Ish-të përndjekurit, sa para do tu llogariten për një ditë burg
Laureta Rryçi
Tiranë - Dëmshpërblimi i të përndjekurve do të llogaritet në sajë të dënimit dhe veprës për të cilën janë dënuan gjatë sistemit të kaluar. Burime nga Ministria e Drejtësisë shpjeguan dje për gazetën “Albania” se masa është përcaktuar në ligjin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve. Sipas këtij ligji, është ndarë në katër kategori mënyra e shpërblimit për ditët e vuajtura në qeli. Në këtë ndarje u bazuan specialistët për kërkesat që janë depozituar rreth një vit më parë. E njëjta rrugë do të ndiqet edhe për kategoritë e reja, që i janë shtuar së fundi skemës së dëmshpërblimit. Megjithatë, për ta përfituar këtë dëmshpërblim, kategori të reja do të ndjekin një procedurë të përcaktuar derisa kërkesa e tyre të jetë shqyrtuar nga specialistët e Ministrisë së Drejtësisë.
Kërkesa
Paraqitja e kërkesës në Ministrinë e Drejtësisë kryhet brenda territorit të vendit vetëm me anë të Postës Shqiptare, nëpërmjet dorëzimit nga kërkuesi të dokumentacionit dhe marrjes së lajmërimit nëpërmjet postës për lajmërim-marrjen nga ministria. Çdo ish i dënuar politik i regjimit komunist, familjar i viktimave të pushkatuara ose familjar brenda rrethit të caktuar në këtë ligj i të dënuarit politik, që jeton ose nuk jeton, dorëzon dokumentet në emër të të dënuarit politik, i deklaron punonjësit të postës qëllimin e dërgesës dhe pajiset prej tij me formularin tip, që i bashkëlidhet dosjes, ku shënohen numri i dokumenteve të dorëzuara, data dhe ora e pranimit të kësaj dërgese dhe numri i regjistrimit të saj. Formulari nënshkruhet nga punonjësi i postës dhe dërguesi në tri kopje, për dërguesin, për postën dhe për Ministrinë e Drejtësisë. Posta Shqiptare do të regjistrojë çdo dërgesë të saj në regjistra të veçantë dhe duhet t’i ruajë ato.
Aplikimet nga jashtë
Posta Shqiptare dhe shërbimi konsullor, brenda 10 ditëve nga përfundimi i afatit 1-vjeçar, dorëzojnë në Këshillin e Ministrave të dhëna për numrin e dërgesave të kryera. Një kopje e këtij informacioni i përcillet edhe Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kur, pas plotësimit të afatit 1-vjeçar, nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ka pretendime nga ish të dënuar politikë, familjarë të viktimave të pushkatuara, se kanë dorëzuar dokumentet, por ato nuk gjenden, kanë humbur, kanë të meta të pjesshme etj., mjeti i vetëm provues, që shërben për pranimin e këtij pretendimi, është formulari i trefishtë i dorëzimit në postë apo në shërbimin konsullor. Ministri i Drejtësisë urdhëron ripranimin e dokumenteve, edhe pas plotësimit të afatit që në rastin konkret mbaron në qershor të këtij viti, vetëm kur kërkuesi provon se i ka dorëzuar ato në postë apo në shërbimin konsullor.
Faza fillestare
Ministria e Drejtësisë, pas regjistrimit të kërkesës, hap dosjen individuale dhe brenda 10 ditëve vepron sipas procedurës së përcaktuar. Kur nga shqyrtimi paraprak vëren se kërkesa nuk shoqërohet me dokument provues, e njofton kërkuesin për të plotësuar dokumentet brenda një afati 30-ditor, duke i dhënë informacion për zyrën shtetërore se ku mund t’i gjejë këto dokumente. Në rastet kur nga shqyrtimi paraprak provon se i dënuari politik nuk është gjallë dhe kërkesa nuk kryhet nga rrethi i familjarëve, të përcaktuar në këtë ligj, i dërgon njoftim negativ dërguesit në adresën e tij. I njëjti veprim kryhet edhe për familjarët e viktimave të pushkatuara, kur provohet se familjarët brenda rrethit të caktuar në këtë ligj nuk jetojnë më. Kur nga shqyrtimi paraprak provon se lloji i dënimit nuk përbën shkak për përfitimin e dëmshpërblimit, sipas këtij ligji, dërgon njoftim negativ në adresën e dërguesit. Ndërsa për rastet kur kërkesa është e plotë nis shqyrtimin e saj në themel.
Kur, brenda një afati 60-ditor nga marrja e njoftimit negativ, në adresën e Ministrisë se Drejtësisë nga kërkuesi nuk paraqitet asnjë pretendim për çështjen apo pretendimi nuk provohet, Ministri i Drejtësisë urdhëron mosmiratimin e kërkesës. Urdhri shoqërohet me relacionin përkatës.
Masa e dëmshpërblimit për të burgosurit, të internuarit ose të dëbuarit politikë
Çdo i dënuar politik, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer, në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim në hetuesi, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, dëmshpërblehet financiarisht, sipas kritereve të këtij ligji, në masën 2 000 (dy mijë) lekë në ditë.
Për personat që kanë vuajtur internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit është 1 000 (një mijë) lekë në ditë.
Për personat e tjerë të internuar ose të dëbuar parashikohet një skemë pensioni, e cila do të rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Dëmshpërblimi i përcaktuar në paragrafin më sipër u takon dhe familjarëve të tij, në pjesë të barabarta takuese, kur i dënuari nuk jeton më. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblim është e drejtë jopasurore vetjake.
Nga shuma që çdo i dënuar politik përfiton nga ky ligj, zbritet masa e dëmshpërblimit që ai ka përfituar me ligjet e mëparshme.
Masa e dëmshpërblimit për familjarët e të dënuarve me dënim kapital
Familjarët e viktimave, të pushkatuara apo të ekzekutuara me dënim politik të padrejtë, për vuajtjen dhe persekucionin, përfitojnë një dëmshpërblim financiar të barabartë, gjithsej, në masën e 8 viteve kompensim dënimi me burgim. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblim është e drejtë jopasurore vetjake.
Dënim penal i padrejtë
Me dënim penal të padrejtë, për efekt të dëmshpërblimit, nënkuptohet dënimi kapital ose çdo ditë heqje lirie, izolimi, internimi apo dëbimi, për vepra penale politike, në institucionet penitenciare apo një institucion mjekësor, psikiatrik apo jopsikiatrik, për shkak të një:
vendimi apo urdhri hetuesie me vdekje, i ekzekutuar gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991;
vendimi dënim me burgim të përjetshëm;
vendimi dënim me burgim;
vendimi dënim me mjekim të detyruar;
vendimi dënim me vendosje në një institucion mjekësor apo mjekësor psikiatrik, urdhri nga hetuesia;
vendimi dënim me vdekje, i paekzekutuar si pasojë e rrëzimit të sistemit komunist më 1.10.1991;
vendimi, urdhri hetuesie apo vendimi administrativ politik për internim ose dëbim.
8 Maj 2009