Ish-të përndjekurit, qeveria dëmshpërblen të gjallët
Qeveria nis dëmshpërblimin e viteve të burgut të ish-të përndjekurve që janë gjallë. Fillimisht me identifikimin e listës së ish-të dënuarve politikë që jetojnë ende dhe më pas me përshpejtimin e procedurave dhe afateve të shqyrtimit rast pas rasti të çdo kërkese. Kryeministri Sali Berisha lajmëroi në mbledhjen e djeshme të qeverisë, e fundit për 2009-n, se qeveria ka përparësi të saj dëmshpërblimin e atyre ish-të përndjekurve që janë akoma në jetë. "Ka një vendim për të përparësuar në shpërblimin e të përndjekurve politikë, të përndjekurit që janë gjallë. Natyrisht, një përparësi nuk mund të jetë një përqendrim total, por një përparësi e qartë do të jetë sipas vendimit që ka sjellë Ministria e Drejtësisë", - deklaroi z. Berisha. Në bazë të vendimit të djeshëm të qeverisë, ministri i Drejtësisë identifikon listën e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, të mbetur gjallë, të cilën ia përcjell Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Institucionet e lartpërmendura lidhin memorandum bashkëpunimi ndërmjet tyre për përshpejtimin e procedurave dhe të afateve të shqyrtimit të drejtpërdrejtë e të bashkërenduar të kërkesave të ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, të mbetur gjallë, si dhe të komunikimit zyrtar ndërmjet tyre. Këshilli i Ministrave bëri dje disa shtesa në vendimin nr. 169, datë 21.2.2008 për “Përcaktimin e kritereve e të procedurave të bashkërendimit të informacionit”, ndërmjet ministrisë së drejtësisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për shqyrtimin e kërkesave për dëmshpërblim të ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist si dhe të llojit të përgjegjësisë për çdo kërkesë. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 11, të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi: Për shqyrtimin e drejtpërdrejtë të kërkesave të paraqitura nga ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist, të mbetur gjallë, ministri i Drejtësisë dhe institucionet e përmendura më sipër veprojnë menjëherë, pavarësisht afateve të përcaktuara.