Xhentile, afër stolit kuqezi
• Trajneri italian Klaudio Xhentile është më pranë pankinës kuqezi se gjithë kandidatët e tjerë.Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, mësohet se po i lëviz të gjithë gurët për të bindur ish-teknikun e Shpresave të Italisë që të pranojë detyrën e trajnerit të Kombëtares shqiptare, por me shumën e parave që FSHF është e gatshme të vërë në dispozicion, pa sakrifikuar. Duka njihet si një ndërmjetës mjaft i mirë dhe i aftë që të tregohet tepër bindës në kërkesat e tij. Xhentile kërkon rreth 600 mijë euro për një edicion, por FSHF ofron thuajse gjysmën e këtyre parave. Burime pranë kreut të Federatës kanë thënë se ai është shumë pranë zgjedhjes së teknikut të ri të kuqezinjve dhe se kohët e fundit janë shpeshtuar tratativat me kandidatët. Një tjetër emër që flitet se mund të zërë vendin e lënë bosh nga Bariç është edhe austriaku Hans Krankl, i cili gjithashtu është një pretendent serioz, pasi ndryshe nga Xhentile kërkon më pak para dhe ky është një avantazh i madh për të.