Ruçi: Të zbardhet sa më shpejt vdekja e Trebickës
Socialistët kërkojnë zbardhjen sa më shpejtë të vdekjes së biznesmenit Kosta Trebicka. Njëherësh, ata insistojnë që Kryeministri Sali Berisha të shprehet për vdekjen e Trebickës. Përmes kryetarit të Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, socialistët shprehën dje mbështetjen morale dhe politike të saj për prokurorinë, drejt zbardhjes sa më të shpejt të gjitha ngjarjeve që kanë të bëjnë me çështjen e Gërdecit. Gjatë një konferencë për shtyp, z.Ruçi informoi se "PS-ja nuk mund të fajësojë askënd për këtë vdekje, ashtu siç duhet theksuar se njeriu që ka vdekur në mënyrë misterioze, ka qenë një dëshmitar i rëndësishëm në çështjen e trafikut të municioneve, që organizoi kjo qeveri". Në vijim të deklaratës së tij, përfaqësuesi i PS-së, theksoi se "qeveria duhet të sqarojë publikun për këto çështje, dhe jo të mjaftohet me publikimin e disa të dhënave sporadike e të paplota të ekspertizës. “Me ç’moral Sali Berisha u kërkon qytetarëve të këtij vendit që të denoncojnë korrupsionin, kur denoncuesit vdiskan kaq kollaj? Sali Berisha duhet të sqarojë shqiptarët e jo të heshtë. Heshtja e vendos atë automatikisht në konflikt interesi më të gjithë këto ngjarje të rënda për Shqiptarët. Edhe pse është i atakuar për ndërhyrje apo përfshirje në këto çështje, Sali Berisha u ka borxh shqiptarëve sqarimin e veprimeve dhe mosveprimeve të tij dhe të qeverisë së tij në gjithë këto çështje", - deklaroi z.Gramoz Ruçi.