Pa patenta, mungon mbrojtja e produkteve shqiptare
Prodhuesit dhe bizneset shqiptare janë ende të paedukuara mirë për të mbrojtur markën dhe emrin e tyre. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Patentave dhe Markave thonë se, vitet e fundit ka shtim të aplikimeve për të mbrojtur produktet, por ende numri i bizneseve shqiptare ngelet i ulët. “Dikush të mbrojë të drejtat e veta, që të mos i shkelen, që të mos imitojë shërbimin, të mos imitojë produktin”. Hapi i parë është që të regjistrohet në zyrën e patentave dhe markave. Maket e huaja arrijnë ta gjejnë zyrën tonë shumë më lehtë se sa biznesi shqiptar. Ne kemi të regjistruar vetëm për vitin 2010 rreth 6 mijë marka të huaja. Në rrjedhën e viteve, 300 marka janë regjistruar për vitin 2010 dhe të njëjtin rend ka dhe për vitin 2011. Ka rreth 600 marka të huaja që kanë preferuar të aplikojnë direkt në zyrën shqiptare”- tha Safet Sula, drejtori i PPM. Aplikimi kërkon pak kohë dhe kryhet me pagesa modeste. Për Albanian Screen, drejtuesi i këtij institucioni thotë se, kostot në rastet e konflikteve për shkak të mosregjistrimit, janë të larta. “Kostoja e regjistrimit është tepër minimale. Përafërsisht është 100 euro, ndërsa kostoja e një konflikti për një markë mund të kalojë me mijëra euro”- tha Sula. Janë mbi 10 ligje dhe vendime të Qeverisë, të cilat rregullojnë mbrojtjen e emrit, markën, patentën apo pronësinë industriale.