E Diel, 1 Nëntor 2026

Plumb në kokë mjekut në Durrës. Vrasësi: “Le të ngelen edhe fëmijët e tij jetimë”

Vritet në ambientet e Spitalit të Durrësit mjeku radiolog, Fatmir Thaçi. Autori Ali Lorja deklaroi në polici se Thaçi ishte shkaktar i vetëvrasjes së gruas së tij

Mjeku radiolog, Fatmir Thaçi, ishte si zakonisht në zyrën e tij në Spitalin e Durrësit, ndërsa në befasi, Ali Lorja ia behu me një pistoletë në dorë dhe në pak sekonda ai shkrehu armën në kokën e mjekut duke e lënë të pajetë. Vetëm pak minuta më vonë, ndërsa gjithë hetuesit kishin nisur pistat e hetimit, Lorja ka shkuar me këmbët e veta në Komisariatin e Durrësit, ka dorëzuar armën, ka rindërtuar skenën e krimit dhe ka dhënë motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë, që, me sa duket, “shkak” ka bashkëshorten e Lorjas, e vetëhelmuar dy muaj më parë në shtëpinë e saj. “Ashtu si mbetën fëmijët e mi jetimë, ashtu le të mbeten edhe fëmijë e tu”. Mjeku radiolog nuk kishte kohë as të pyeste se ç’ishte kjo ligjëratë e shkurtër, pasi katër plumba iu zbrazën në kokë duke i ndërprerë çudinë në mes, e brenda pak sekondash edhe jetën. Ali Lorja duket se e kishte kryer pa shumë mundim betimin e tij për t’u hakmarrë pas vdekjes së bashkëshortes, duke kryer kështu dhe veprimin e fundit të këtij misioni. Megjithëse nuk bëri asnjë kërcënim pas krimit makabër që kreu dje në ambientet e brendshme të Spitalit të Durrësit, ku la të vdekur në mes të zyrës mjekun Fatmir Thaçi, Lorja nuk u ndalua nga asnjë njeri, pasi mbante në dorë një pistoletë.
Motivet
Policisë nuk iu desh shumë kohë të mësonte se kjo ngjarje kishte ndodhur për motive personale dhe nuk kishte lidhje me profesionin e Thaçit si mjek, pavarësisht se Lorja zgjodhi spitalin për të kryer vrasjen. Sipas policisë, një muaj më parë, Ali Lorjas i kishte vdekur bashkëshortja L. Lorja, e cila punonte si infermiere në Spitalin e Durrësit. 45-vjeçarja L. Lorja nënë e dy fëmijëve, ishte vetëhelmuar me fostoksinë dhe, siç u mësua më vonë, kishin qenë presionet sistematike të burrit të saj për xhelozi që e detyruan atë të shpëtonte prej tij, duke ndërmarrë aktin fatal. Më vonë u mësua se Ali Lorja dyshonte që gruaja e tij kishte një lidhje të fshehtë më mjekun radiolog, Fatmir Thaçi. Por 45-vjeçarja i kishte mohuar vazhdimisht akuzat e bashkëshortit të saj për tradhti. Kur gruaja e tij vdiq, Ali Lorja mori ngushëllime nga personeli i Spitalit të Durrësit, të cilët ishin kolegët e 45-vjeçares dhe më pas mbeti me dy fëmijët jetimë, dhe kjo për shkak të dyshimeve të tij. Por, për fatin e keq të gruas së tij dhe të vetë atij, të paktën kështu ka deklaruar në polici, duhet të paguante dikush tjetër, dhe ky ishte mjeku Fatmir Thaçi. Ky i fundit nuk e kishte menduar kurrë se vdekja e koleges së tij do të implikonte sadopak edhe emrin e tij, aq më tepër që kjo gjë do t’i kushtonte jetën.
Tronditja
Vrasja alarmoi personelin dhe pacientët e spitalit, të cilët vraponin nëpër korridore. Vetëm pak minuta më pas spitali u “pushtua” nga uniformat blu. Vrasja pati jehonën e saj ashtu si precedentët e tjerë kur vriten punonjës të tjerë të administratës shtetërore në krye të detyrës. Politika nuk e mënjanoi vrasjen, duke e cilësuar atë makabre, ndërsa kërkoi dënimin maksimal të autorit, si dhe garantimin e jetës së punonjësve të shëndetësisë. Kryeministri Berisha, presidenti Topi, Ministria e Shëndetësisë, madje edhe opozita, lëshuan nga një deklaratë me anë të së cilës ngushëllonin familjen e mjekut dhe dënonin krimin e rëndë. Autori i krimit aktualisht ndodhet në qelitë e Drejtorisë së Policisë së Durrësit duke dëshmuar me detaje arsyet që e detyruan të vriste mjekun.

Ministria e Shëndetësisë: “Akt i patolerueshëm, Drejtësia të veprojë”

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar dje për vrasjen e punonjësit e të saj, mjekut radiolog Fatmir Thaçi në ambientet e Spitalit të Durrësit, duke e cilësuar këtë akt të shëmtuar e tragjik. “Duke shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes së doktorit Thaçi për humbjen e njeriut të tyre të dashur, sot është një ditë e rëndë për të gjithë komunitetin mjekësor, pasi një mjek goditet në mënyrë kriminale në momentin e ushtrimit të detyrës së tij”, - deklaroi në emër të Ministrisë së Shëndetësisë, zëdhënësja Alisa Demollari. Zëdhënësja deklaroi se Ministria e Shëndetësisë u kërkon organeve të Drejtësisë të veprojnë me të gjithë rreptësinë e ligjit ndaj autorit të këtij akti kriminal shumë të rëndë, që ka traumatizuar të gjithë opinionin publik dhe në mënyrë të veçantë komunitetin e gjerë mjekësor.

Vrasja e mjekut, Berisha: “Autori të dënohet ashpër”

Kryeministri Sali Berisha dënoi sot vrasjen në detyrë të mjekut radiolog, Fatmir Thaçi, në Spitalin rajonal të Durrësit, duke e cilësuar atë akt kriminal tejet tronditës. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e kryeministrit, Juela Meçani, tha se kryeministri Berisha ka kërkuar nga Ministria e Brendshme që të merren të gjitha masat e duhura për të garantuar jetën e veprimtarinë e punonjësve të shëndetësisë. Gjithashtu, kryeministri Berisha u ka kërkuar organeve të Drejtësisë që ndaj autorit të këtij akti të rëndë kriminal të japë dënimin më të ashpër ligjor. Mjeku radiolog u vra me armë zjarri dje paradite në Spitalin e qytetit të Durrësit, ndërsa në pranga ka përfunduar autori i krimit. Rreth orës 09:45, mjeku radiolog Fatmir Thaçi, 54 vjeç, ndodhej në Spitalin rajonal të qytetit të Durrësit në momentet që një person i quajtur Ali Lorja i ka afruar pistoletën në kokë dhe e ka qëlluar disa herë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autori, pas krimit, u vetëdorëzua në polici. Pistat e hetimit flasin për një vrasje me motive të dobëta, ndërsa ngjarja ngjalli panik në ambientet e Spitalit të Durrësit.

Presidenti Topi: “Vrasja e Thaçit, një ngjarje tronditëse”

Presidenti i Republikës, Prof. dr. Bamir Topi, u shprehu dje, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të mjekut radiolog, Fatmir Thaçi, cili u vra në Durrës nga një autor tashmë i identifikuar. Në të njëjtën kohë kreu i shtetit shqiptar kërkon me forcë që autori i këtij akti të dhunshëm e të pashpirt të vihet sa më parë para Drejtësisë, duke marrë dënimin e merituar. “Të nderuar familjarë të radiologut, Fatmir Thaçi! Më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e thellë dhe hidhërimin për ndarjen në mënyrë tragjike nga jeta të të dashurit tuaj, e cila iu ndërpre barbarisht teksa kryente detyrën fisnike në shërbim të qytetarëve shqiptarë! Rënia në krye të detyrës e çdo njeriu, aq më shumë e një mjeku, është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për familjen, për kolegët dhe gjithë qytetarët e Shqipërisë, të cilët mbështesin bluzat e bardha në misionin e tyre të përditshëm altruist në mbrojtje të shëndetit dhe jetës së të gjithëve”, - është shprehur presidenti Topi.

3 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›