Shqipëria merr kryesinë e radhës së Organizatës të Detit të Zi
Shqipëria nisi dje zyrtarisht kryesinë e radhës së Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi ose “BEDZ”. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Sekretariatin e Përhershëm të Organizatës në Stamboll, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, prezantoi prioritetet e Kryesisë shqiptare, si dhe kalendarin e aktiviteteve të parashikuara të mbahen gjatë kësaj periudhe. Ministri Basha u shpreh se tre shtyllat kryesore ku mbështeten prioritet e kryesisë së Shqipërisë janë: vazhdimi i reformave strukturore të organizatës, kultivimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit me aktorët ndërkombëtarë si BE-ja dhe OKB-ja, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit mes vendeve anëtare të organizatës në nivel sektorial. Për realizimin e këtyre prioriteteve, Kalendari i Presidencës shqiptare të BEDZ-it përmban më shumë se 55 aktivitete si: takime të ministrave të Jashtëm, të Ministrave të Energjisë e të Turizmit në konferenca ndërkombëtare, takime të grupeve të punës, seminare, ekspozita etj. Një pjesë e madhe e tyre janë parashikuar të mbahen në vendin tonë. Lehtësimi i lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe shërbimeve nëpërmjet uljes dhe eliminimit të barrierave administrative të tilla si, vizat dhe lejet bilaterale të transportit rrugor, do të jenë në vëmendje të Presidencës shqiptare, theksoi ministri Basha.
14 Maj 2008