Ish-të përndjekurit, zbardhen ndryshimet e miratuara në ligj
Miratohen ndryshimet në ligjin e vitit 2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”. Këshilli i Ministrave ka shqyrtuar dje projektligjin për disa ndryshime e shtesa në ligjin nr.9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, i ndryshuar”, duke i bërë disa ndryshime thelbësore ligjit ekzistues, që nisin me kohën prej nga fillon data e dëmshpërblimit e deri te përfshirja në skemë e disa kategorive që nuk kanë përfituar më parë. Lidhur me kohën e nisjes së dëmshpërblimit, ligji i ndryshuar e sposton datën nga 30 nëntor 1994 më 25 tetor 1944, dhe kjo jo pa domethënie. Në këtë kohë Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i Partisë Komuniste jo vetëm e kishte shpallur veten si pushtetin e vetëm në vend dhe ekzekutonte të gjithë kundërshtarët politikë, të përfshirë ose jo në luftë, por në Berat, më 23 tetor 1944, ky këshill u vetëshpall qeveri dhe me Enver Hoxhën kryeministër. Ndaj, ndryshimet që i bëhen ligjit për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë të regjimit komunist, për kryeministrin Sali Berisha janë vendosje në vend e të drejtës historike. Madje, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e qeverisë që ka nisur me këtë çështje, Kryeministri u shpreh i pakënaqur që historia në Shqipëri ende nuk ka zbardhur plotësisht të vërtetën e plotë të krimeve të diktatorit Enver Hoxha. “Dokumentet autentike faktojnë platformën e pohuar me gojën e diktatorit dhe me shkrimin e tij, platformën e eliminimit të kundërshtarëve politikë pa gjyq dhe pa prova. Bazuar në histori, në mënyrën më të padiskutueshme, e drejta duhet të mbizotërojë. Nuk bëhet fjalë për të zbutur asnjë qëndrim ndaj kolaboracionistëve. Ai ka marrë ndëshkim botëror. Fjalë bëhet për ata të cilët u ekzekutuan për bindje të drejta politike, për qëndrime të qarta kombëtare”, - tha kryeministri Berisha. Sipas ndryshimeve të ligjit, të përndjekur nga regjimi komunist do të klasifikohen edhe ata që janë dënuar për veprën penale të terrorizmit, si dhe, pas takimit që kryeministri Berisha bëri pak kohë më parë me shoqatat e ish-të përndjekurve, është përmbushur në këtë ligj edhe kërkesa e tyre për të shtyrë afatin e aplikimit për marrjen e dëmshpërblimit deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Ndryshimet
Ndryshimet thelbësore, të diskutuara në projektligjin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve kanë të bëjnë me zgjerimin e skemës së përfituesve dhe shkurtimin e kohës së dhënies së dëmshpërblimit. Kështu, sipas ndryshimeve të bëra në ligj, do të zgjerohet afati i kohor i cilësimit të veprës që dëmshpërblehet, nga 30 nëntor 1944 më 25 tetor 1944. Po ashtu, do të njihet e drejta e aplikimit deri më 31 dhjetor 2011. Kjo do të thotë që, subjektet apo trashëgimtarët e tyre, të cilët nuk kanë mundur të aplikojnë për të përfituar dëmshpërblimin deri në datën 1 korrik 2009, mund ta bëjnë këtë gjë deri më 31 dhjetor 2011. Një tjetër amendim i rëndësishëm i bërë në ligj është edhe njohja e vendimmarrjes së Komisionit Tripalësh (që ka vepruar në vitet 1992–1994), për të internuarit deri më 31 dhjetor 1954. Ky internim shpërblehet me 1000 lekë për çdo ditë të vuajtur. Por në këtë pikë duhet bërë kujdes, pasi vendimmarrja e komisionit (që ka vepruar si gjykatë fakti në mungesë të dokumenteve), nuk do të njihet për vdekjen në hetuesi apo për vrasjet pa gjyq. Një pikë e re në ligjin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve është se do të njihen në listën e veprave penale ato të parashikuara nga neni 65 i Kodit Penal të vitit 1952 dhe neni 50 i kodit në fjalë i vitit 1977. Këto përfshijnë veprat e terrorizmit kundër pushtetit dhe të përfaqësuesve të tij. Për këto raste, kërkuesi duhet të bëjë një kërkesë me shkrim pranë Ministrisë së Drejtësisë. Ndërkaq, sipas ndryshimeve të fundit, njihet e drejta e fëmijëve biologjikë që ishin birësuar apo kishin humbur lidhjet me prindërit e tyre si pasojë e persekutimit, ndërkohë që të dënuarit mbi 85 vjeç do e marrin dëmshpërblinin në një këst të vetëm.
Berisha: Spaçi të bëhet muze
Për 100-vjetorin e pavarësisë, Kryeministri i kërkoi Ministrisë së Kulturës të paraqesë pranë qeverisë kërkesën për ndërtimin e një muzeu në burgun famëkeq të Spaçit
Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, duke folur për ndryshimet në ligjin
“Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Kulturës që të sjellë sa më shpejtë në qeveri vendimin për ngritjen e muzeut në Spaç. “Spaçi duhet të rindërtohet, të simbolizojë që të gjithë egërsinë e diktaturës. Ne nuk mund të shkojmë drejt 100-vjetorit pa ridimensionuar, siç ishte historia jonë, pa qëllime hakmarrëse. Kujtesa kombëtare është e domosdoshme, vendosja e kujtesës, nderimi është i domosdoshëm”, - u shpreh Kryeministri.
Ndryshimet në ligj
Zgjerohet afati i kohor i cilësimit të veprës që dëmshpërblehet, nga 30 nëntor 1944 më 25 tetor 1944.
Njihet e drejta e aplikimit deri më 31 dhjetor 2011. Kjo do të thotë që subjektet apo trashëgimtarët e tyre, të cilët nuk kanë munduar të aplikojnë për të përfituar dëmshpërblimin deri në datën 1 korrik 2009, mund ta bëjnë këtë gjë deri më 31 dhjetor 2011.
Njihet vendimmarrja e Komisionit Tripalësh (që ka vepruar në vitet 1992-1994), për të internuarit deri më 31 dhjetor 1954. Ky internim shpërblehet me 1 000 lekë për çdo ditë të vuajtur. Duhet bërë kujdes në kuptimin e këtij, pasi vendimmarrja e komisionit (që ka vepruar si gjykatë fakti në mungesë të dokumenteve), nuk njihet për vdekjen në hetuesi apo për vrasjet pa gjyq.
Njihen në listën e veprave penale, ato të parashikuara nga neni 65 i Kodit Penal të vitit 1952 dhe neni 50 i kodit në fjalë i vitit 1977. Këto përfshijnë veprat e terrorizmit kundër pushtetit dhe të përfaqësuesve të tij. Për këto raste, kërkuesi duhet të bëjë një kërkesë me shkrim pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Njihet e drejta e fëmijëve biologjikë që ishin birësuar apo kishin humbur lidhjet me prindërit e tyre si pasojë e persekutimit.
Të dënuarit mbi 85 vjeç, e marrin dëmshpërblinin në një këst të vetëm.
Të dhëna mbi dosjet
Në total, të regjistruara në librat e hyrjes pranë Ministrisë së Drejtësisë, gjatë periudhës 30.01.2008 - 17.05.2011, për përfitimin e dëmshpërblimit financiar janë afërsisht 20 584 dosje, që përfshijnë të gjitha kategoritë e ish-të përndjekurve politikë.
Konkretisht:
1. Lloji dënimit burg/kapital të ish-të përndjekurve politikë, përafërsisht 12 200 dosje.
2. Lloji dënimit vrasje pa gjyq të ish-të përndjekurve politikë, përafërsisht 2 000 dosje.
3. Lloji internim/në tela me gjemba/dëbim të ish-të përndjekurve politikë, përafërsisht 6 300 dosje (nga të cilat, rreth 2 243 ish-të dënuar që kanë vuajtur internim tela me gjemba, rreth 4 057 ish-të dënuar kanë vuajtur internim/dëbim, kategori kjo e cila do të rregullohet me skemë pensioni nga Ministria e Financave).
Për sa u përket dosjeve të kategorisë burg/kapital
4. Të miratuara me 20 vendime të Këshillit të Ministrave janë 10 768 dosje.
5. Dosje që janë me problematikë ligjore janë rreth 370.
6. Dosje që u mungon vërtetimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, janë 180.
7. Dosje që janë në proces shqyrtimi administrativ në 5 dhe 8 drejtime janë rreth 522, (nga të cilat, rreth 50 dosje janë gati për miratim me VKM, rreth 470 dosje janë në pritje të plotësimit dhe të dërgimit të formularëve të vetëdeklarimit dhe të dokumenteve të tjera plotësuese nga ana e subjekteve aplikuese).
8. Dosje që kanë marrë njoftim negativ janë rreth 180.
9. Dosje të paaktivizuara, për arsye të mungesës së dokumentacionit plotësues të kërkuar nga Ministria e Drejtësisë, janë rreth 180.