E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi tek Topi, kërkon dialog për emrat e Gjykatës së Lartë

Demokratët i propozojnë Presidentit të Republikës dialog për zgjidhjen e çështjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës së lartë. Krerët e grupit të PD-së takuan dje në Presidencë kreun e shtetit, Bamir Topi. Kryetari i grupit, Astrit Patozi dhe nënkryetari Ilir Bano i propozuan kreut të shtetit dialog për zgjidhjen e problemeve. Patozi bëri të ditur pas takimit se “jemi partizanë të dialogut për një zgjidhje të shpejtë të problemeve”. Unë mund t’ju them me dy fjali që ishte takim i hapur miqësor. Jemi partizanë të dialogut dhe shpresojmë që të gjendet një zgjidhje sa më e drejtë dhe më e pranueshme”, - deklaroi z. Patozi. Optimist, ai shtoi, se zgjidhja do të ishte e shpejtë, por nuk specifikoi se çfarë zgjidhje do të merrte ky problem. Duket se në këtë takim është folur të paktën për 4 nga 5 emrat që Topi ka firmosur si anëtarë të rinj të kësaj gjykate. Për këta 4 emra PD është skeptike, pasi në CV-në e tyre ata kanë punuar në kohën e komunizmit, gjë që sipas disa deputetëve të PD-së, nuk është e pranueshme për ta. Ky është takimi i parë mes PD-së dhe Topit për këtë çështje, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia për një takim mes tij dhe Kryeministrit Berisha. Dy drejtuesit e grupit parlamentar të PD-së ishin në zyrën e z. Topi menjëherë pas takimit që kreu i shtetit zhvilloi me ambasadorin e KE-së në Tiranë, Lohan, ndërkohë që pas tyre Presidenti priti edhe ambasadorin amerikan, Xhon Uithers. PD-ja ka kundërshtuar 5 dekretet e paraqitura nga Presidenti Bamir Topi për anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë. Vetë Kryeministri Berisha i sugjeroi kryetarit të shtetit rishikim të emrave para se ata të kalojnë për votim në Kuvend. Për këtë, Berisha autorizoi Patozin dhe Banon për negociata me z. Topi, lidhur me kandidaturat e paraqitura prej tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›