E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria përfundon hetimet për ish-punonjësin e Bashkisë



TIRANE - Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet në ngarkim të ish - punonjësit të Bashkisë, Pëllumb Vata, 30 vjeç, i cili akuzohet për abuzime me shitjen e aboneve të transportit urban në kryeqytet. Lajmi u bë i ditur të martën nga burime pranë Prokurorisë së rrethit, të cilat konfirmuan se hetuesit janë duke përgatitur dosjen penale në ngarkim të këtij shtetasi për ta dërguar ditët e ardhshme për shqyrtim në Gjykatën e Tiranës. Ish-punonjësi i Bashkisë, Pëllumb Vata, dyshohet se në kundërshtim me ligjin u ka shitur qytetarëve abone me çmim tri herë më të lartë. 30-vjeçari Vata u arrestua në fillim të muajit shkurt në Tiranë, gjatë një operacioni policor që drejtohej nga Njësia Antikorrupsion "Task Force" në Prokurorinë e Tiranës, e cila realizoi edhe hetimet ndaj tij. Gjatë këtij operacioni, forcat e policisë sekuestruan mbi 800 bileta abone, të cilat mendohet se do të tregtoheshin për qëllime përfitimi me çmime më të larta.

Bashkëpunim ndërinstitucional për kontrollin e mjeteve të trafikuara

Tiranë - Në zbatim të Memorandumit të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Ministrisë së Brendshme, “Për shkëmbimin e informacionit ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, datë 26.11.2007, të dy drejtoritë, duke filluar nga data 19.02.2008, kanë koordinuar punën për të kontrolluar të gjitha mjetet të cilat janë regjistruar për herë të parë në Republikën e Shqipërisë. Gjatë verifikimeve on-line në sistemin ASF2 të Interpolit me qendër në Lion të Francës, për 3125 mjete të regjistruara për herë të parë në të gjitha Drejtoritë Rajonale, u konstatua se 26 mjete, prodhim i tre vitet e fundit, rezultojnë të trafikuara. 26 mjetet e mësipërme nuk janë të pajisura me leje qarkullimi dhe certifikata pronësie dhe dosjet e tyre janë dërguar zyrtarisht në Ministrinë e Brendshme, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në bazë të legjislacionit në fuqi për këto mjete ka nisur procedimi. DPSHTRR dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të vazhdojnë kontrollin mbi të gjitha mjetet e regjistruara për herë të parë në të gjitha Drejtoritë Rajonale të Republikës së Shqipërisë.

28 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›