Tarifat celulare me shumicë ulen sot
Sot hyn në fuqi faza e dytë e uljes së tarifave të terminimit të thirrjeve në rrjetet celulare, çka do të thotë se operatorët do t’i paguajnë më pak njëri-tjetrit për kryerjen e thirrjeve drejt rrjeteve respektive. Për operatorët AMC dhe “Vodafone Albania” tarifa do të ulet në 7.57 lekë për minutë, ndërsa për “Eagle Mobile” tarifa do të ulet në 8.85 lekë për minutë. Qëllimi i rregullimit është orientimi në kosto i tarifave me shumicë, për të krijuar hapësirat që operatorët celularë të ulin edhe tarifat me pakicë për përdoruesit fundorë. Por, në fazën e parë të uljes, nga marsi deri në shtator, kjo nuk ka ndodhur. Përdoruesit shqiptarë paguajnë për thirrjet jashtë rrjetit të njëjtat tarifa si më parë. Sipas të dhënave më të fundit të AKEP, më datë 1 korrik numri i përdoruesve të telefonisë celulare arriti në 4.75 milionë, me një rritje prej 4% krahasuar me fundin e vitit 2010. AMC kryeson tregun me 40% të numrit të përdoruesve, e ndjekur nga “Vodafone Albania” me 35%. “Eagle Mobile” zotëron tashmë 20% të numrit total të përdoruesve, ndërsa operatori më i ri, “Plus Communication”, ka arritur në 5%.