Korrupsioni me pronat, pranga drejtorit të ZRPP-së së Vlorës
Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP) të qarkut Vlorë është arrestuar në kryeqytet. Lajmi u bë i ditur mbrëmë rreth orës 20:30 nga burime operacionale dhe e konfirmuan burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Edmond Banushi është prangosur me akuzën e ngritur nga prokuroria për shpërdorim të detyrës, si dhe me akuzën tjetër, konsumim të korrupsionit aktiv dhe pasiv. Banushi, prej rreth katër vitesh drejton zyrën hipotekare të qarkut të Vlorës dhe në vitin 2007 i ishte kërkuar dorëheqja nga Ministria e Drejtësisë. Qarku i Vlorës ka qenë një ndër më problematikët përsa i takon regjistrimit të pronave, sidomos atyre pronave që janë në bregdet përgjatë Rivierës. Vetëm në Prokurorinë e Vlorës dhe në atë të Tiranës ekzistojnë mbi 23 dosje tepër të rënda, që flasin për veprime arbitrare dhe vjedhje flagrante të pronës të kryera me një mbështetje të çuditshme nga zyrtarët përkatës. Gjithsesi, deri sot këto dosje vazhdojnë të trajtohen pa shumë bujë, madje ndonjëra syresh është “djegur” për shkak të tejkalimeve të afateve hetimore.
3 Tetor 2009