itali dikur nuk bëheshin konkurse për arkitekturën. Jam angazhuar me këtë punë me qëllim organizimin sa më të mirë dhe për pjesëmarrje sa më të madhe të arkitektëve. Kjo është paralel me punën si arkitekte. Kështu që kur lindi kjo ide për Tiranën më ftuan si një nga ekspertët italianë.
Çfarë ju ka dhënë përvoja 1-vjeçare në Shqipëri?
Shqipëria më ka mbushur me energji, sepse në një botë të ndalur siç është Italia në këtë moment, ku mbi të gjitha ka rënie ekonomike dhe frikë, ka prej vitesh një palëvizshmëri edhe në arkitekturë. Arkitekturat e huaja kanë bërë një rivitalizim fals, them fals sepse kjo ka ndodhur për hir të një arkitekture thjesht në princip. Por ka një ngecje të madhe, një mungesë shprese për shumë arkitektë në Itali. Dhe nuk janë pak, 130 mijë arkitektë, një çmenduri, gati 20 mijë janë vetëm në Romë, më shumë se mjekë, vetëm se nuk jemi të nevojshëm sa mjekët.
Kur vjen këtu gjen dhe merr shpresë të madhe. E shoh tek arkitektë të rinj që pavarësisht që keni dalë nga errësira e një periudhe historike, jeni projektuar drejt së ardhmes. Sa herë kthehem në shtëpi, kthehem e mbushur me energji të reja.