E Shtunë, 31 Tetor 2026

Niveli Master, mbyllet regjistrimi pa u hapur procesi

Universiteti i Tiranës, një ditë para mbylljes së aplikimit, nuk ka asnjë student të regjistruar në programet Master

Përplasja, Universiteti i Tiranës thotë se nuk i ka ardhur udhëzimi, kurse MASH “betohet” se ia ka çuar me Fax

Përplasjet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave me institucionet e arsimit të lartë publik, nuk kanë lënë pa prekur edhe programet e nivelit Master. Ditë më parë dikasteri i Arsimit nxori një udhëzim ku kërkonte nga IAL shpalljen menjëherë të kritereve të pranimit për programet e nivelit të parë dhe të dytë Master. Po në këtë udhëzim MASH kërkoi nga IAL hapjen e procesit të regjistrimit si edhe përcaktoi datat kur duhet të kryheshin veprimet në sekretaritë e dekanateve. Ditën e nesërme, bazuar mbi udhëzimin e Ministrisë, të gjithë studentët e interesuar për të vazhduar me tej studimet duhet të kenë dorëzuar në sekretaritë e dekanateve të gjitha dokumentet e kërkuara. Në fakt kjo gjë është e pamundur të ndodhë dhe këtë radhë jo për faj të studentëve, por për shkak të një incidenti banal të ndodhur midis MASH dhe IAL. Megjithëse udhëzimi shprehet qartë se regjistrimi për aplikantët që dëshirojnë të ndjekin nivelet Master hapet më datë 23.10.2008 dhe mbyllet 4 ditë më pas më 27.10.2008, në sekretaritë e dekanateve në vend të formularit të regjistrimit gjen supet e ngritura të sekretareve që habiten kur mësojnë se paska një udhëzim e po kështu një afat regjistrimi. Kur kanë kaluar tri ditë nga publikimi i udhëzimit, situata mbetet e njëjtë, gjë që rrezikon seriozisht edhe hapjen e procesit të regjistrimit, i nevojshëm për të kaluar në fazat e përzgjedhjes së fituesve.

“Në zyrat tona nuk ka mbërritur asnjë udhëzim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencave, për hapjen e procesit të regjistrimit”, shprehen sekretaret e departamenteve në Fakultetin Histori-Filologji. Madje sikur të jetonin në një botë tjetër ato habiten me faktin se lajmi për shpalljen e procedurave të regjistrimit është zyrtar dhe ka dalë nga dikasteri i arsimit. “Ne i marrim urdhrat nga dekanati. Deri më sot nuk disponojmë asnjë urdhër të tillë”. E njëjta histori është në dekanatet e tjera. Madje në kundërshtim me udhëzimin e dalë nga MASH asnjë nga dekanatet në Universitetin e Tiranës nuk ka shpallur kriteret me të cilat do të përzgjidhen kandidatët fitues. Burime pranë rektoratit të Universitetit të Tiranës ia venë fajin për situatën e krijuar Ministrisë së Arsimit e cila sipas tyre nuk i ka informuar lidhur mbi udhëzimin e fundit. Ndryshe deklaron Ministria e Arsimit dhe e Shkencave. Të kontaktuar nga gazeta “Shekulli” burime pranë këtij dikasteri janë shprehur se nuk është aspak e vërtetë që nuk kanë informuar institucionet e arsimit të lartë publik lidhur mbi udhëzimin e fundit në të cilin janë përcaktuar procedurat e pranimit dhe të regjistrimit në programet e ciklit të dytë dhe Master i Nivelit të Parë me kohë të plotë në Institucionet publike të Arsimit të Lartë për vitin akademik 2008-2009. “Për arsye kohore informimi i institucioneve të arsimit të lartë publik është bërë si me faks ashtu dhe me korrierë. Ne nuk mund të japim një informacion të saktë se çfarë ka ndodhur, madje nuk kemi informacion për mosfillimin e procesit të regjistrimit që në këtë rast nëse vërtetohet se është i tillë, atëherë kemi të bëjmë me shkeje të udhëzimit të dalë nga MASH”, u shprehën burime zyrtare pranë dikasterit.

Studentët të zhgënjyer nga sjellja e institucioneve. Me ditë të tëra në sekretari, nuk marrin asnjë informacion

Sekretaritë e departamenteve: “Nuk kemi asnjë udhëzim”

Studentët e interesuar për të ndjekur nivelin Master nuk dinë si të veprojnë pas incidentit të fundit të ndodhur midis Ministrisë së Arsimit dhe rektoratit të Universitetit të Tiranës. Floriani zbret shkallët për t’u drejtuar në fund të korridorit ku janë zhvendosur së fundi zyrat e sekretarive për secilin departament. Është e disata herë brenda pak ditëve që e bën këtë rrugë. Sapo ka përfunduar studimet e Ciklit të Parë në degën Gazetari dhe interesohet për të kryer studimet 2-vjeçare ose siç njihet ndryshe Master e Nivelit të Dytë. I ka ardhur në majë të hundës qenia pothuajse çdo ditë në derën e sekretarisë, por nuk ka çfarë të bëjë. Pothuajse të gjitha mediat e shkruara kanë si lajm dite hapjen e procesit të regjistrimit për nivelet Master. Me dokumentet në duar gjëja e parë që Floriani bën është komunikimi me sekretaren si edhe shtrimi i kërkesës për t’u regjistruar. “Ne nuk kemi asnjë informacion mbi hapjen e regjistrimeve. Nuk na ka ardhur asnjë udhëzim”, ia kthen sekretarja serbes pa shkëputur sytë nga shkresurinat mbi skrivani. Floriani instiston sërish. Megjithë mospërfilljen nga përtej xhamit, ai tregon udhëzimin e Ministrisë së Arsimit që duket se e çudit edhe më shumë sekretaren, e cila detyrohet të përsërisë se nuk ka asnjë udhëzim. Vetë Ministria e Arsimit e gjendur përballë një situatë të tillë nuk di të japë një zgjidhje lidhur mbi problemin e krijuar, ndërkohë që insiston që insitucionet e arsimit të lartë publik t’i referohen udhëzimit si edhe të përshpejtojnë procedurat e shpalljes së kritereve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›