Reforma, propozimet e partive tek OSBE
• Propozimet e partive të vogla parlamentare për reformën zgjedhore po vëzhgohen nga institucionet monitoruese të zgjedhjeve në Shqipëri.Aristir LumeziOSBE-ODIHR ka tashmë në tryezën e saj propozimet që tetë partitë e vogla parlamentare firmosën një javë më parë për t'i paraqitur në Komisionin e posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore. Duket se dy partitë e mëdha, PS-PD, nuk i kanë shkëputur kontaktet dhe konsultimet me ekspertët e OSBE-ODIHR, nga të cilët kanë marrë dhe aprovimin për pikat e veçanta ku do kalojë diskutimi për një reformë të plotë në përputhje dhe me rekomandimet e tyre. Një nga pikat ku dy grupimet, parti të mëdha dhe parti të vogla ndahen mes tyre, është çështja e listave zgjedhore të proporcionalit. Dy partitë e mëdha, mbështetur dhe në vërejtjet e OSBE-ODIHR-it, kërkojnë që listat duhet të jenë të mbyllura, ndryshe nga partitë e vogla parlamentare, të cilat kërkojnë lista të hapura. Ndërsa për çështjen e pragut elektoral, partitë e vogla mendojnë se ai nuk duhet të jetë më i lartë se 2.5 për qind, propozim që gjen mbështetje dhe nga partitë e mëdha, të cilat nuk e shohin si pengesë çështjen e pragut elektoral. PropozimiPartitë e vogla parlamentare kanë kërkuar një sistem zgjedhor proporcional të personalizuar. Sipas tyre, sistemi zgjedhor të jetë ai gjerman i përmirësuar, sipas veçorive zgjedhore shqiptare, ku vota e kandidatit njësohet me atë të partisë. Partitë gjithashtu kërkojnë që zgjedhjet të bëhen vetëm me një raund, ndërsa pragu elektoral i mjaftueshëm për t'u përfaqësuar në Kuvend i partive do të jetë 2.5 për qind. Partitë e vogla kërkojnë lista të hapura të proporcionalit. Por në formularin e tyre, partitë e vogla parlamentare përkojnë që Parlamenti të ketë 140 deputetë dhe një tavan të hapur, i cili mund të sjellë rritjen e numrit të tyre në Kuvendin e ardhshëm. Por aleatët e dy partive të mëdha kanë përcaktuar në propozimet e tyre edhe çështjen e koalicioneve zgjedhore. Ato mendojnë se koalicionet zgjedhore duhet të jenë vetëm kombëtare dhe aspak rajonale, duke e bërë sistemin zgjedhor sa më të pastër. Këto propozime janë firmosur pak ditë më parë nga LSI, PSD, PDS, PAD, por dhe PBDNJ, e cila i ka gjetur të përshtatshme këto propozime dhe i ka firmosur ato. Partitë e majta, por dhe ato të djathta, kanë reaguar menjëherë pas deklaratës së djeshme të bashkëkryetarit të Komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Ilir Rusmali, në lidhje me propozimet për reformën zgjedhore. "Duhet të jenë konkretë tashmë, nuk mund të jenë më në terma të përgjithshme. Duhet të themi sa e përfytyrojnë secili nga anëtarët pragun elektoral, ç'mendim kanë lidhur me heqjen e tavanit, 140 deputetë plus, mund të jenë edhe 120 deputetë në varësi nga konceptet nga secili anëtarë ka, ç'mendojnë për koalicionet zgjedhore", tha Rusmali.Islami: Edhe sistemi spanjoll i pranueshëmBashkëkryetari i Komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Kastriot Islami, është shprehur se sistemi gjerman duhet marrë ashtu siç është dhe jo të modifikohet. "Nëse do t'i përmbahemi një sistemi zgjedhor, ai duhet të merret me të gjitha detajet që ka, ndryshe ai s'mund të quhet më gjerman, apo spanjoll, nëse në të kemi vendosur parametra në përputhje me parti të ndryshme". Sipas Islamit, një tjetër variant i parapëlqyer nga socialistët mbetet edhe ai spanjoll, i cili është një proporcional rajonal.Komisioni drejt përfundimit të mandatitKomisioni i posaçëm parlamentar ka hyrë tashmë në fazën e tij përmbyllëse, ku pritet të diskutohen propozimet e partive në lidhje me sistemin zgjedhor dhe detajet e tij. Pasi ka skaduar pa asnjë rezultat mandatin e parë, ky komision mori një shtesë të mandatit të tij edhe për tre muaj, por edhe gjatë kësaj kohe asnjë përfundim nuk është arritur. Por, edhe pse mandati i tij po shkon drejt përfundimit, diskutimi real për reformën zgjedhore ende nuk ka nisur, duke e vënë në dyshim përfundimin e saj brenda këtij mandati.Gjinushi: Jo rritje të pragut elektoralNë lidhje me pragun elektoral, kryetari socialdemokrat Gjinushi tha se, "pragu nuk ka të bëjë me sistemet, sepse të gjitha sistemet kanë prag, ai është çështje dytësore dhe më parë duhet të vendoset për sistemin që duam të adaptojmë, por nuk ka arsye paraprake për rritjen e pragut elektoral". Sipas tij, reforma zgjedhore nuk duhet të mbetet monopol i dy partive të mëdha. "Ka një preferencë për sistemin zgjedhor gjerman, i cili garanton një sistem të pastër zgjedhor, ndërsa çështja e pragut duhet të diskutohet pasi të përcaktohet sistemi", tha Gjinushi.Kërkesat e partive të vogla Sistem i ngjashëm me gjermanin Proporcional i personalizuar Pragu elektoral 2.5 për qind Zgjedhje me 1 raund Votim vetëm me një fletë Partitë të hyjnë në zgjedhje me lista kombëtare të hapura Parlamenti me 140 deputetë dhe tavan të hapur Koalicionet vetëm në rang kombëtar dhe jo rajonal