E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kristo takon ambasadorin amerikan Withers

• Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, priti në ambientet e kësaj gjykate, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Withers.Gjatë bisedës së tyre, Kristo ka nënvizuar se, "Gjykata Kushtetuese ka zënë vendin e saj në institucionet e shtetit. Në sytë e publikut, por dhe në atë të politikës, përherë e më tepër Gjykata Kushtetuese shihet si garante e Kushtetutës, jashtë ndikimeve politike". Nga ana e tij, ambasadori i SHBA vlerësoi punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese dhe kërkoi që ajo të vazhdonte të jepte kontributin e saj në forcimin e shtetit të së drejtës. Duke e vlerësuar kompetencën dhe pavarësinë e gjyqësorit si një nga shtyllat e domosdoshme për pranimin e Shqipërisë në NATO, por dhe më tej, ambasadori Withers ofroi për Gjykatën Kushtetuese mbështetje dhe ndihmë të vazhdueshme. "Ju mund të shikoni në ambasadën tonë një aleat dhe bashkëpunëtor të sigurt...", u shpreh ambasadori, i cili premtoi dhe fillimin e një bashkëpunimi më konkret me Gjykatën Kushtetuese Shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›