E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zonja Ina Rama, gjej një apartament e një punë tjetër!

Hetimet e nisura për arsye politike po dështojnë njëra pas tjetrës. Sistemi i korrupsionit, që po ngrenë ish-segmentet e diktaturës, të ngeci në dorë një banesë që konfirmon shpërdorimin e postit, si dhe një bilanc që do të përkeqësohet, pas 18 janarit, kur do dekretohet Ligji i ri i Prokurorisë.
Vendimi për tërheqjen nga detyra, një kontribut për sistemin e drejtësisë, por edhe një distancim nga segmentet e politikës e të institucioneve që po përpiqen të shfrytëzojnë vështirësitë e kryeprokurores

Tashmë u bë me të vërtetë e qartë dhe balanca është shumë e rëndë për ta mbajtur kryeprokurorja jonë rishtare. Frazat e Ina Ramës se ishin shpifje thëniet e gazetës “55” për apartamentin, në të cilin ajo banonte në Tiranë, rezultuan të vërteta. Por faktet e publikuara janë thjesht një konfirmim periferik i paaftësisë për të përmbushur investiturën për të cilën ajo u mandatua nga Kuvendi i Shqipërisë. Shndërrimi dashur pa dashur i ditëve të punës në kohë që prodhojnë korrupsion janë një investim shumë i rëndë personal e një kosto shumë e madhe për institucionet tona. Kryeprokurorja instaloi qëkur erdhi një sistem klientelizmi në kryerjen e punëve, i cili me kohë e shndërroi institucionin e akuzës në një levë politike të opozitës. Hapja shpejt e shpejt e çështjeve “nën hetim, kryesisht”, sipas humorit të segmenteve të opozitës dhe interesave të saj politike, regjistruan një shkërmoqje të besueshmërisë së institucionit, e cila s’ishte regjistruar as në mandatet e komprometuara të paraardhësve të saj. Çështjet “Trebicka” e Fazlliç, e mbi të gjitha hetimi për rrugën “Durrës-Prishtinë” shënuan tre kulme të mëdha të një investiture zhgënjyese në krye të prokurorisë shqiptare. Shpejtësia me të cilën ky institucion u përplas me ekspertët amerikanë vetëm e vetëm se ata deklaruan se vdekja e biznesmenit Kosta Trebicka kishte qenë një aksident, urgjenca me të cilën u tentua të ndalohej e poshtërohej në aeroportin e Tiranës, biznesmeni britanik Damir Fazlliç, e mbi të gjitha hetimi sipas busullës politike të Edi Ramës i rrugës “Durrës-Prishtinë”, janë gurët kilometrikë të autostradës së pamundësisë, që ngriti Ina Rama në krye të prokurorisë, qëkur ajo u mandatua nga Kuvendi i Shqipërisë.
Analiza e arsyeve që e çuan Ina Ramën në orientimin drejt këtyre pozicioneve, ndoshta hëpërhë, mund të mbeten të sferës personale dhe do t’i takojnë vetë kryeprokurores t’i analizojë, kur të mundet të rifitojë qetësinë e privacy-në e nevojshme. Merret vesh se institucioni i akuzës shkoi shumë shpejt e shumë larg në epokën e Ina Ramës, prandaj edhe dashamirësit e alternativave të reja apo edhe të shanseve të dyta do të shkurajohen nga shpërqendrimi e shpërdorimi që karakterizoi lidershipin e prokurorisë gjatë kësaj kohe. Thjesht për krahasim, mund të themi se, po të ishim zënë ne, apo ndonjë zyrtar i thjeshtë në shkelje të tilla, siç u verifikua Ina Rama me apartamentin e saj apo me problemet me regjistrin e fillimit të hetimeve në rastin e Damir Fazlliçit, jo në aeroport, por në ajër fare do të na ishte kryer ndalimi i merituar e heqja e lirisë, pa shqetësuar askënd se u tejkaluan kompetencat.
Rifitimi i privacy-së së kryeprokurores, përmes gjetjes së një apartamenti të ri, larg kontestimeve që sjell hija e një çështjeje penale si akuzat për përdhunim, por pikë së pari, përmes heqjes dorë nga një investiturë, të cilën s’do të duhej ta pranonte në këto momente, do të ishin thjesht qëndrime dinjitoze të një ithtareje të flaktë të drejtësisë, e cila ka kurajën të kontribuojë për reformimin e sistemit, edhe duke lënë bosh karrigen e uzurpuar. Në këtë qëndrim moral, nuk duhen marrë parasysh lidhjet e vegëzat e reja që mund të kenë ngritur njerëz të vegjël, të cilat para së gjithash, mbijetojnë për arsyet personale të këtyre të të dytëve, në dëm të interesave personale të Ina Ramës, e mbi të gjitha shkojnë në drejtim të shkatërrimit përfundimtar të imazhit e besueshmërisë së institucionit të prokurorisë - e bashkë me të edhe të krejt sistemit të drejtësisë. Ato janë presione të vogla që s’kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë dhe një gjyqtare si Ina Rama ka detyrimin profesional të kuptojë. S’po përfshijmë në këtë analizë tërheqjen e Zamir Shtyllës nga detyra që mbante, lidhjet dhe përgjegjësitë e të cilit kanë gjurmë në dështimin njëvjeçar të institucionit të akuzës, por kanë edhe peshën personale, e cila shkon deri tek diktatura e shërbimi ndaj saj. Ina Rama nuk duhet ta lejojë veten të përzihet në këtë spirale, prandaj, përderisa është shprehur publikisht dhe para anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, se s’do të mundet të drejtojë më një institucion prokurorie, kur të hyjë në fuqi ligji i ri, që u heq prokurorëve koracën e panevojshme të imunitetit, ka rastin që vendimin e tërheqjes nga investitura ta marrë këto ditë, deri me 18 janar, kur ky ligj do të dekretohet nga presidenti i republikës. Padyshim që do të jetë një moment i vështirë, e për këtë ndoshta do t’i duhet që të largohet nga Tirana, të largohet nga banesa - e cila u shndërrua në një letër lakmusi që provoi pamundësinë për të vijuar të mbetet në krye të institucionit të akuzës - dhe më pas edhe të ndihmojë sistemin e drejtësisë, përmes shkëputjes nga sistemi klientelist e korruptiv që po krijohet rreth saj, nga njerëz që ua dinë mirë këtyre punëve e që s’kanë asnjë lidhje me drejtësinë. Dështimi i çështjeve të mëdha të hapura “kryesisht”, shndërrimi në çështje publike i faktit se ajo banon në një apartament që është objekt i një akuze penale për përdhunim, të pushuar prej institucionit të akuzës dhe kundërshtimi publik ndaj Ligjit të ri për Prokurorinë, të miratuar në mënyrë bipartizane në parlament, me mbështetjen e 116 deputetëve, janë një bilanc i keq për pak më shumë se 1 vit drejtimi të institucionit të akuzës. Por jo çdo e keqe vjen për keq. Diku jashtë Tiranës, ky bilanc i keq mund ta çojë kryeprokuroren të marrë vendimin e duhur, atë të tërheqjes. Dhe do të ishte ndoshta njëra nga tërheqjet më të vlerësuara e më të mirëpritura të epokës pluraliste të institucioneve të shtetit shqiptar. E si për fund, s’mund të rri pa shprehur shpresën që kjo të ndodhë para 18 janarit, kur të dekretohej ligji i ri për prokurorinë. Vendimi do të ishte një ndihmë për pasardhësin dhe për vetë institucionin.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›