Vendimi për Mediun, argumentet pro dhe kundër pushimit të dosjes
Laureta Rryçi
Gjykata e Lartë ka zbardhur dje vendimin e plotë për pushimin e çështjes ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i vetmi që gjykohej në këtë gjykatë për shkak të postit të tij dhe imunitetit si deputet. Në argumentet ligjore treshja e gjyqtarëve që ka votuar pro pushimit është shprehur se ky vendim erdhi menjëherë pas rizgjedhjes së Mediut si deputet, çka do të thotë veshjen e tij me imunitet. “Fakti që ky i pandehur është zgjedhur deputet në Legjislaturën XVIII të Kuvendit të Shqipërisë, nuk lejon vazhdimin e procedimit penal në ngarkim të tij”, - thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë. Sipas Gjykatës, në kushtet kur Prokuroria nuk ka kërkuar pranë Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të Mediut dhe në kushtet kur Kuvendi nuk ka lëshuar një autorizim për ndjekje penale, atëherë procedimi ndaj Fatmir Mediut nuk mund të vazhdojë. Gjykata e Lartë vë në dukje faktin se Prokuroria nuk ka kërkuar heqje imuniteti, por, sipas saj, ligjërisht organi i akuzës ka të drejtë që të kërkojë për herë të dytë imunitetin e Mediut. Burime pranë kësaj gjykate pohuan se deri pas mesditës, ata që kishin zbardhur argumentet ligjore ishin 3 gjyqtarët që votuan pro pushimit të çështjes. Deri vonë dy gjyqtarët që ishin të mendimit se procesi duhet të vijonte nuk i kishin bërë ende gati argumentet ligjore që vërtetonin bindjen e tyre.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është zyrtari më i lartë krahas 29 të akuzuarve të tjerë për tragjedinë e rëndë të 15 marsit të 2008-s, ku mbetën të vrarë 26 veta dhe u plagosën qindra të tjerë. Për shkak të imunitetit, dosja ndaj deputetit Fatmir Mediut u nda nga dosja e 29 të akuzuarve të tjerë që gjykohen nga gjykatat e shkallës së parë. Prokuroria e Përgjithshme e akuzonte Mediun për shpërdorim detyre në lidhje me tragjedinë e rëndë.
M E N D I M
( Mbi qëndrimin në pakicë)
Në gjyqtarët e pakicës Evjeni Sinoimeri dhe Evelina Qirjako nuk jemi dakort me vendimin e shumicës :
Kemi mendimin se interpretimi që i bëhet nenit 73/2 të Kushtetutës nga shumica është një interpretim i tejkaluar, që bie ndesh me vetë frymën e Kushtetutës dhe qëllimin e saj.
Në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në doktrinën juridike është parashikuar qartë insituti i imunitetit parlamentar dhe ai i mandatit. Mandati në vetvete është forma me të cilën vishet përfaqësimi politik, respektivisht delegohet ushtrimi i pushtetit shtetëror. Imuniteti nuk është gjë tjetër veçse një veshje mbrojtëse që i bëhet mandatit të deputetit për të parandaluar ndjekjen penale nga organi i hetimit pa autorizimin e Kuvendit. Qëllimi i paprekshmërisë penale është pikërisht menjanimi i mundësive të ndjekjeve arbitrare dhe të pabazuara në ligj që do të pengonin përfaqësuesin e popullit të kryente misionin e tij për të cilin ai është zgjedhur.
Fryma e Kushtetutës nuk është paprekshmëria absolute e deputetit Paprekshmëria e tij është një shmangie nga parimi i përgjithshëm i barazisë së shtetasve para ligjit, prandaj ajo duhet të zbatohet në mënyrë të kufizuar vetëm për efektin që thamë më lart. Në rastet ku organi i prokurorisë kërkon nga Kuvendi autorizimin për të ndjekur penalisht një person me imunitet siç është në rastin konkret deputeti Mediu, detyra e parlamentit nuk është gjë tjetër veçse të shqyrtojë nëse kjo kërkesë është e përligjur apo jo, sepse në të kundërt do të hynte në kompetencë të organeve të drejtësisë. Kuvendi në këtë rast vetëm çmon nëse ndjekja penale cenon pavarësinë e parlamentit në përgjithësi dhe të deputetit konkret në veçanti, pra nëse ndjekja sjell pasoja për funksionim e mirë të parlamentit, apo mos është vetëm një pretekst për të goditur deputetin apo grupin e tij parlamentar. Ky shqyrtim nga parlamenti ka karakter thjesht politik që do të thotë se i siguron liri veprimi drejtësisë pa paragjykuar nëse deputeti është ose jo fajtor. Në kushtet kur Kuvendi i Shqipërisë e ka dhënë njëherë autorizimin duke lejuar organin procedues të kryej procedimin përkatës, presupozohet që e ka ushtruar një kontroll të tillë dhe e ka çmuar të drejtë kërkesën e tij. Për pakicën kërkesa kushtetuese që i paraqitet Kuvendit për dhënien e autorizimit për procedimin e një kategorie personash, përfshirë edhe deputetët dhe dhënia në fakt e këtij autorizimi nuk presupozon zhveshjen e personit konkret nga mbrojtja e veçantë që ai gëzon për shkak të imunitetit parlamentar, të cilën e ka fituar me zgjedhjen nga elektorati dhe konfirmimin nga KQZ.
Përkundrazi, pas dhënies se autorizimit për procedim, madje dhe pas marrjes se tij si i pandehur, deputeti ashtu sikurse ndodhi dhe me të pandehurin Fatmir Mediu vazhdon të ushtrojë funksionet e tij si deputet duke gëzuar të drejtat dhe garancitë ligjore përfshirë dhe mbrojtjen e posaçme juridiko-penale për veprime të drejtuara kundër tij dhe që përbëjnë vepër penale, pa kufizim, njëlloj si edhe deputetët e tjerë. Autorizimi për procedim i dhënë nga Kuvendi është parakusht për organin procedurës pa të cilin ky i fundit nuk mund të kryejë një numër veprimesh procedurale përfshirë dhe marrjen si të pandehur. Fakti që i pandehuri Fatmir Mediu u rizgjodh si deputet në Kuvendin e Shqipërisë nuk mund të konsiderohet se ka shërbyer për të krijuar një gjëndje të re juridiko kushtetuese përsa i përket imunitetit parlamentar në përgjithësi dhe kuptimit e qëllimit të autorizimit për procedim në veçanti. Ky i pandehur u rizgjodh deputet po i Kuvendit të Shqipërisë, organ ky i cili pavarësisht numrit progresiv të legjislaturave të tij ( nga 17 në 18) ishte shprehur tashmë pozitivisht për kërkesën e organit procedurës për dhënien e autorizimit për procedim mbi bazën e po atyre fakteve për të cilat ishte duke vazhduar shqyrtimi gjyqësor i kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas mendimit të pakicës vijimësia e efekteve kushtetuese dhe juridiko-penale të autorizimit të dhënë njëherë nga Kuvendi është rrjedhojë e vijimësisë së veprimtarisë së këtij organi kushtetues pavarësisht ndarjes në legjislatura dhe ndryshimeve që ndodhin në përbërjen nominale të tij për shkak të zgjedhjeve të reja.
Gjyqtare Gjyqtare
Evjeni Sinoimeri Evelina Qirjako
Vendimi pro pushimit
Në seancën gjyqësore të datës 14.09.2009, mbrojtësit e të pandehurit Fatmir Mediu pretenduan se prej datës 01.08.2009, i mbrojturi prej tyre është zgjedhur deputet ne legjislaturën e XVIII të Kuvendit të Shqipërisë, fakt të cilin e provuan duke paraqitur si prova:-Vërtetim nr. 11 date 11.09.2009 i Kuvendit të Shqipërisë, sipas të cilit z.Fatmir Mediu është deputet i legjislaturës se XVIII të K. Shqipërisë. -Vërtetim nr.4095 date 11.09.2009, sipas të cilit me vendimin nr.602 date 01.08.2009, z. Fatmir Mediu është deputet i zgjedhur i subjektit zgjedhor Partia Republikane e Shqipërisë në zonën zgjedhore Qarku Tiranë.
Sipas pretendimeve të mbrojtësve të të pandehurit, mbas zgjedhjes së të pandehurit Fatmir Mediu deputet, organi i prokurorisë nuk ka paraqitur kërkesë për autorizim në Kuvendin e Shqipërisë. Gjithashtu dhe nga ana e Kuvendit nuk është lëshuar autorizim për të lejuar ndjekjen penale ndaj të pandehurit Fatmir Mediu, pasi ai ka marrë mandatin e deputetit. Përfaqësuesit e organit të akuzës, lidhur me këtë kërkesë paraprake të paraqitur nga mbrojtësit e të pandehurit, pretenduan se rrethana e re e paraqitur prej tyre, pra fakti që i pandehuri Fatmir Mediu është zgjedhur deputet i legjislaturës së XVIII të Kuvendit të Shqipërisë nuk përbën asnjë pengese për gjykatën që të vazhdojë gjykimin e çështjes në ngarkim të tij. Këtë ata e bazojnë në faktin se me shkresën nr.185 datë 16.06.2008 të Kuvendit të Shqipërisë është dhënë autorizim për ndjekjen penale të të pandehurit Fatmir Mediu. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë çmon se zgjedhja e të pandehurit Fatmir Mediu deputet i Kuvendit të Shqipërisë në datën 01.08.2009 dhe mungesa e një autorizimi për procedim të Kuvendit të Shqipërisë për këtë person pas mandatimit si deputet, është një prej rrethanave ligjore të parashikuara nga neni 290/1-e të K.Pr.Penale, në bazë të të cilit ndjekja penale e filluar në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu nuk mund të vazhdojë. Rezulton se mbi bazën e kërkesës së organit të akuzës, Kuvendi i Shqipërisë, me vendimin nr.185 date 16.06.2008 ka vendosur: “Dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit Fatmir Mediu, kërkuar nga Prokurori i Përgjithshëm. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”. Pas marrjes së këtij autorizimi si detyrim procedural që buron nga përmbajtja e nenit 288 të K.Pr.Penale, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme Fatmir Mediu është marrë si i pandehur dhe në përfundim të hetimit ai është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lartë, pasi ishte një prej subjekteve, që në zbatim të kërkesave të nenit 75/b-2 të K.Pr.Penale, gjykohet prej Gjykatës së Lartë si shkallë e parë. Gjykata e Lartë, pasi konstatoi se nuk kishte pengesë ligjore për të gjykuar të pandehurin Fatmir Mediu, gjykim i cili është vazhdim i ndjekjes penale të filluar nga organi i akuzës dhe të lejuar nga Kuvendi i Shqipërisë me autorizimin e dhënë në datën 16.06.2008, filloi procedurat e shqyrtimit gjyqësor të çështjes. Në seancën gjyqësore të datës 14.09.2009, pasi nga mbrojtësit e të pandehurit u paraqiten prova sipas te cilave i pandehuri Fatmir Mediu, pas datës 01.08.2009 ka marrë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë arriti në përfundimin se kjo rrethanë e re është ndalim për këtë Kolegj që të vazhdojë ndjekjen penale në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu. Ky ndalim, para së gjithash, rrjedh nga përmbajtja e dispozitës së nenit 73/2 të Kushtetutës së Shqipërisë ku në mënyrë të shprehur parashikohet se: “Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet”.Sipas kësaj dispozite kushtetutese, një person nuk mund të ndiqet penalisht nëse ai provon ekzistencën e dy kushteve. Së pari, që ai është i zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe së dyti, që Kuvendi nuk ka lëshuar autorizim për ndjekjen penale të tij.Në vështrim të nenit 73 të Kushtetutës Kolegji Penal vlerëson se deputetët marrin një mandat politik dhe ushtrojnë funksionin e tyre, brenda afatit ligjor. Me mandatin e deputetit ka lidhje edhe statusi i tij. Element i rëndësishëm i këtij statusi, ndër të tjera, është imuniteti parlamentar që përfshin papërgjegjshmërinë penale dhe paprekshmërinë penale të deputetit. E para ka të bëjë me papërgjegjshmërinë parlamentare, pra lidhur me veprimtarinë e tij si anëtar i Kuvendit, në ushtrim të funksionit të tij, ndërsa paprekshmëria penale ka të bëjë me paprekshmërinë parlamentare.Për rastin në shqyrtim kemi të bëjmë me institutin e imunitetit në lidhje me paprekshmërinë parlamentare (ose paprekshmërinë penale), që është një aspekt i institutit të imunitetit parlamentar. Imuniteti është një institucion i vendosur për të siguruar ushtrimin e lirë të mandatit parlamentar dhe synon të parandalojë që kundër deputetit të bëhet ndjekje penale apo arrestim pa autorizimin e Kuvendit të Shqipërisë. Paprekshmëria, si tipar i qenësishën i imunitetit parlamentar, është parashikuar në nenin 73/2 e 3 të Kushtetutës.
Gjithashtu, në kuptim të neneve 65, 71 dhe 73 të Kushtetutës, autorizimi i dhënë nga Kuvendi për ushtrimin e ndjekjes penale ka efekte brenda mandatit të legjislaturës përkatëse të Kuvendit. Kjo dhe për arsye se me mbarimin e mandatit të Kuvendit (Neni 65.3 i Kushtetutës) sipas gërmës “ç” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës mbaron edhe mandati i deputetit. Në këtë kuptim mandati i deputetit Fatmir Mediu ka mbaruar dhe për rrjedhojë edhe autorizimit të dhënë nga Legjislatura XVII-të e Kuvendit i kanë shteruar efektet juridike.Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, nga provat e administruara në seancën gjyqësore të datës 14.09.2009, konstaton se ndjekja penale ndaj të pandehurit Fatmir Mediu nuk mund të vazhdojë. Ai prej datës 1.8.2009 është zgjedhur deputet dhe pasi ka marrë këtë mandat kushtetues, Kuvendi i Shqipërisë nuk ka lëshuar autorizim për ndjekjen e tij penale.
Autorizimi që ndodhet në dosjen hetimore mban datën 16.06.2008 dhe është i lëshuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në Legjislaturën e XVII-të të tij, ndërkohë që i pandehuri Fatmir Mediu është deputet i Legjislaturës së XVIII-të të Kuvendit të Shqipërisë. Do të ishte antikushtetues vazhdimi i procedimit penal ndaj të pandehurit Fatmir Mediu me pretendimin se autorizimi i datës 16.06.2008 vlen edhe mbas datës 1.8.2009, pasi me këtë arsyetim do të pranonim faktin se mandatin e deputetit ky i pandehur e ka fituar pa imunitet parlamentar. Natyrisht, ky mandat nuk mund të ishte i pjesshëm, sepse imuniteti i deputetit të sapo zgjedhur është element përbërës i statusit të tij dhe mund të hiqet vetëm në seancë plenare te Kuvendit dhe me një procedurë të caktuar posaçërisht në rregulloren e Kuvendit. Përforcimi kushtetues i mandatit të deputetit me një imunitet kundër ndjekjes penale, është një akt sovran, të cilin zgjedhësit e kanë parasysh kur votojnë një kandidat për deputet. Në ushtrimin e kësaj prerogative politike zgjedhësit nuk mund të kufizohen nga një akt i Kuvendit të mëparshëm, sepse imuniteti i hequr nuk ndalon as rikandidimin e as zgjedhjen si deputet të personit të cilit i është hequr më parë imuniteti. Kjo është një nga rrjedhojat e rëndësishme të mbrojtjes politiko-kushtetuese të deputetit, që e dallon atë nga shtetasit e zakonshëm. Akti i zgjedhjes dhe konfirmimi i mandatit të deputetit nga Kuvendi i sapozgjedhur në seancën e tij të konstituimit është një akt i plotë dhe as në teorinë e as në praktikën kushtetuese nuk njihen raste që ky akt të jetë i privuar nga elementet e tij thelbësore, siç është ndër të tjera imuniteti kundër ndjekjes dhe procedimit penal. E kundërta do ta bënte këtë akt të pavlefshëm nga pikëpamja kushtetuese dhe do t’i hapte rrugën ndjekjes penale kunder deputetëve në kundërshtim me dispozitat Kushtetuese ( N.73/2 ) dhe ato të K.Pr.Penale ( N.288 ), duke i zhvleftësuar këto ne qëllimin për të cilin janë parashikuar të veprojnë.
Organi i akuzës nuk mund të mbështetet në kërkimin e vazhdimit të gjykimit kundër të pandehurit mbi bazën e një autorizimi të lëshuar nga Kuvendi i mëparshëm, sepse ky autorizim për nga vetë natyra e tij është i kufizuar në kohë. Ky autorizim bie dhe zhvishet nga efektet jo vetem për shkak panevojshmërie kur gjykata jep vendim themeli, por edhe kur i pandehuri gjatë gjykimit rifiton një mandat të rregullt parlamentar. Për shkak se imuniteti është garanci e Kuvendit si institucion dhe jo e deputetit të tij, vazhdimi i gjykimit kundër të pandehurit do të cënonte vetë integritetin e Kuvendit, i cili është vetë ai që mund të vendosë për heqjen e këtij imuniteti mbi një kërkesë të posaçme, vetëm të organit të akuzës.
Mungesa e autorizimit për ndjekjen penale të të pandehurit Fatmir Mediu, e ndalon gjykatën të vazhdojë ndjekjen penale në ngarkim të tij, ndalim i cili është parashikuar shprehimisht ne dispoziten e nenit 290 të K.Pr.Penale ku në piken “ e ” përcaktohet se: “Procedimi penal nuk mund të fillojë dhe, në qoftëse ka filluar duhet të pushojë në çdo gjendje të procedimit…në të gjitha rastet e tjera te parashikuara nga ligji.”. Një prej këtyre rasteve pa dyshim është ndalimi i ndjekjes penale të deputetit pa autorizimin e Kuvendit, ndalim që është parashikuar shprehimisht në ligjin themeltar të shtetit në nenin 73/2 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në nenin 288/1 të K.Pr.Penale. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur Gjykata e Lartë edhe me vendimin nr.2 date 30.04.2002 që bën fjalë për të pandehurin Azgan Haklaj etj. sipas të cilit, ndër të tjera Kolegji Penal arsyeton se: “…edhe pse i pandehuri Azgan statusin e deputetit të Kuvendit e fitoi mbas nisjes së procedimit penal, kur çështja ndodhet në gjykatë, gjykimi i tij nuk mund të vazhdojë pasi gjykata ndodhet përpara rasteve të parashikuara në nenin 290 të K.Pr.Penale…”. Gjithashtu Kolegji penal i Gjykatës së Lartë çmon se ai ndodhet në pamundësi procedurale për t’i kërkuar Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për vazhdimin e ndjekjes penale të të pandehurit Fatmir Mediu. Nga përmbajtja e dispozitës së nenit 288/1 te K.Pr.Penale sipas të cilit: “Kur parashikohet autorizimi për procedim, prokurori bën kërkesën në organin përkatës”, rezulton se të drejtën për të kërkuar këtë autorizim e ka vetëm prokurori.Përsa i përket deklarimit të mbrojtësve të të pandehurit Fatmir Mediu, se janë të interesuar për të vazhduar gjykimin, gjykata konstaton se imuniteti i deputetit nuk është një garanci personale e tij, por një mjet kushtetues për të siguruar funksionimin normal të Kuvendit si institucion. Për rrjedhojë, dorëheqja personale e deputetit nga imuniteti të cilin ai e gëzon per shkak dhe për efekt të qenies së tij si anëtar i trupit legjislativ, është konstitucionalisht pa vlerë juridike dhe nuk mund te merret parasysh nga gjykata.
PER KETO ARSYE
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenet 141/1 e 73/2 te Kushtetutës dhe nenet 290/e dhe 387/1 të K.Pr.Penale,
V E N D O S I
Pushimin e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, për shkak se ndjekja penale ndaj tij nuk mund të vazhdojë.
A N E T A R A N E T A R K R Y E S U E S
Ardian NUNI Majlinda ANDREA Besnik IMERAJ
3 Tetor 2009