E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Mbështesim çdo protestë që kërkon dorëheqjen e Berishës”



Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi insistimin e LSI-së për të protestuar dhe kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Berisha, duke e cilësuar atë si kryefajtorin e tragjedisë së Gërdecit. Meta tha se LSI do t’i bashkohej protestës së ditës së premte të shpallur nga Partia Socialiste. Ai theksoi se LSI-ja do të përkrahte çdo iniciativë që kërkon dorëheqjen e Berishës, pa paragjykuar se kush e ndërmerr atë.
“Ju e dini që LSI-ja ka qenë e para dhe unë jam i pari që kam vënë gishtin mbi kryefajtorin e tragjedisë së Gërdecit, që është Sali Berisha dhe ne kemi kërkuar të parët dorëheqjen dhe largimin e tij. E kemi kërkuar dorëheqjen e Berishës jo vetëm për arsye politike dhe morale, jo vetëm për arsye ligjore, pasi Prokuroria nuk mund të hetojë në mënyrë të pavarur një kryeministër, i cili është ende në detyrë, por do të thosha edhe për arsye shumë njerëzore, sepse ai sa herë që del përpara kamerave tuaja dhe para gjithë shqiptarëve, u kujton atyre tragjedinë e Gërdecit. Në këtë drejtim ne jemi të vendosur dhe mbështesim çdo iniciativë dhe çdo protestë, pavarësisht se nga kush ndërmerret, por që është e sinqertë dhe vërtet synon në imponimin e dorëheqjes së këtij kryeministri të papërgjegjshëm dhe të kësaj qeverie që për ne e ka përfunduar mandatin e saj më 15 mars”, - tha Meta. Kryetari i LSI-së theksoi se dorëheqja e Berishës dhe e qeverisjes së tij bëhet edhe më e domosdoshme në kushtet kur kryeministri dhe qeveria e tij karakterizohen nga paaftësia dhe papërgjegjshmëria. Për këtë arsye, Meta tha se opsioni i vetëm i Berishës është largimi i tij, pasi ai nuk do të jetë në gjendje që të realizojë reformat dhe standardet e kërkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Berisha duhet ta ketë të qartë se ftesa që aleatët tanë do të na bëjnë për në NATO është mbi të gjitha një përgjegjësi shumë më e lartë për të realizuar reformat e domosdoshme deri në momentin e anëtarësimit. Këto janë reforma që kërkojnë një nivel të ri cilësor në zbatimin e tyre, kryesisht në drejtim të forcimit të institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor, në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe përgjegjshmërisë qeverisëse. LSI konfirmon vullnetin e saj për t’i çuar më tej të gjitha reformat që duhen për anëtarësimin e vendit në NATO pas Samitit të Bukureshtit, ashtu siç shpreh edhe bindjen se këto reforma nuk mund të realizohen me këtë qeveri të drejtuar nga Sali Berisha”, - tha Meta.
Sh. Sulçe

2 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›